Pesë vjet më parë nga një anije transportuese e dëmtuar u derdhën tonelata kokrrizash të vogla plastike në brigjet perëndimore të Sri Lankës. Tani, pesë vjet më vonë, ndotja vazhdon të dëmtojë jetën detare dhe të ardhurat e peshkatarëve, të cilët ende presin dëmshpërblimin për humbjet e shkaktuara
Në plazhin e Pamunugamës, në bregun perëndimor të Sri Lankës, gra të veshura me uniformë punojnë nën diellin përvëlues. Ato mbledhin mbeturinat që dallgët kanë nxjerrë në breg dhe mes tyre kërkojnë diçka shumë më të vogël: grimca të imëta plastike.
Pesë vjet më parë, në maj të vitit 2021, ky plazh ishte mbuluar nga këto grimca plastike, ndërsa tymi ngrihej mbi Oqeanin Indian.
Gjithçka nisi në maj të vitit 2021, kur anija transportuese e kontejnerëve “MV X-Press Pearl” mori flakë rreth 16 kilometra larg këtij bregdeti. Anija, që lundronte nën flamurin e Singaporit, transportonte 1.486 kontejnerë, mes tyre edhe tonelata me materiale të rrezikshme, si acidi nitrik.
Ndërsa zjarri përhapej, disa kontejnerë ranë në det. Bashkë me ta, në ujërat e oqeanit përfunduan miliarda kokrriza të vogla plastike, të njohura si nurdles, të cilat përdoren si lëndë e parë për prodhimin e shumicës së artikujve plastikë. Kjo ndodhi para se anija të fundosej.
Në javët që pasuan, qindra gjallesa detare të ngordhura dolën në breg, mes tyre më shumë se 100 breshka deti dhe dhjetëra delfinë.
“Pemët e kokosit u nxinë dhe u thanë. Kokrrat e vogla të kokosit nisën të binin para kohe. Nga përvoja e dimë se kjo nuk është normale dhe se ishte pasojë e katastrofës”, thotë Roger Peiris, i cili në atë kohë punonte për organizatën YMCA. Më vonë, ai nisi të angazhohej që peshkatarët dhe komunitetet e tjera të prekura të kishin më shumë rol në përpjekjet për rimëkëmbjen e zonës.
Pesë vjet më vonë, këto kokrriza plastike vazhdojnë të dalin në breg.
Pritja e dëmshpërblimeve
Jude Sulanta, një peshkatar vendas, thotë se problemi bëhet edhe më i madh gjatë sezonit të musoneve, kur fryjnë erëra të forta dhe deti është i trazuar.
“Era e fortë i sjell kokrrizat plastike drejt bregut, kur deti është i trazuar. Kur deti është i qetë, ato mbeten në fund të tij”, shpjegon ai.
Sipas shumë peshkatarëve, dëmtimi i zonave të peshkimit ua ka vështirësuar gjithnjë e më shumë sigurimin e jetesës. Ndërkohë, ata ende presin dëmshpërblimet.
Humbjet e shkaktuara nga kjo katastrofë janë në qendër të një beteje të gjatë ligjore për përcaktimin e përgjegjësisë. Në korrik të vitit 2025, Gjykata e Lartë e Sri Lankës vendosi që kompanitë përgjegjëse për anijen “X-Press Pearl” të paguanin fillimisht një miliard dollarë, ndërsa shuma e plotë e dëmshpërblimit do të përcaktohej më vonë.
Gjykata konstatoi gjithashtu dështime serioze nga ana e disa institucioneve shtetërore të Sri Lankës dhe urdhëroi një hetim të ri për pretendimet mbi korrupsionin gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve dhe përpjekjeve për sigurimin e dëmshpërblimit.
Megjithatë, më shumë se një vit pas vendimit, nuk është paguar pothuajse e gjithë shuma që Gjykata urdhëroi të paguhej. Pronari i anijes, kompania “X-Press Feeders”, dhe siguruesi i saj, “London P&I”, e kanë kundërshtuar vendimin dhe mënyrën se si gjykata ka trajtuar përgjegjësinë në këtë rast. Ndërkohë, negociatat me qeverinë e Sri Lankës vazhdojnë.
Një çështje tjetër për dëmshpërblim, e ngritur nga Sri Lanka në Singapor, është ende në shqyrtim, por procedurat janë pezulluar përkohësisht në pritje të zhvillimeve të proceseve të lidhura me të në Londër.

Pas katastrofës, autoritetet vendosën përkohësisht ndalimin e peshkimit, për shkak të rrezikut të ndotjes. Peshkatarët morën disa pagesa për të kompensuar të ardhurat e humbura gjatë kësaj periudhe. Por ata thonë se mënyra se si u përcaktuan kategoritë e përfituesve la jashtë shumë prej personave të prekur.
“Shumë peshkatarë që me të vërtetë kishin të drejtë për dëmshpërblim nuk arritën ta merrnin atë”, thotë Sulanta.
Disa peshkatarë argumentojnë se operatorët më të mëdhenj dhe bizneset me më shumë mundësi financiare patën më shumë ndikim te zyrtarët dhe arritën të mbronin më mirë interesat e tyre. Në të kundërt, peshkatarët e vegjël nuk e kishin dokumentacionin e nevojshëm, kohën apo lidhjet për të paraqitur kërkesat e tyre.
“Anijet më të mëdha dhe bizneset që merren me tharjen e peshkut kanë përfaqësim më të fortë dhe më me ndikim tek autoritetet. Ne, peshkatarët e vegjël, nuk kemi të njëjtën mundësi për të ushtruar ndikim”, thotë Anthony Nishantha, një peshkatar vendas që ka ndihmuar avokatët në përpjekjet për të siguruar dëmshpërblimin për katastrofën.
Një vlerësim fillestar i bërë nga një grup ekspertësh i caktuar nga qeveria e Sri Lankës e përllogariti dëmin mjedisor të shkaktuar nga katastrofa në 6.4 miliardë dollarë.
“Dëmet e para përfshinë ndikimin e drejtpërdrejtë në peshkim, të shkaktuar nga mbeturinat dhe pjesët e anijes së dëmtuar. Por, bazuar në studime të ngjashme në vende të tjera, ne parashikuam se do të kishte edhe humbje afatgjata në sektorin e peshkimit”, thotë profesoresha Prasanthi Gunawardena, eksperte e ekonomisë mjedisore dhe bashkëdrejtuese e grupit të ekspertëve.
Peshkatarët thonë se rrjetat e tyre të peshkimit vazhdojnë të dëmtohen.
“Kur rrjeta hidhet në zonat shkëmbore, ajo tërheq diçka që ngjan me pambuk. Kjo nisi të ndodhte pas katastrofës”, thotë Nishantha.
Ata dyshojnë se shkak janë ndotësit e përhapur në det pas aksidentit, megjithëse kjo lidhje nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Rasti merr pak vëmendje
Peshkatarët flasin edhe për ndryshime në shkëmbinjtë nënujorë, ku tradicionalisht mblidheshin dhe shumoheshin peshqit. Njohuritë për këto zona janë përcjellë brez pas brezi dhe u kanë mundësuar peshkatarëve të dallojnë vendet më të përshtatshme për peshkim pa pasur nevojë për pajisje GPS.
“Ne jemi peshkatarë prej brezash. Babai më tregonte se ku mblidheshin llojet e ndryshme të peshqve”, thotë Ranga Fernando.
Por, sipas tij, që nga katastrofa, njohuritë e trashëguara nuk janë më aq të besueshme, pasi modelet e zakonshme kanë ndryshuar. Nishantha përmend zonën e Thambugalës, një vend i njohur për peshkim, pranë vendit ku u fundos anija. Ai thotë se peshqit vazhdojnë të mblidhen atje, por nuk shumohen më në të njëjtën masë si më parë.
“Vetëm para disa javësh, dy ose tri breshka deti dolën të ngordhura në breg. Zakonisht kjo ndodh shumë rrallë, por tani po i shohim këto raste gjithnjë e më shpesh”, thotë ai.
Peshkatarët thonë se më pak vëmendje i është kushtuar ndikimit të katastrofës në lagunën e Negombos, e cila lidhet drejtpërdrejt me detin. Jude Anthony, i cili merret me kultivimin e peshkut në këtë lagunë, thotë se pas katastrofës, mbetjet plastike dhe ndotës të tjerë përmbytën rezervuarët e tij të kultivimit, duke shkaktuar ngordhjen e peshqve për të cilët ishte kujdesur për muaj të tërë.
“Të gjithë flasin për peshqit që ngordhën atë ditë. Por edhe sot nuk mund të peshkojmë siç duhet”, thotë ai.
Peshkatarët pranojnë se ndotja e shkaktuar nga zgjerimi urban kishte filluar ta dëmtonte sektorin edhe para aksidentit. Megjithatë, ata besojnë se katastrofa e anijes “X-Press Pearl” i përkeqësoi edhe më shumë problemet ekzistuese.
Së bashku me rritjen e kostos së jetesës, këto vështirësi e kanë bërë gjithnjë e më të vështirë sigurimin e të ardhurave nga peshkimi. Si pasojë, disa banorë janë detyruar t’i shesin varkat ose të largohen jashtë vendit për të gjetur punë.
“Në fshat ka gjithnjë e më pak njerëz. Ata janë larguar jashtë vendit për të mbajtur familjet e tyre”, thotë Sulanta.
Qendra për Drejtësi Mjedisore (CEJ), e cila ndihmoi në ngritjen e çështjes në Gjykatën e Lartë, thotë se po vazhdon përpjekjet për zbatimin e vendimit që detyron kompanitë të paguajnë një miliard dollarë dëmshpërblim. Deri më tani, është paguar vetëm rreth një milion dollarë.
“Po përpiqemi të kundërshtojmë moszbatimin e vendimit të gjykatës, si brenda vendit, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Kështu sillen korporatat me vendet në zhvillim, të cilat kanë më pak fuqi dhe ndikim”, thotë Hemantha Withanage, bashkëthemelues dhe drejtues i CEJ-së.
Pesë vjet takime, kërkesa për dëmshpërblim dhe pasiguri i kanë zhgënjyer gjithnjë e më shumë peshkatarët. Ndërkohë, nevoja e përditshme për të siguruar bukën e gojës ua bën të pamundur të përballojnë edhe një betejë të gjatë për drejtësi.
“Askush nuk kujdeset për njerëzit e thjeshtë. Ne nuk jemi të arsimuar. Nuk dimë ku të drejtohemi për t’i ngritur këto probleme, prandaj askush nuk kujdeset për ne. Nuk mund të flasim drejtpërdrejt me njerëzit që janë në krye. Çfarë mund të bëjmë më shumë?”, thotë Anthony.
Në fund, sipas tij, peshkatarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojnë jetën siç munden.
“Ne merremi me punët tona, punojmë dhe jetojmë”, thotë ai.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i kompanisë “X-Press Feeders” thotë se kompania e pranon që fundosja e anijes “X-Press Pearl” pati ndikim në mjedisin e Sri Lankës. Megjithatë, sipas tij, nuk mund të supozohet se të gjitha kokrrizat plastike që mblidhen sot në brigjet e vendit vijnë nga kjo katastrofë, pasi në ujërat e Sri Lankës kanë ndodhur edhe derdhje të tjera të konsiderueshme të këtyre materialeve.
Përfaqësuesi i kompanisë shton se “X-Press Feeders” nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës së Lartë të Sri Lankës dhe se nuk mund ta paguajë shumën e kërkuar, pasi vendimi mbështetet tërësisht në vlerësimet e Autoritetit për Mbrojtjen e Mjedisit Detar të Sri Lankës, të cilat, sipas kompanisë, janë kundërshtuar nga ekspertë ndërkombëtarë.
Ai thekson gjithashtu se gjykata nuk mori parasysh procedurat për dëmshpërblim që janë ende në zhvillim në Singapor, të nisura nga vetë qeveria e Sri Lankës.
Qeveria e Sri Lankës dhe kompania e sigurimeve “London P&I” nuk iu përgjigjën kërkesave të The Guardian për koment.