OpEd

Odiseja e paevitueshme e Kosovës

Shteti i Kosovës, sikurse çdo tjetër përpara tij, ka zbarkuar në një odise. Në odisenë e njohjes së vetvetes përmes një qasjeje më unilaterale të ushtrimit të pushtetit në veriun e vendit. Shteti i Kosovës do të përfitojë si nga suksesi ashtu edhe dështimi i kësaj odiseje. Në rast të suksesit, Kosova do t’i shtyjë kufijtë e sovranitetit të saj, e në rast të dështimit, do ta pensionojmë një qasje tjetër të bankrotuar politike

Që nga lindja e shtetit të Kosovës, shteti ynë është ballafaquar me dilemën me të cilën është ballafaquar çdo shtet i ri: ku janë kufijtë e pushtetit tim? 

Përgjigjen në këtë pyetje, shtetet nuk e kanë gjetur nëpër libra të historisë apo në debate pedante akademike, por përmes ndërmarrjes së odiseve politike dhe dyndjeve të mëdha, të cilat kanë rezultuar të jenë suksese historike apo dështime spektakolare. Në cilindo rast, shtetet kanë mësuar diçka të re për veten e tyre, si dhe për kufijtë dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit. 

SHBA-ja ka filluar si koloni e një superfuqie botërore vetëm për ta mposhtur po atë fuqi. Në lindjen e saj, SHBA-ja pati territor prej 1 milion kilometrash katror dhe vendosi që ky është vetëm fillimi i pushtetit të tij. Kësisoj, shumë shpejt, me Traktatin e Parisit territori i SHBA-së do të dyfishohej. Dhe kështu, SHBA-ja do të vazhdojë për një shekull të tërë, duke i lëvizur kufijtë e pushtetit të tij deri në arritjen e kufijve të saj modern prej afro 10 milionë kilometrash katrorë. Pra, në kohëzgjatjen e një shekulli, territori dhe pushteti i SHBA-së u dhjetëfishua. E gjithë kjo u arrit përmes një kombinimi të përdorimit të diplomacisë, të financave dhe të forcës ushtarake. Siç e dimë, ky ishte vetëm fillimi i testimit të kufijve të pushtetit të shtetit ri amerikan. Shumë shpejt, SHBA-ja do të lundrojë përtej kontinentit të tij, duke e arritur statusin e superfuqisë globale. Përgjatë këtij rrugëtimi, SHBA-ja do të bëjë edhe gabime dhe në kuadër të këtyre gabimeve do ta njohë vetveten edhe më mirë. Por jo të gjitha odisetë e kërkimit të përgjigjes mbi kufijtë e pushtetit kanë pasur epilog të gëzueshëm. Disa prej tyre kanë përfunduar në dështime spektakolare dhe me tragjedi për njerëzimin. Dy herë, shteti i ri dhe i unifikuar gjerman ka vendosur t’i testojë kufijtë e pushtetit të tij, duke marrë me vete 100 milionë viktima. 

Me këta shembuj ekstremë të suksesit dhe dështimit të shteteve të reja, të cilat zbarkojnë në odisenë e kërkimit të përgjigjes për kufijtë e pushtetit të tyre, dua të them që është krejtësisht e natyrshme dhe normale për shtetet e reja që ta gjejnë veten në territore të panjohura të ushtrimit të pushtetit të tyre. Kësisoj, Kosova nuk është rast përjashtues. Që nga lindja e tij, pushteti i Kosovës është testuar në veçanti në veriun e vendit. Me kalimin e kohës, establishmenti tradicional politik i Kosovës ka vendosur që mënyra më e mirë për të ushtruar pushtet në veri është përmes dialogut dhe jo përmes akteve unilaterale. Natyrisht, ka pasur episode të caktuara të devijimit nga ky parim, sikur aksionet për pikën 1 dhe 31, apo vendosja e tarifës 100%, por këto ishin përjashtimet që e konfirmonin rregullin. Me kalimin e kohës dhe me durimin e lidershipit kosovar, kjo qasje u duk që po jepte rezultatet e saj. Pushteti i Kosovës ngadalë u shtri në veriun e vendit. Serbët lokalë nisën ta pranojnë jetën përbrenda institucioneve të Kosovës, ndërsa situata e sigurisë dalëngadalë po futej nën kontroll. 

Por e gjithë kjo qe shumë e ngadaltë për qytetarët e Kosovës, të cilëve u mbaronte shpejt durimi. Barrikadat e dhunshme dhe vizitat e zyrtarëve serbë në veri shërbenin si rikujtim i shpeshtë i jonomalitetit në veri. Në veçanti, durimi i qytetarëve për dialog po mbaronte kur atyre iu prezantua se ekziston një rrugë tjetër dhe e shpejtë e shtrirjes së pushtetit në veri. Personifikimi i kësaj rruge tjetër ishte Albin Kurti. 

Kurti me mjeshtri i bindi qytetarët e Kosovës se veriu nuk ishte faj i dinamikave komplekse politike dhe ndërkombëtare, por i politikanëve tanë lokalë. Këtë narracion filluan ta besojnë shumica e qytetarëve të Kosovës. Kësisoj Kurti erdhi në pushtet. 

Që nga ardhja në pushtet, Kurti, ndryshe nga paraardhësit e tij, ka vendosur t’i shtyjë kufijtë e pushtetit të Kosovës në veri përmes akteve unilaterale. “A me koordinim, a pa koordinim”, u bë refren i kësaj qasjeje. 

Pas një mandati të plotë, edhe kundërshtarët më të ashpër të Kurtit e pranojnë suksesin e tij në veriun e vendit. Ajo në çfarë ata dyshojnë – së bashku me një pjesë të madhe të shoqërisë – është se a është ky sukses i qëndrueshëm? Ky sukses ka ardhur me një kosto të konsiderueshme të çrregullimit të marrëdhënieve me aleatët e Kosovës. BE-ja i pezulloi rrugën integruese të Kosovës dhe fondet evropiane, ndërsa SHBA-ja në vazhdimësi e kritikoi qasjen e Kurtit. Së fundi, SHBA-ja e pezulloi edhe Dialogun Strategjik me Kosovën. Të gjitha këto masa Vuçiqi i ka quajtur qesharake dhe lojë e Perëndimit, duke insinuar se përderisa Perëndimi publikisht e kritikon Kurtin, praktikisht është duke e mbështetur atë, pasi që refuzon të marrë masat më të ashpra ndaj tij.

Cilado që është e vërteta, një gjë mund ta konkludojmë nga e gjithë odiseja e Kurtit në veri. Shteti i Kosovës, sikurse çdo shtet tjetër përpara tij, ka zbarkuar në një aventurë të njohjes së vetvetes përmes një qasjeje më unilaterale të ushtrimit të pushtetit në veriun e vendit. Pas një dekade të odisesë së dialogut, shteti i Kosovës ka ndryshuar kurs. Kjo ka ndodhur drejtpërsëdrejti si pasojë e një narracioni politik të udhëhequr nga Kurti. Kësisoj, sot shteti i Kosovës do të përfitojë qoftë nga suksesi e qoftë nga dështimi i Kurtit në veri. Në rast të suksesit, Kosova do t’i shtyjë kufijtë e sovranitetit të saj, e në rast të dështimit, do ta pensionojmë një qasje tjetër të bankrotuar politike.