Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Smith: Trump u përpoq ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020

Jack Smith

Foto: Associated Press

Ish-prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili udhëhoqi dy hetimet penale federale ndaj presidentit amerikan Donald Trump  dëshmoi para Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve të enjten në lidhje me përpjekjen e Trumpit për ta “përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020” dhe për të parandaluar transferimin e pushtetit te Joe Bideni, raporton agjencia "AP". 

“Në vend që të pranonte humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, presidenti Trump u përfshi në një skemë të paligjshme për t’i përmbysur rezultatet dhe për të penguar transferimin e ligjshëm të pushtetit”, i tha Smith Dhomës së Përfaqësuesve, duke dënuar “narrativat e rreme dhe mashtruese” që rrethonin hetimin e tij.

“Presidenti Trump u ndoq penalisht sepse provat treguan se ai shkeli me dashje ligjin, të cilin u betua ta zbatonte”, shtoi ai.

Pasi Trump fitoi zgjedhjet e vitit 2024, prokurori federal mbylli dy hetimet federale. Njëri përfshinte përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe tjetri përfshinte mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë. Departamenti i Drejtësisë kështu iu përmbajt politikës së tij, që daton që nga skandali Watergate, për të mos ndjekur penalisht një president në detyrë.

Megjithatë, në janar 2025, Jack Smith, në raportin e tij përfundimtar mbi çështjen zgjedhore, deklaroi me besim se “pa zgjedhjen e Trumpit si president në vitin 2024 dhe kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë”, ai do të kishte qenë në gjendje ta dënonte atë.

Edhe Agjencia federale nis hetimet ndaj Jack Smithit lidhur me rastet kundër Trumpit Botë Agjencia federale nis hetimet ndaj Jack Smithit lidhur me rastet kundër Trumpit

Seanca e sotme dëgjimore para Komitetit të kontrolluar nga republikanët ishte mundësia e parë e Smith për t’i folur publikisht popullit amerikan.

“Nëse më pyetni nëse do të ndiqja penalisht një ish-president bazuar në të njëjtat fakte sot, do ta bëja, pavarësisht nëse ai president ishte demokrat apo republikan”, shtoi ai.