Zyra e prokurorit të posaçëm në SHBA, një agjenci federale e pavarur, ka njoftuar të shtunën se po e heton ish-prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, për shkelje të mundshme të Aktit Hatch, ka njoftuar “The Guardian".
Smith hetoi për rolin e Donald Trumpit në trazirat në Kongres më 6 janar të vitit 2021 dhe keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara.
Konfirmimi i hetimit vjen pasi që senatori republikan i Arkansasit, Tom Cotton, kërkoi javën e kaluar që Smithi 56-vjeçar të hetohet për “ndërhyrje të paparë në zgjedhjet e vitit 2024”.
Akti Hatch, një ligj federal i miratuar në vitin 1939, kufizon aktivitete të caktuara politike të punonjësve federalë. Trump, së bashku me ligjvënës tjerë të njohur republikanë, kanë argumentuar se hetimet e Smithit ndaj Trumpit përbënin aktivitet politik të paligjshëm.
Smith u emërua prokuror i posaçëm nga prokurori i përgjithshëm i atëhershëm Merrick Garland në vitin 2022 – tre ditë pasi Trumpi njoftoi për kandidaturën e tij për një mandat të dytë – për ta hetuar ndërhyrjen e mundshme të Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020 dhe trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.
Megjithatë, zyra e prokurorit të posaçëm, agjencia federale që po e heton Smithin, është ndryshe nga lloji i pozicionit të prokurorit të posaçëm që emërohet nga Departamenti i Drejtësisë, e të cilin rol e kishte Smith.
Si agjenci federale e pavarur, asaj i mungon fuqia për të ngritur padi penale, por në vend të kësaj, mund të kërkojë masa disiplinore për një punonjës të qeverisë federale ose t’ia referojë gjetjet e saja Departamentit të Drejtësisë për hetim.
Smith përfundimisht ngriti dy padi penale kundër Trumpit në vitin 2023, por dha dorëheqje në janar të këtij viti dhe rastet u pushuan pasi Trump fitoi mandatin e dytë.
Jack Smith drejtoi Prokurorinë Speciale të Hagës në aktakuzën e ngritur ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte larguar nga detyra në Speciale për të nisur hetimet ndaj Trumpit.