Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Brian Joseph: Mbijetesa e dialekteve – thelbësore për ta kuptuar historinë e shqipes

brian joseph

“Një nga aspektet më të pafat të modernizimit dhe jetës moderne është se media masive, pavarësisht faktit që është e vlefshme, dhe unë e pranoj këtë, i vë dialektet në një pozicion shumë të vështirë. Është e lehtë për ne si shkencëtarë të themi se dëshirojmë që këto gjuhë, këto dialekte të ruheshin, por për folësit e këtyre dialekteve, ata thonë: ‘Mirë por dua që fëmijët e mi të kenë sukses’” (Foto: Driton Paçarada)

”Mbijetesa e dialekteve është absolutisht thelbësore për ta kuptuar historinë e shqipes dhe të çdo gjuhe. Rëndësia e provave është e madhe. Dhe, sado i vlefshëm të jetë standardizimi i gjuhës për komunikimin masiv, dialektet, shumë prej tyre, janë të rrezikuara për shkak të ndikimit nga gjuha standarde dhe gjithashtu ndikimit nga kultura moderne...”, thotë gjuhëtari i njohur amerikan Brian Joseph, në pjesën e dytë të intervistës për KOHËN. Ai flet edhe për peizazhin e gjuhëve në Perandorinë Osmane, për ilirishten, për folësit albanoidë dhe krijimin e rumanishtes, për “nacionalizmin” e shqiptarëve në lidhje me gjuhën dhe pyetjen e madhe të shqipes

Vijon nga numri i kaluar i Shtojcës për kulturë

Kur pyetet nëse shqipja mund të ndihmojë në rindërtimin e një pjese të historisë së Ballkanit që nuk është dokumentuar në burimet historike, përgjigja e gjuhëtarit të shquar amerikan Brian Joseph, profesor emeritus në Universitetin e Ohios, është e prerë. “Po. Kontaktet na tregojnë se shqiptarët po flisnin me popuj të tjerë në Ballkan dhe ata po flisnin me shqiptarët”, thotë ai. Në pjesën e dytë të intervistës, Joseph flet për peizazhin e gjuhëve në Perandorinë Osmane, për ilirishten dhe për rrezikimin e dialekteve. ”Mbijetesa e dialekteve është absolutisht thelbësore për ta kuptuar historinë e shqipes dhe të çdo gjuhe. Rëndësia e provave është e madhe. Dhe, sado i vlefshëm të jetë standardizimi i gjuhës për komunikimin masiv, dialektet, shumë prej tyre, janë të rrezikuara për shkak të ndikimit nga gjuha standarde dhe gjithashtu ndikimit nga kultura moderne, siç shprehet përmes gjuhëve si italishtja, frëngjishtja dhe anglishtja, veçanërisht në periudha paksa të ndryshme kohore në 200 vjetët e fundit”, thotë Joseph,  njëri prej emrave kryesorë të edicionit të 44-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

KOHA: Një nga problemet më të mëdha për historinë e shqiptarëve është mungesa e burimeve të shkruara të shqipes për periudhat e hershme, para shekullit të 16-të. Sa larg mund të shkojmë në histori vetëm nëpërmjet gjuhës? Me fjalë të tjera, çfarë mund të na tregojë shqipja për historinë e shqiptarëve?

Joseph: Është pyetje për të cilën shqiptarët janë shumë të interesuar, me të drejtë. Ka shumë gjëra që mund të supozojmë bazuar në provat gjuhësore. Më parë aluduam për provat që mund të lidhin në një nivel më të largët greqishten dhe shqipen, disa nga zhvillimet e ngjashme ose tiparet e ngjashme që gjejmë. Për shembull, si greqishtja ashtu edhe shqipja kanë një formë të foljes që gjuhëtarët e quajnë joaktive. Janë format siç është “quhem” për “më thërrasin”. Kështu që nuk është veprim aktiv, por më tepër pasiv në natyrë dhe greqishtja gjithashtu ka atë lloj formimi në folje, por si në greqisht ashtu edhe në shqip dhe kështu ndodh edhe te gjuhët e tjera. Por në greqisht dhe shqip, ne kemi, në vend të një mënyre shumëfjalëshe për ta thënë atë, siç thua në anglisht: “Unë e quaj veten time”, ose “Unë quhem“, me dy fjalë të ndryshme së bashku që formojnë ndërtimin. Në shqip dhe greqisht, është ajo që gjuhëtarët e quajnë një formë sintetike, një formë e vetme e foljes, një fjalë jep të gjithë atë informacion. Pra, edhe pse mund ta izolojmë si dhënie të vlerës joaktive, por nuk është një fjalë e veçantë. Është disi e sintetizuar në vetë formën e foljes. Dhe greqishtja e shqipja janë të pazakonta brenda familjes indoevropiane duke pasur ende sot atë lloj forme sintetike joaktive. Pra, zhvillime të tilla sugjerojnë që greqishtja dhe shqipja kanë një lloj lidhjeje më të thellë prehistorike. Kjo na tregon se ka karakteristika që lidhin greqishten dhe shqipen në mënyra që janë të ndryshme nga provat e fjalës së huazuar, si fjala “lakër” që përmenda më parë. Kjo është një fjalë e huazuar. Ky është një zhvillim historik, sigurisht, por është i ndryshëm në karakter nga ngjashmëria e formës së foljes për të cilën po flisja, e cila lidh greqishten dhe shqipen në mënyra që nuk janë çështje huazimi nëpër gjuhë, por më tepër trashëgimi e përbashkët. Dhe ka edhe karakteristika të tjera si kjo që lidhin greqishten dhe shqipen. Është e ndërlikuar sepse duhet të bëjmë dallimin midis karakteristikave që janë trashëguar nga ato që përfaqësojnë inovacione të përbashkëta, ndryshime larg pikës së fillimit. Dhe nëse ka inovacione të përbashkëta, karakteristika të përbashkëta që ndryshojnë nga ajo që rindërtojmë si pikënisje, kjo mund të jetë provë për një marrëdhënieje të veçantë në një nivel më të thellë. Ajo që e bën shqipen disi interesante, por edhe sfiduese është se ka forma që përputhen në gjuhë të ndryshme me gjuhë të tjera ballkanike, veçanërisht me rumanisht, gjuhë romane ballkanike, të cilat nuk gjenden diku tjetër në familjen indoevropiane. Kështu në ligjëratën time në Seminar përmenda fjalën “moshë” në shqip dhe “moș” në rumanisht. Si këto mund të ketë rreth 70 fjalë që nuk janë çështje trashëgimie e drejtpërdrejtë nga proto-indoevropiane, por megjithatë janë të ngjashme në këto dy gjuhë të ndryshme, shqipe dhe rumanishte. Dhe kjo sugjeron që folësit e shqipes ose folësit parashqiptarë –  është e vështirë të dish se cila është terminologjia më e mirë – por kur flasim për gjuhën në një thellësi kaq të madhe kohore, nuk është shqipe në kuptimin modern, por është gjuha që u zhvillua në shqipe dhe gjuha që u zhvillua në rumanisht duhet të kenë ndarë disi, duhet të kenë pasur një ndërveprim me njëra-tjetrën. Ndoshta i njëjti grup folësish, çfarëdo që të ketë qenë ai. Eric Hampi pëlqente ta përdorte termin “Albanoid” si një mënyrë për ta etiketuar atë. Por ky nuk është një term shumë i popullarizuar. Është një situatë e vështirë për t’u ditur. Terminologjia nuk është aq e saktë sa duhet të jetë zakonisht. Por këto rreth 70 fjalë midis shqipes dhe rumanishtes sugjerojnë se kishte një pikënisje të përbashkët që në fund të fundit i dha jetë rumanishtes. Ne e dimë që rumanishtja është një gjuhë me origjinë nga latinishtja. Pra, disi, sipas termave të Eric Hamp, folësit albinoidë kaluan në latinisht, dhe kjo krijoi rumanishten. Dhe folësit albinoidë që nuk kaluan në latinisht e bënë shqipen që njohim sot. Pra, është një zhvillim historik i ndërlikuar. Në pikëpamjen e popullarizuar te shqiptarët flitet shumë për ilirishten. Dhe aspekti i ndërlikuar dhe i vështirë në lidhje me ilirishten nga pikëpamja gjuhësore është se kemi shumë pak prova. Ka dy fjalë në latinisht që thuhet se janë ilire, por ne nuk e dimë se çfarë do të thoshte ilirishtja për romakët. Ishte një masë e madhe tokësore, dhe a është ky ndonjë dialekt specifik i ilirishtes? Pra, kemi dy fjalë. Fjala “thikë” në shqip që në latinisht është “sica”. Thuhet se është një fjalë ilire, por ne nuk e dimë saktësisht. Nuk është se “sica” përfaqëson fjalën ilire drejtpërdrejt, sepse ndonjëherë me huazim forma e fjalës mund të ndryshojë disi. Patëm rastin me lakër në shqip e greqisht. “Sica”, ndoshta ishte, thuhet se është një fjalë ilire. Pra në Ballkanin Qendror kemi lokalitete arkeologjike ilire por shkëmbinjtë nuk na tregojnë se si flitej e si i thoshin asaj apo kësaj. Dhe kështu nuk jemi në gjendje të verifikojmë me anë të provave gjuhësore se cili ishte kontributi i ilirishtes në zhvillimin e shqipes. E njëjta gjë vlen edhe për pellazgishten, siç është përmendur shumë, si një pikënisje e mundshme për shqipen në kohërat parahistorike. Por përsëri, nuk e dimë saktësisht se çfarë do të thotë kjo, dhe është e vështirë të përputhen provat, të cilat bazohen kryesisht në fjalë greke që nuk ndjekin rrugët e rregullta të zhvillimit për fjalët greke nga indoevropiane. Thuhet se janë në gjuhën pellazge, por përsëri, nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo. Dua të them, kushdo është i lirë ta interpretojë këtë sipas dëshirës, por nuk është e qartë se çfarë kuptimi ka pastaj në linguistikë.

“Nacionalizmi” i shqiptarëve në lidhje me gjuhën

KOHA: A mund të na ndihmojë shqipja të rindërtojmë një pjesë të historisë së Ballkanit që nuk është dokumentuar në burimet historike? Për shembull, a mund të gjurmojmë përmes gjuhës kontaktet e popullsive të lashta që nuk kanë lënë dokumente të mjaftueshme?

Joseph: Po. Kontaktet na tregojnë se shqiptarët po flisnin me popuj të tjerë në Ballkan dhe ata po flisnin me shqiptarët. Pra, duhet të ketë pasur, dhe kemi disa përmendje në burimet historike, përmendje gjuhësh ose popujsh, panonianët, për shembull, ose trakët. Në rastin e trakishtes, kemi pak prova gjuhësore. Ekziston një mbishkrim i konsiderueshëm, por është shumë e vështirë ta interpretosh dhe të dish saktësisht se çfarë na tregon për parahistorinë. Pra, çfarë shqipeje, është e vështirë të argumentosh se shqipja është gjuha qendrore më e rëndësishme në Ballkan. Ne pëlqejmë të mendojmë se të gjitha gjuhët ishin të rëndësishme në aspekte të ndryshme. Pra, aspektet e historisë së Ballkanit që mund t’i mësojmë vetëm nga shqipja, nuk janë aq të qarta. Por ne e dimë se, siç e kam thënë, njerëzit flisnin me njëri-tjetrin, dhe kjo do të thotë se shumëgjuhësia që shohim në Ballkanin modern është ndoshta e ngjashme, në disa aspekte, me shumëgjuhësinë në kohërat parahistorike. Dhe problemi është se nuk kemi gamën e plotë të provave për parahistorinë. Ne marrim pamje të shkurtra, vetëm një dritare të vogël. Por mua dhe Victor Friedmanit na pëlqen ta mendojmë periudhën osmane si vërtet mjaft vendimtare për formimin e zonës së konvergjencës ballkanike, e cila shpesh quhet “Sprachbund” duke përdorur fjalën gjermane. Ne tërheqim vëmendjen te stabiliteti relativ në Ballkan gjatë periudhës osmane që vërtet lejoi ndërveprim se përndryshe mund të ishte i vështirë. Me një “tezkere” të vetme, që është një fjalë turke për një dokument udhëtimi, mund të udhëtonit nga Ballkani verior nëpër Ballkanin qendror dhe jugor dhe në Turqi, një zonë të madhe. Kështu që, dhe ne e dimë se njerëzit, tregtarët si dhe të tjerët i përdornin dokumentet e udhëtimit. Pra, ne e dimë se pati shumë lëvizje në Ballkan, por në një mjedis relativisht të sigurt. Turqit bënë disa, dua të them, ata shkatërruan disa kisha, dhe nuk po përpiqem të jem dikush që i shfajëson ata, por kishte një shkallë më të madhe stabiliteti në fshatra të paktën gjatë periudhës osmane. Dhe madje edhe në qytetet më të mëdha. Dhe kjo inkurajoi ndërveprimin midis folësve dhe për këtë arsye inkurajoi një situatë shumëgjuhëshe, ju e dini gjuhën time, unë e njoh gjuhën tuaj në shkallë të ndryshme, por ne mund ta përdorim atë si një pikënisje për ndërveprim bisedor. Dhe unë mund ta përshtat përdorimin tim të gjuhës sime në një drejtim që mendoj se do ta bëjë më të lehtë për ju ta kuptoni. Dhe ju mund të bëni të njëjtën gjë me gjuhën tuaj. Dhe kështu arrijmë këtë lloj konvergjence të ndërsjellë që çon në atë që përmenda më parë nga Jernej Kopitar, tre gjuhë por një gramatikë të përafërt.

KOHA: Po përmendni të gjitha këto kontakte, përfshirë edhe Perandorinë Osmane që ishte këtu për pesë shekuj dhe kur e dimë që shqiptarët janë popull i vogël në Evropë, si mbijetoi gjuha shqipe me gjithë këtë mungesë të historisë së shkruar? Si mund ta shpjegojmë këtë?

Joseph: Në kohët moderne, jemi bërë shumë të varur nga shkrimi dhe nga shkrim-leximi. Por e dimë se sot ka shumë, shumë gjuhë që nuk janë të shkruara, që kanë tradita të gjata gojore. Kemi poemat e lashta indoevropiane dhe mund ta quajmë tekst në një kuptim të gjerë, jo tekst të shkruar, por tekst poetik. E dimë se ishin poema, ta zëmë eposi homerik që është popullor tani për shkak të filmit “Odiseu” të Christopher Nolanit. Por eposi homerik u shkrua shumë vonë pas krijimit ose të themi kompozimit. E dimë se sanskritishtja, letërsia më e vjetër sanskrite, janë Himnet e Rigvedas, të cilat janë thelbësore për hinduizmin. Dhe ato u transmetuan gojarisht nga brezi në brez për mijëra vjet para se të shkruheshin ndonjëherë. Pra, traditat gojore janë vërtet shumë të rëndësishme në çdo gjuhë, por ne e shohim veçanërisht si pjesë të poetikës indoevropiane. Kur shtrohet pyetja se si mund të ketë mbijetuar gjuha, mund të themi sepse ka pasur folës brez pas brezi dhe transmetimi i gjuhës është përcjellë brez pas brezi dhe në një aksident historik filloi të shkruhej. Izolimi i folësve të gjuhës së heshtur, veçanërisht në zonat malore në veri të Shqipërisë dhe në Ballkanin qendror, mund të ketë luajtur gjithashtu një rol. Por shumë nga mbijetesa e gjuhëve dhe të ngjashme varet pjesërisht nga aksidentet e historisë, si dhe nga mungesa e kolonializimit, përveç hyrjes së sllavëve dhe më pas hyrjes së turqve, të cilët ishin një lloj kolonizimi i ndryshëm nga ajo që pamë me kolonizimin evropian, evropiano-perëndimor në pjesë të tjera të botës. Kjo ishte me të vërtetë një bazë që gjuha të ruhej thjesht nga kalimi i gjuhës prej brezi në brez. Kështu transmetohen gjuhët në të vërtetë me kalimin e kohës. Pra, është përmes të mësuarit brez pas brezi dhe ndërveprimeve brez pas brezi. Jemi me fat me shqipen dhe e dimë që ka edhe gjuhë të tjera indoevropiane që në një farë mënyre janë potencialisht po aq të rëndësishme për të kuptuar pamjen e madhe të familjes gjuhësore. Por ne e dimë që kishte shumë komunitete trake dhe folës trakë në pjesët lindore të asaj që tani është Greqia dhe në Bullgari gjithashtu. Por ne nuk dimë shumë për gjuhën. Dhe nëse nuk ka ndonjë gjetje fatlume të mbishkrimeve ose të ngjashme, nuk do të jemi kurrë në gjendje të dimë më shumë rreth saj. E njëjta gjë është e vërtetë në një mënyrë paksa të ndryshme për një gjuhë si frigjishten, e cila ndoshta është folur në Ballkan në kohët e lashta, por ne e dimë nga mbishkrimet në qendër, ajo që tani është Turqia qendrore në Anadoll. Dhe në atë rast, kemi shumë mbishkrime, por të gjitha janë të varrosura në varre. Pra, në thelb të gjitha thonë të njëjtën gjë. Dhe për këtë arsye, ne e dimë se nuk dimë aq shumë për gjuhën sa do të dimë nëse do të kishim të njëjtën sasi materialesh të shkruara. Pra, mund të përdorim metodologjinë gjuhësore të llojit për të cilin kam folur për të zgjeruar kuptimin tonë edhe kur nuk kemi të dhëna të shkruara. Por të dhënat e shkruara ndihmojnë shumë. Jemi shumë me fat që shqiptarët ishin shumë të shkathët dhe shumë nacionalistë në një mënyrë të mirë në lidhje me gjuhën e tyre. Fakti që fjala shqipe për shqipen është shqip na tregon diçka për mënyrën se si e shihnin veten shqiptarët, sepse ndoshta vjen nga një fjalë që do të thotë të flasësh qartë. Ne kemi foljen “shqiptoj”, të shqiptosh fjalët saktë ose në mënyrë të kuptueshme. Dhe fakti që shqiptarët e quanin veten folës të qartë është një tregues se ata kishin një lloj ndjenje të vetvetes si grup. Dhe mendoj se ajo ndjenjë e vetvetes, vetja në grup, kontribuoi në ruajtjen e gjuhës së bashku me, siç thashë, edhe gjeografinë që luajti një rol.

KOHA: Më herët përmendët dialektet dhe rolin e tyre. Por ta sqarojmë pak më gjerësisht: Sa e rëndësishme është ruajtja e dialekteve të shqipes për studimin e historisë së gjuhës? A mund të humbasim prova të rëndësishme rreth së kaluarës së shqipes nëse dialektet dhe varietetet e saj lokale zhduken?

Edhe Brian Joseph: Shqipja, një prej gjuhëve kyç për kontaktin gjuhësor në Ballkan Shtojca për Kulturë Brian Joseph: Shqipja, një prej gjuhëve kyç për kontaktin gjuhësor në Ballkan

Joseph: Po, mbijetesa e dialekteve është absolutisht thelbësore për të kuptuar historinë e shqipes dhe të çdo gjuhe. Rëndësia e provave është e madhe. Dhe, sado i vlefshëm të jetë standardizimi i gjuhës për komunikimin masiv, dialektet, shumë prej tyre, janë të rrezikuara për shkak të ndikimit nga gjuha standarde dhe gjithashtu ndikimit nga kultura moderne, siç shprehet përmes gjuhëve si italishtja, frëngjishtja dhe anglishtja, veçanërisht në periudha paksa të ndryshme kohore në 200 vjetët e fundit. Pra, po, dialektet janë kritike për kuptimin gjuhësor. Duke supozuar se të gjitha dialektet erdhën nga një pikënisje e përbashkët për sa i përket shqipes, kemi të njëjtën situatë si me proto-indoevropiane duke dhënë rreth 10 degë të ndryshme të familjes. Kemi shqipen, mund ta quajmë, mund të flasim për një proto-shqipe që i dha jetë të gjitha dialekteve rajonale, si dhe asaj që përfundimisht u zhvillua në gjuhën standarde. Pra, po, dialektet janë thelbësore dhe një nga aspektet më të pafat të modernizimit dhe jetës moderne është se media masive, pavarësisht faktit që është e vlefshme, dhe unë e pranoj këtë, i vë dialektet në një pozicion shumë të vështirë. Është e lehtë për ne si shkencëtarë të themi se dëshirojmë që këto gjuhë, këto dialekte të ruheshin, por për folësit e këtyre dialekteve, ata thonë: ‘Mirë por dua që fëmijët e mi të kenë sukses’. Si do të kenë sukses nëse flasin një larmi që askush nuk e kupton? Dhe ata duhet, që të bëjnë përparim në botën moderne, të dinë gjuhën standarde. Ata duhet të dinë anglisht. Ata duhet të dinë gjermanisht dhe frëngjisht e kështu me radhë. Pra, kush jemi ne si gjuhëtarë që të themi se duhet ta ruani dialektin tuaj? Është për të ardhur keq, por mund të jetë thjesht mënyra e botës për të cilën nuk mund të bëjmë asgjë. Pra, dialektet janë absolutisht kritike. Do të doja t’i ruanim ato por deri në një farë mase, duhet të jemi të sinqertë në raport me situatën moderne. Kjo nuk do të thotë që thjesht duhet të dorëzohemi. Dhe ka shumë zona ku ripohohet rëndësia e dialekteve. Për dialektet e greqishtes që fliten në Italinë jugore, ka një grup shumë të përkushtuar folësish të rinj që thonë: ‘Dua ta ruaj gjuhën time’. Mendoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për folësit arbëreshë të shqipes, se ka një ndërgjegjësim më të madh për rëndësinë e diversitetit dialektual e të tjera të ngjashme. Pra, mund të ketë një mënyrë për të luftuar luftën kundër forcave të modernizimit dhe standardizimit.

Pyetja e madhe e shqipes

KOHA: Pas gjithë viteve tuaja të studimit të gjuhëve të Ballkanit, çfarë mendoni se është ende pyetja më e madhe e pazgjidhur për gjuhën shqipe? Dhe nëse një brez i ri studiuesish do të duhej të zgjidhte një problem të shqipes, cili do të ishte ai?

Joseph: O Zot i madh. Në një shkallë të gjerë, pyetjet që keni bërë në lidhje me parahistorinë e shqipes dhe nga erdhën shqiptarët në një kuptim më të përgjithshëm, ose kush janë shqiptarët e shqipja e së kaluarës së largët, janë pyetje kyç që kanë rëndësi për folësit e shqipes, për imazhin e tyre si shqiptarë. Provat gjuhësore janë të vështira për t’u interpretuar. Por kjo është një lloj pyetjeje kyç së cilës do të ishte fantastike të mund t’i përgjigjeshim. Ekzistojnë gjithashtu një numër detajesh shumë specifike në lidhje me zhvillimin e shqipes. Përmenda zhvillimin e “s” në “gj”. Kam menduar për këtë për një kohë të gjatë dhe nuk i kuptoj të gjithë hapat që kanë çuar nga një “s” në një “gj”. Por është aty. Dua të them, metodologjia jonë na tregon se kjo duhet të ketë ndodhur. Dhe si ndodhi? Kjo është një pyetje e hapur. Kjo është më pak e rëndësishme në shkallën e madhe të gjërave, në skemën e madhe të gjërave nga burimi historik ose prehistorik i popullit shqiptar. Por nga një këndvështrim gjuhësor, është një detaj po aq i çuditshëm.

KOHA: Faleminderit shumë, profesor!

Joseph: Ju faleminderit. Ishte interesante ta bëjmë këtë bisedë.