Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Një takim me presidentin Ahmet Zogu

E nesërmja mund ta shohë Ahmet Zogun ende në pushtet, dhe një ditë më pas të shkuar dhe dikë tjetër në vendin e tij, i cili do të jetë pothuajse i padallueshëm prej tij...

Të shtunën në ora pesë pasdite, shkoj ta takoj presidentin e Republikës së Shqipërisë. Shtëpia e tij është nën roje ushtarake. Gardianët salutojnë. Asistenti i tij pret në paradhomë. Ai është i ri, i hollë, është major; i këndshëm, i informuar dhe i gatshëm të flasë për motin, peizazhet shqiptare dhe rrezikun nga malaria: është çfarë kudo quhet asistent.

Në dhomën e presidentit është një zotëri i shëndoshë, i zgjuar, më në moshë, që është sekretar i jashtëm. Ai shërben si përkthyes dhe kujdestar. Presidenti ka të veshur uniformën e gjeneralit. Duke ndjekur njëfarë rregulli që thotë se kreu i shtetit duhet të ketë një tavolinë pune, Ahmet Zogu ngrihet në këmbë prapa saj. Përshëndetjet shkëmbehen. Unë gëlltitem nga një kolltuk.

Presidenti i tregon ministrit të tij në shqip se është i lumtur të mirëpresë në vendin e tij përfaqësuesin e një gazete të madhe gjermane; populli i madh gjerman mund të jetë i sigurt për simpatinë e popullit shqiptar. Ministri mi përkthen këto në frëngjisht. Presidenti më lejon të udhëtoj gjerë e gjatë nëpër Shqipëri, i lirë e i papenguar, dhe me përkrahjen e shtetit. Ministri i përsërit këto në frëngjisht. Një përkulje. Një tjetër përkulje. Dhe një tjetër. Në këtë pikë, Ahmet Zogu kalon në gjermanishte (ai dikur ka shërbyer në Austri). Sa gjatë isha në Shqipëri. Sa gjatë planifikoja të qëndroj. Kur dhe ku mendoja të udhëtoj. Ai nuk dëshironte asgjë nga raportimet përveçse së vërtetës. E vërteta, ia ktheva, ishte relative. Di që ishte e vërtetë për një person, mund të jetë e pavërtetë për një tjetër. Sigurisht, reporterët gjermanë janë të obsesionuar nga nevoja për vërtetësi.

Nuk kisha ndonjë pyetje të veçantë për të – mund t’u përgjigjesha të gjithave vetë. Intervistat janë një alibi për gazetarin që ka mungesë të ideve.

Shpëtoj nga kolltuku. Buzëqeshjet përfshijnë tri fytyra. Një përkulje. Një përkulje tjetër. Dhe një tjetër. Rojet. Salutimet.

Sa u përket ceremonive të audiencave, versioni shqiptar është i padallueshëm në pikën e ritualit, traditës dhe ngathtësisë nga ato të cilit do shtet tjetër. Ahmet Zogu është më i ri sesa shumica e presidentëve evropianë; ai ka pak më shumë se tridhjetë vjet. Kishte një jetë më të pasur, më dramatike se shumica e evropianëve të moshës së tij. Ka armiq të vdekur në ndërgjegjen e tij dhe të gjallë që janë të lirë në vendin e tij. Kjo e fundit, sërish, është e përbashkëta e burrështetasve në gjithë botën; e para – më shumë ajo pjesa me armiq të vdekur, sesa ajo me ndërgjegjen – është një specialitet oriental. Ahmet Zogu duket mjaft i parrezikshëm, i gjatë, ashtu si duhet të duket përfaqësuesi, dhe, çuditërisht është biond. Biondja i mbulon tiparet orientale sikur të ishte një gabim. Pozicioni që merr kur pranon në audiencë është më shumë rezultat i kujdesit se të çfarëdo vetëbesimi personal. Bisedat e tij me pak fjalë, ngadalësia e gjuhës së tij, mirësjellja boshe e pyetjeve të tij, që të gjitha janë shprehje e një diplomacie të praktikuar pamjaftueshëm dhe të aplikuar në mënyrë më shumë rigjide. Ai synon – pa ndonjë arsye të mirë – banalitetin si të ndonjë princi.

Aftësitë e tija ushtarake thuhet se janë të vogla. Në Luftën e Madhe, përkundër pretendimeve të legjendave që u vënë në qarkullim shpejt, ai nuk hyri në Durrës në krye të kolonës së trupave shqiptare. Por në këtë vend ku secili fshatar i dhjetë është një gjeni ushtarak, dhe çdo i dyti është shenjëtar i paparë me pushkë, është vështirë të shkëlqesh me dhunti ushtarake. Ai thuhet se është diktator i pashpirt. Por në Shqipëri, ku secili kryekomandant ka aspirata për të qenë diktator, çdo pronar tokash vasal i tij, dhe secili që mund të lexojë e të shkruajë sekretar i tij, nuk ka gjasa për ndonjë lloj tjetër diktature përveç kësaj që është e pashpirt.

Ahmeti duket më pak diktatorial, sesa njerëzit rreth tij, të cilët janë më me përvojë, më të zgjuar dhe më të pashpirt sesa ai, dhe shumë prej të cilëve kanë kaluar mësime gjithëpërfshirëse të këtyre kualiteteve nën turqit. Prej të gjitha kualiteteve që e theksojnë pa e hijeshuar diktaturën, presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka ndoshta vetëm brengën për të ardhmen e vendit të tij – kuptueshëm, në një vend ku njeriu as që ka nevojë të jetë diktator për t’ia pasur frikën një plumbi të zakonshëm. Për më tepër, Ahmeti ka gëzuar mikpritje bujare nga sllavët e jugut, e ka “pushtuar” Shqipërinë me ndihmën e bandave jugosllave para se të dakordojë, shumë shpejt, një pakt të njohur me Italinë. Por për më shumë se 800 vjet njerëzit më me ndikim në Ballkan nuk i kanë refuzuar të hollat, posaçërisht kur ato janë ofruar nga dy palë në konflikt – dhe pse të jetë Ahmeti përjashtim në këtë?

Veç të tjerash, miqësia vetëmohuese e sllavëve të jugut ende nuk është dëshmuar. Por edhe nëse unë (me të drejtë) e vë në pikëpyetje çpatriotizmin vetëmohues të Ahmetit, në shumë pikë ambicia vetjake e presidentit përputhet me nevojat e vërteta të vendit të tij, i cili, i ballafaquar me zgjidhjen mes vendosjes së vetes nën kujdesin e një vendi më të kultivuar apo një tjetri që ende lufton me vështirësitë e veta të pazgjidhura, e zgjedh të parën. Tutje, presidenti akuzohet se po e vendos imazhin e tij nëpër mure, pulla postare dhe monedha kudo. Por edhe në kombet më të zhvilluara, pamjet e qarkulluara gjerësisht ende shihen si mjeti më i mirë për të vendosur veten në vetëdijen kryesisht të cekët dhe jofalënderuese të elektoratit.

Sido që të jetë, është e pamundur të gjykohen rrethanat e një shteti oriental, që për histori ka represionin, që për etikë ka korrupsionin, dhe kultura e të cilit është një përzierje e naivitetit vendor bukolik e arkaik-romantik me importin e kohëve të fundit të intrigës, me kriteret e një demokracie perëndimore. Po të gjendeshim befasisht në Mesjetë, do të ishte ngjashëm e trashë kjo të përdoret për djegien e shtrigave.

Njeriu duhet gjykuar Ahmetin në syrin pa prejudikim si një shprehje e rrethit të tij. Njeriu duhet mbajtur në mendje se ai është pinjoll i një familjeje fisnike shqiptare, që ishte në pushtet në shekullin e shtatëmbëdhjetë dhe më herët – dhe atëherë, supozojmë, jo me metoda demokratike. Duhet mbajtur në mendje se Parlamenti në Shqipëri mund të mblidhet vetëm në një mënyrë, mënyrën si është mbledhur tani. Do të jetë një “Parlament veç me emër” për së paku edhe njëzet vjet. Tani është po aq i hapur për ndikim nga klikat, vullnetin e kreut të shtetit, sa edhe Skupshtina jugosllave, dhe po aq pa fuqi sa parlamentet në Budapest dhe Angorë. Njeriu duhet mbajtur në mend se rivalët dhe armiqtë e Ahmet Zogut, disa prej të cilëve i njoh personalisht, nuk janë më perëndimorë sesa vetë ai.

Prej nëntë qind e njëzet njerëzve të arsimuar në perëndim që e kanë braktisur shtetin prej se erdhi në pushtet Ahmeti, prej shtatë politikanëve që ikën në Republikën jugosllave nga viti 1925, prej dymbëdhjetë që humbën jetët nga viti 1922, supozoj se asnjëri nuk do të dëshironte të ushtronte pushtetin ndryshe prej Ahmet Zogut – dhe nuk i dënoj ata. Sepse në politikën orientale, dhe në politikën shqiptare posaçërisht, vetëmbrojtja është një koncept shumë i gjerë dhe është e tillë që luan rol pothuaj të njëjtë fare ka arsyeja shtetërore në Evropën Perëndimore. Një proces i gjatë dhe i mundimshëm i arsimit duhet të ndodhë për të krijuar qytetarë prej barinjve, prijësve, kryekomandantëve dhe fanatikëve fetarë.

Është apo jo Ahmet Zogu i aftë e i vullnetshëm që ta marrë në dorë këtë arsimim, nuk e di kush. Sot madje edhe lidhjet e tija me Italinë e bëjnë atë nervoz. Ai nuk është më në situatë t’i ndërsejë Italinë dhe jugosllavët mes vete. Nuk ka gjë që pret më me shqetësim sesa një degë të ullirit nga jugosllavët. Por jugosllavët me hidhërim po përgatisin njerëz dhe metoda të tjera. Italia është më shumë e brengosur me mbrojtjen e interesave të saj, sesa të jetës së Zogut. Dhe kështu ky djalë i ri, që tashmë është dashur t’i shtypë tri revolta, në uniformën e qepur mirë të gjeneralit, me një tolerancë të madhe, në një sipas standardeve lokale pallat, e me standardet tona shtëpi mesatare, i rrethuar nga truprojat lojaliteti i të cilëve është relativ sikur edhe çdo gjë tjetër në këtë vend, i këshilluar nga politikanë dinakëria e të cilëve është mprehur, ndërsa karakteri të cilëve është topitur në shërbimin turk – ky djalë i ri që ka mundur të ketë një ekzistencë studentore pa brenga në Paris, është i ashpër dhe duke u dridhur, dhe duke pritur revoltën e katërt. Mbi të gjitha, njeriu nuk mund të lërë anash humbjen e jetëve për të cilat thuhet se ishte përgjegjës, sa edhe shumat e parave që ka përfituar. Por sërish – mos t’i kishte ky, ato do të përfundonin tek të tjerët që i kanë merituar edhe më pak; shtresa e vogël, por e trashë e gjakpirësve analfabetë, sekretarëve të turqve dhe mundësuesve të korruptuar të korrupsionit.

E nesërmja mund ta shohë Ahmet Zogun ende në pushtet, dhe një ditë më pas të shkuar, dhe dikë tjetër në vendin e tij, i cili do të jetë pothuajse i padallueshëm prej tij.

“Frankfurter Zeitung”

29 maj 1927

Joseph Roth (1894-1934) ka qenë shkrimtar dhe gazetar austriak, i njohur më së shumti për romanin e tij “Radetzky Marsch” (Marshi Radecki). Është i njohur si një prej gazetarëve dhe kolumnistëve më produktivë dhe më të angazhuar të pjesës së parë të shekullit XX. Shkrimi “Një takim me Presidentin Ahmet Zogu”, njëkohësisht një reportazh, koment dhe profil i presidentit Ahmet Zogu një vit para se të shpallej Mbret, është pjesë e serisë së raportimeve nga Shqipëria, ku ai kishte qëndruar për vizitë në vitin 1927 (Foto: Joseph Roth në veshje kombëtare shqiptare – fotografia e vitit 1927, pjesë e koleksionit të Institutit Leo Baeck, New York)

Artikuj të ngjashëm