Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Për partizanët e mëhallës së Androklikostallarëve dhe të hatërmbeturve revanshistë

Gjuha shqipe ka nevojë të domosdoshme, sikurse gjuhët e tjera, të vazhdojë me reformimin e saj, pa u penguar nga revanshet e lartpërmendura. Revanshet dhe mohimet e standardit, nga njëra anë, dhe revanshet dhe mohimet ndaj reformës gjuhësore, nga ana tjetër, janë të rrezikshme për kombin tonë. Lum një komb si shqiptarët që mund të kuptohen edhe në të folmet e tyre, edhe në dialektet e tyre cep me cep të trojeve të veta, gjë të cilën nuk mund ta bëjnë italianët e gjermanët pa përdorimin e standardeve gjuhësore të tyre

Gjuha që e flasin shqiptarët në trojet etnike të tyre, si çdo gjuhë në botë, i ka dialektet dhe të folmet e veta. Në qoftë se i krahasojmë dy dialektet, gegë dhe toskë, me dialektet e gjuhëve që i flasin popujt më të mëdhenj, për shembull, italianët, me dialektin sicilian dhe dialektin milanez, gjuhësisht (dialektet gegë dhe toskë) mund të konsiderohen nëndialekte të të njëjtit dialekt. Më tutje: Dialekti gegë, që para 1878 ka pasur shtrirje gjuhësore etnike nga Nishi në Serbi e deri në lumin Shkumbin në Elbasan, është i njëjtë me dialektin nën lumin Shkumbin, dialektin toskë, në aspektin morfologjik, sintaksor dhe leksikor. Natyrisht se dallimet janë te pjesa e fonetikës.

Ta thjeshtojmë edhe më shumë: në një vijë ajrore prej mbi 200 kilometrave, nëse e marrim pikën më veriore të Kosovës, deri në Elbasan, është më se e natyrshme që të ketë dallime fonetike, (kryesisht theksimet e fjalëve, por edhe rotacizmi e palatalizimi) pasi që dallimet fonetike (sidomos theksimet) fillojnë të shquhen pothuajse pas çdo 20 kilometrave nga njëri vendbanim në tjetrin. Kështu, dialekti gegë me dialektin toskë fillon të shquhet sidomos në prizmin fonetik.

Ndërkaq, në dy dialektet e gjuhës italiane që i përmendem më lart: dialekti milanez dallon krejtësisht nga dialekti sicilian. Termi “dallim” këtu nënkupton dallime në trajtat e fjalëve po se po, por edhe dallime në leksik, ku një fjalë që emërton ose tregon veprim në dialektin sicilian, krejt ndryshe shkruhet dhe shqiptohet në dialektin milanez. Thënë ndryshe, nëse takohen një milanez dhe një sicilian e nëse flasin ndërmjet vete në dialektet respektive, pothuajse e kanë të pamundur ta kuptojnë njëri-tjetrin, pasi që dialekti milanez dhe dialekti sicilian janë pothuajse krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri. Të dyja këto dialekte i përkasin degëve të ndryshme të familjes së gjuhëve romane dhe janë zhvilluar ndaras përgjatë kohërave për shkak të faktorëve gjeografikë e historikë në Itali. Dialekti milanez flitet në Italinë Veriore, i përket grupit të gjuhëve galo-italike. Ndërkaq dialekti sicilian flitet në Italinë Jugore dhe i përket grupit italo-dalmatin të gjuhëve romane, të ndikuar nga shumë faktorë historikë dhe gjuhësorë: arabik, grek, norman, spanjoll etj. Kjo ka bërë që ndryshimet ndërmjet dialekteve milanez dhe sicilian të përfshijnë çështje të ndryshme, duke filluar nga fjalori (fjalët), shqiptimi, shprehjet idiomatike e deri te ndryshimet e trajtave gramatikore. Me një fjalë, këto dy dialekte janë gati të pakuptueshëm njëri me tjetrin.

Pothuajse njëjtë është edhe me gjuhën gjermane dhe dialektet e saj, që i numëron më shumë se 200 dialekte (jo të folme, por dialekte) regjionale, të diferencuara në katër dialekte të mëdha, të cilat, po ashtu, për shkaqe të rrethanave gjeografike e historike janë shumë të diferencuar nga njëri-tjetri, aq sa e kanë të vështirë të kuptohen ndërmjet vete. Kjo fillon nga ndryshimet në leksik (një fjalë emërton, ose ka kuptim ndryshe në njërin dialekt, që për dialektin tjetër nuk ka kuptim fare), për të vazhduar me ndryshimet morfologjike e deri tek ato sintaksore. Edhe gjuha frënge, edhe pse e kanonizuar në standard më herët se gjuha italiane e gjermane, prapë se prapë dominon me dialekte, të shprehura edhe si gjuhë regjionale. Ndërkaq gjuha angleze, siç dihet, dominon me dialekte regjionale e shtetërore.

Po dialekti gegë e toskë? Të supozojmë se një ditë takohen një shqiptar etnik nga katundi më i largët i Bujanocit në Serbi, me një fshatar, hajde të themi, nga Konispoli i Shqipërisë në kufirin me Greqinë. Të dy mund të kenë qëlluar të jenë të pashkolluar. Ata flasin në dialektet e tyre dhe zhvillojnë biseda të zakonshme për të gjitha temat që janë të barasvlershme për interesimet e të dyve. Pa dyshim se do të kuptohen ndërmjet vete një qind për qind. Përse? Sepse të gjitha fjalët e leksikut janë të njëjta, ose pothuajse të njëjta, edhe format morfologjike pothuajse të njëjta, edhe çështja sintaksore (renditja e fjalëve në fjali) krejt e njëjtë. Dallimi: te fonetika, natyrisht a-ja hundore e fshatarit nga Bujanoci dhe ë-ja e fshatarit nga Konispoli. Në këtë bisedë hyjnë, natyrisht dallimet e theksimeve të fjalëve, bashkë me diftongjet “ue” me “ua” dhe togjet e zanoreve, ndonjë parafjalë “me punue” për mënyrën lidhore “të punoj”, parafjalët “te deti” me “ke deti”, “nana” me “nëna” etj., etj. Shto kësaj ndryshimet në shpejtësinë e të folurit, ligjërimit, ku për shkak të faktorëve gjeografikë, fshatari nga Bujanoci, që ka jetuar dhe jeton në pjesën kontinentale, flet më ngadalë, për dallim nga fshatari i Konispolit, që ka jetuar dhe jeton në arealin gjeografik mesdhetar, e që flet pakëz më shpejt.

Edhe Publikohet Fjalori i madh i shqipes që ndan dy akademitë Kulturë Publikohet Fjalori i madh i shqipes që ndan dy akademitë

Tash, sforcimi i gjoja pakuptueshmërisë së dialekteve tona, si të diferencuara, është jo real, duket të jetë i qëllimshëm dhe dashakeq. Dashakeqe dhe të rrezikshme, madje, herë me vetëdije e herë pavetëdije, me prapavija edhe antishqiptare, shfaqen edhe tendencat për dhe kundër: “Standardi duhet të ndërrohet”, “të folurit e rëndë të malokëve të Veriut”, “gjuhën e folur të diktatorit Enver Hoxha e ka bërë standard njëra palë”, “hegjemonia e 25% toskë mbi 75% gegë”, “mbajtja e një Kongresi të ri të Drejtshkrimit”, “Kongresi i Drejtshkrimit është mbajtur një herë dhe pikë”, “kush flet kundër Kongresit të Drejtshkrimit është tradhtar”, etj., etj.

Të gjitha gjuhët që kanë standardizim ligjor të gjuhës amtare janë zhvilluar nga shumë faktorë: ndikimi intelektual dhe letrar i paraardhësve që kanë shkruar në një dialekt, ndikimi politik, ndikimi kulturor i kohës dhe i rrethanave kur është standardizuar një gjuhë etj. Kështu ka ndodhur edhe me standardin e gjuhës shqipe. Për konfirmim: mirë që ka pasur e ka polemika për procese që kanë të bëjnë me gjuhën e me kulturën tonë. Forma e debatit dhe e polemikave është shenjë e pluralitetit, që i karakterizon edhe shkencat e gjuhëve dhe të popujve të zhvilluar. Pak a shumë vendosja dhe kodifikimi ligjor i standardeve gjuhësore të popujve të tjerë është përcjellë me polemika, kundërshti dhe mohime, por që në fund ka mbizotëruar konsensusi. Vendosja e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 1972 në shtetin e atëhershëm shqiptar ka qenë dhe mbetet një moment i rëndësishëm për zhvillimet e gjithmbarshme të gjuhës, kulturës dhe shkencës, që filloi të zhvillohej me lëndën gjuhësore të kodifikuar dhe të unifikuar për anë e kënd shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë londineze, duke i përfshirë veçanërisht shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera etnike shqiptare të shkapërderdhur nëpër republikat e ish-Jugosllavisë.

Jashtëzakonisht konstruktivë dhe largpamës u treguan gjuhëtarët e trevave etnike shqiptare të ish-Jugosllavisë, të mbledhur rreth institucioneve shkencore të kohës në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. Me mbajtjen e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës në vitin 1968 dominoi pikëpamja “Një komb-një gjuhë letrare kombëtare”. Prandaj delegatët që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë (1972) pas katër vjetësh apriori vetëm u pajtuan me ato që tashmë ishin vendosur nga gjuhëtarët e Shqipërisë londineze. Për rrethanat e kohës, ky veprim i gjuhëtarëve dhe studiuesve shqiptarë të ish-Jugosllavisë ishte i qëlluar, largpamës, e pse jo edhe atdhetar. Rrethanat e kohës sikur nuk kanë mundësuar diç më shumë për ta. As polemika, as argumente. Shikuar nga kjo distancë kohore, mirë që nuk kanë polemizuar edhe nëse kanë pasur mundësi. Veprimi i tyre kuptohet si vendim i drejtë dhe i domosdoshëm edhe pas kalimit të shumë dekadave. Pa dyshim se interesi nacional mbarëkombëtar i ka lënë nën hije disa çështje dhe argumente që mund të ishin trajtuar në rrafshin shkencor. Por rrethanat nuk kanë premtuar më shumë se aq. Në kuptimin metaforik veprimi i gjuhëtarëve dhe studiuesve jashtë Shqipërisë londineze në Kongresin e Drejtshkrimit ngjan me rrëfimin e Dhiatës së Vjetër për drejtësinë e Solomonit, ku nëna biologjike nuk dëshiron që Solomoni ta ndajë me shpatë në dy pjesë (ta vrasë) foshnjën e saj, pa çka se atë e pretendon si të sajën një grua tjetër... Por, ndryshon puna për gjuhëtarët e Shqipërisë londineze. Nuk ka dyshim se e treguan grykësinë e tyre ideologjike, regjionale etj., etj., edhe pse duhet vendosur gjithsesi në prizmin e kohës. Nuk do koment se elita politike e kohës e kishte mbivendosur kushtin e standardizimit gjuhësor 27 vjet më parë. Partizanët e mëhallës së Androklikostallarëve me hile e rrahin telin se bazat e drejtshkrimit janë vendosur ekskluzivisht në fakte shkencore. Edhe atëherë e sidomos pas rënies së komunizmit vazhdimisht mundohen të argumentojnë se toskërishtja si dialekt kishte gjendje më të avancuar të shkrimit dhe të kohezionit të shkrimit të variantit parastandard. Megjithatë, pa revansh, pa hile e pa hatërmbetje, për hir të së vërtetës, duhet argumentuar se kjo nuk ka qenë e vërtetë, së paku deri në vitin 1945. Pa hyrë në analiza dhe krahasime të letërsisë së viteve të tridhjeta që është zhvilluar në dialekte nga Shkodra e deri në Korçë e Sarandë. Të lexohet, për shembull, Statuti Themeltar i Republikës Shqiptare të vitit 1925. Është viti i shpalljes së Mbretërisë Shqiptare në krye me Ahmet Zogun me origjinë nga Mati i Shqipërisë. Artikulli i parë i dispozitës së përgjithshme shkruhet gjuhësisht:

“Shqipnija asht Republikë Parlamentare e Kryesueme prej nji kryetari. Sovraniteti buron prej popullit”.

Ndërkaq, artikulli i parë i dispozitës së përgjithshme të Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë në vitin 1946, kuptohet nën regjimin komunist në krye me Hoxhën nga Gjirokastra, shkruhet gjuhësisht:

“Shqipëria është një republikë popullore, ku i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit”.

Edhe Shqipja sot – reflekse rreth “krizës” në gjuhë Shtojca për Kulturë Shqipja sot – reflekse rreth “krizës” në gjuhë

Kaq sa për opinionin e përgjithshëm të mëhallës së Androklikostallarëve, se standardi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe në vitin 1972 i ka marrë për bazë krejtësisht vetëm arsyet shkencore e gjuhësore për mbivendosjen e një standardi në normë të gjuhës standarde.

Në shekullin XIX e deri në vitet e para pas Pavarësisë së Shqipërisë, rilindësit shqiptarë, pa dallime krahine e ideologjie, e patën potencuar se kurdo që do të krijoheshin rrethanat politike e kulturore të sendërtohej standardi i gjuhës shqipe, bazuar në të folmen ku shkrihen dy dialektet: elbasanishten. Duhet përmendur, për korrektësi historike se, gjuhëtarët e Shqipërisë londineze, e në prapavijë edhe krerët e diktaturës komuniste, kanë mundur ta përligjnin amanetin e rilindësve tanë, për t’i kontribuar një herë e përgjithmonë kohezionit etnik mbarë shqiptar në dekadat e ardhshme. Dhe i kanë pasur të gjitha mundësitë dhe mekanizmat nën pushtetin e tyre. Por nuk e bënë. Megjithatë, Kongresi i Drejtshkrimit mbetet një akt i rëndësishëm shkencor, gjuhësor, kombëtar dhe historik. Por, kjo nuk nënkupton se duhet bërë betonizimi i Kongresit të Drejtshkrimit. Kurrsesi. Shikojini gjuhët e popujve evropianë. Ata bëjnë reforma gjuhësore. Çka nënkupton reforma gjuhësore për gjuhët standarde të anglishtes, gjermanishtes, italishtes, portugalishtes etj.? Reformë gjuhësore nënkuptohet thjeshtëzimi i shkrimit, thjeshtëzimi i shqiptimit, thjeshtëzimi i sintaksës, pasurimi i fjalorit dhe fjalëformimi. Gjuha është një akt i gjallë i ligjërimit që evoluon bashkë me proceset e gjithmbarshme që e karakterizojnë zhvillimin e njerëzimit. Në këtë rast, gjuha shqipe ka nevojë të domosdoshme, sikurse gjuhët e tjera, të vazhdojë me reformimin e saj, pa u penguar nga revanshet e lartpërmendura. Revanshet dhe mohimet e standardit, nga njëra anë, dhe revanshet dhe mohimet ndaj reformës gjuhësore, nga ana tjetër, janë të rrezikshme për kombin tonë. Lum një komb si shqiptarët që mund të kuptohen edhe në të folmet e tyre, edhe në dialektet e tyre cep me cep të trojeve të veta, gjë të cilën nuk mund ta bëjnë italianët e gjermanët pa përdorimin e standardeve gjuhësore të tyre. E standardi i gjuhës shqipe është dhe duhet të mbetet përgjithmonë, se një gjuhë pa rregulla të shkrimit për civilizimet e sotme nuk është gjuhë, por e folur me audiencë të kufizuar komunikimi e destinuar të rrudhet e të shkërmoqet brenda pak kohe. Reforma? Po si jo, në avancim të standardit të gjuhës shqipe, në avancim të kohezionit social e nacional, ashtu siç bëjnë reforma gjuhësore shtetet e tjera. Por, natyrisht e para se gjithash në kohën kur ka vullnet politik e pjekuri shkencore nga etnitetet shtetërore të shqiptarëve...