Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja ngre akuza ndaj tre iranianëve për komplot sulmesh

SHBA

Foto: Associated Press

Departamenti amerikan i Drejtësisë (DOJ) ka njoftuar ngritjen e akuzave ndaj tre personave të lidhur me Iranin, të cilët dyshohet se janë përfshirë në një seri komplotesh në SHBA dhe Evropë.

Sipas DOJ-së, agjentë iranianë së fundmi “organizuan një komplot terrorist në një bazë ajrore në Mbretërinë e Bashkuar”, duke pretenduar se ata ishin të përfshirë në incidentin e rëndë të shtatorit pranë bazës ajrore RAF Fairford, ku ishin të stacionuara forcat e armatosura amerikane.

Njëri prej të akuzuarve, me shtetësi të dyfishtë iraniane dhe irakiane, dyshohet se ka komunikuar me persona në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Neë York, ku po pret gjykimin për akuza të mëparshme. Dy të tjerët akuzohen se kanë bërë të njëjtën gjë nga Irani.

Irani ka mohuar fuqishëm çdo përfshirje në incidentin pranë RAF Fairford, i cili u bë publik pasi pranë bazës u raportua prania e disa furgonëve të dyshimtë. Shtatë persona janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me këtë rast.

Sipas DOJ-së, iraniani Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy nënshtetësi iraniane dhe irakiane, Mohammad Baqer Saad Daëood al-Saadi, janë akuzuar në një aktakuzë të bërë publike të martën.

Ata akuzohen se kanë planifikuar sulme në Evropë, të cilat janë kryer në emër të një grupi që pretendohet se është krijuar së fundmi dhe përdor emrin Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya (Lëvizja Islamike e Njerëzve të Dorës së Djathtë – HAYI).

“Nga 18 sulmet terroriste në Evropë, për të cilat HAYI mori përgjegjësinë në pranverën e vitit 2026, shtatë ndodhën në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në deklaratën e DOJ-së.

Sipas saj, sulmet përfshinin “vënie zjarri, përdorim të eksplozivëve dhe, në një rast, një sulm me thikë në Londër, që për pak sa nuk përfundoi me vdekje, ndaj dy burrave hebrenj, njëri prej të cilëve me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe britanike”.

Dy burra hebrenj u plagosën me thikë në Golders Green, në veri të Londrës, në prill. I dyshuari pritet të dalë para gjykatës vitin e ardhshëm.

“Kjo aktakuzë me tetë pika dëshmon vendosmërinë e Iranit për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe SHBA”, ka deklaruar drejtori i FBI-së, Kash Patel.

Ai ka shtuar se njëri prej tre të akuzuarve “dyshohet se ka dërguar mesazhe të koduara për të ndihmuar në kryerjen e akteve të ardhshme të dhunës”, ndërsa ndodhej në paraburgim.

Patel ka shtuar se të akuzuarit ishin të përfshirë në afro 20 sulme të planifikuara, në mbështetje të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah, e mbështetur nga Teherani.

Një incident i rëndë është shpallur më 27 shtator pranë bazës ajrore RAF Fairford, në rajonin Cotsëolds të Gloucestershire, në Mbretërinë e Bashkuar, pasi pranë bazës u panë tre furgonë të dyshimtë.

Në furgonë nuk u gjetën materiale shpërthyese, por u sekuestrua një sasi benzine.