Kulturë

Artur Zheji – gazetari veteran e zëri i rëndësishëm intelektual

Artur Zheji

“Ka pak raste të rralla, ku njeriu i vogël, apo njeriu i vetëpandehur i madh, zhubroset, tkurret dhe vjen befas në vete! Sepse Vdekja shfaqet! Krenare dhe me vështrim të tejpërtejshëm, duke kërrusur në trup dhe në fytyrat e vrerosura, madhështitë e rreme të viktimave të saj të ardhshme. Dhe zagarët ndihen zagarë dhe jo ndonjë kafshë tjetër. Dhe kobrat ndihen nepërka tinëzare e të pabesa, kokulura dhe banuese të vrimave të fshehta ku thurin planet e kafshimeve të ardhshme helmuese…”, shkruante Artur Zheji për vdekjen

Artur Zheji kërkonte qytetari. Këtë e bënte kur komentonte sjellje politike por edhe ato të kolegëve të tij. Krejtësisht i pakompromis në idetë që hapësira shqiptare të mendojë si komb, Zheji në raste të tilla edhe i jepte zërit pak më shumë. Me shkollim prej regjisori, karrierë prej dramaturgu e një jetë prej gazetari, Artur Zheji vdiq të shtunën. Ai ishte 63 vjeç. Kumti për vdekjen e tij u dha pasdite, nga Saranda. Në ditën e 29-të të këtij muaji do të mbushte 64 vjet. Vdekja e tij është parë si humbje e madhe për gazetarinë, mendimin politik e kulturor e mbi të gjitha, humbje e një intelektuali

“Ka ardhur një moment që kërkohet më shumë qytetari në politikën shqiptare”, përsëriste jo rrallë Artur Zheji në debate televizive. Në debatet ku ngritja e zërit është bërë njëfarë norme dominuese, Artur Zheji kërkonte qytetari. Këtë e bënte kur komentonte sjellje politike por edhe ato të kolegëve të tij. Krejtësisht i pakompromis në idetë që hapësira shqiptare të mendojë si komb, Zheji në raste të tilla edhe i jepte zërit pak më shumë. Me shkollim prej regjisori, karrierë prej dramaturgu e një jetë prej gazetari, Artur Zheji vdiq të shtunën. Ai ishte 63 vjeç. Kumti për vdekjen e tij u dha pasdite, nga Saranda. Në ditën e 29-të të këtij muaji do të mbushte 64 vjet. Vdekja e tij është parë si humbje e madhe për gazetarinë, mendimin politik e kulturor e mbi të gjitha, humbje e një intelektuali. Siç ka bërë të ditur familja, vdiq pas një sulmi në zemër në festë e sipër të ditëlindjes së të birit në Sarandë.

I lindur më 29 gusht 1961 në Tiranë, Artur Zheji i biri i gjuhëtarit, përkthyesit, filozofit e shkrimtarit Petro Zheji dhe aktores së njohur Besa Imami, do të studionte për regji në Universitetin e Tiranës. Në fillet e karrierës ishte angazhuar si dramaturg në atë që ishte Teatri Popullor në Tiranë e pas demokratizimit të Shqipërisë, do të njihej si gazetar e opinionist. Si shumë shqiptarë, do të provonte pak emigracionin. Më 1994 ishte korrespodent i revistës së Kosovës “KOHA Javore” nga Roma. Karriera e Zhejit në media ka prekur pozita të ndryshme. Kohëve të fundit mbante emisionin “360 Gradë”. Për pesë vjet ai mbajti postin e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Analizat e tij politike e kulturore njiheshin për një vështrim të veçantë. Shpesh ishte shumë direkt kur “ia lidhte kryet” asaj që e mendonte.

“Për të ecur përpara në këtë botë duhet të ecësh mbi kufomat e miqve” thoshte ai kur ndokush përballë i dukej një manipulues 24 karatësh. Për profesionalizmin e tij është vlerësuar edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në Tiranë.

“Gazetari Zheji do të mbetet në kujtesën e publikut për stilin e vet oratorik, pasurinë shprehëse që mbartte, për forcën verbale të polemikës dhe sidomos për integritetin dhe ndjeshmërinë e lartë në mbrojtje dhe shprehjen krenare të identitetit të vet kombëtar shqiptar. Fjala dhe qëndrimet e analistit Artur Zheji përbënin një pikë reference për shumë kolegë të huaj që ndjekin dhe merren me problematikat shqiptare në rajon”, shkruhet në komunikatën e Unionit. Sipas Unionit, ndalja e papritur e jetës së tij, krijon një ndërprerje të ndjeshme në fjalën dhe shfaqjen mediatike, në gamën e analizës politike dhe debatit socio-politik shqiptar si dhe në rrafshin e polemikës apo diskutimit të çështjeve historike dhe identitare me kolegë, media të rajonit dhe të huaja në përgjithësi. Vlerësimet nga kolegët i ka pasur të shumta.

“Artur Zheji u nda nga kjo botë sot, krejt papritur. Në një moshë ende të re dhe në kulmin e energjive e të angazhimit publik. Bashkë me të u shua edhe një zë i rëndësishëm e autoritar i mediave dhe, mbi të gjitha, një intelektual e qytetar ‘par excellence’. Duke e njohur prej viteve ’80 dhe duke bashkëpunuar për gati 25 vjet me të, mbeta thellësisht i trishtuar nga ky lajm tragjik.
U prehsh në paqe, Tur!”, ka shkruar gazetari e miku i tij, Blendi Fevziu.

Artur Zheji ishte debutues i zoti por edhe i qetë kur përballë kishte njerëz që mendimet e tyre i kishin bindje e pa ndonjë interes rrethanor.

Gazetari e opinionisti Halil Matoshi ka kujtuar se disa herë kanë qenë në anë të kundërta në debate.

“Kemi qenë mocë dhe jemi gjetë shpesh n'log t'debatit, tue u hangër mesveti, te Blendi Fevziu e Alban Dudushi, por kemi metun kolegë t'respektuem. Arturin kam me e kujtu si opinionist me zâ, në televizionet e Shqipnisë, po edhe si artist e qytetar mirë të edukuem”, ka shkruar Matoshi.

Publicisti e shkrimtari Kim Mehmeti ka kujtuar se me Zhejin janë njoftuar në vitin 1992, kur ai nisi të shkojë shpesh në Maqedoni dhe, sipas Mehmetit, u sillte shqiptarëve të atjeshëm nga pak mëmëdhe.

“Dhe që atëherë e deri më sot nuk u ndamë kurrë, as atëherë kur shumëçka na ‘ndante’ si dhe, çdo gjë mbeti pjesë e një miqësie të pakushtëzuar nga asgjë tjetër përpos nga mirëmbajtja e saj e ndërsjellë. Në të vërtetë Arturi prej moti është bërë pjesë e zënkave të mia familjare, ngaqë sa herë që djemtë e mi duan ta fitojnë betejën bashkëbiseduese me mua, më thonë: ‘Kot e kemi të grindemi! Ty më së miri të ka përshkuar Arturi’”, ka shkruar ai. Këtë elaborim e ka çuar deri në fund.

“Kështu ma rikujtojnë një bisedë të zjarrtë me të përderisa pinim bashkërisht kafe aty pranë Urës së Gurit të Shkupit dhe kur ai përnjëherë u hesht, u kthye nga Semi dhe Emadi e u tha: ‘Kurrë mos debatoni me të sepse ka një ves të keq dhe shpeshherë, nuk të dëgjon se çka i thua, por ai u përgjigjet pyetjeve që ia shtron vetvetes, kështu që nuk bashkëbisedon me ty, por ai bën autointervistë!’”, ka kujtuar Mehmeti.

Mehmeti ka shkruar se është ndier keq pse kurrë nuk ia pranoi se mirë e kishte lexuar, ngaqë bisedat me të i donte pse ato e nxisnin t'i shtronte shumë pyetje vetvetes.

“Dhe kur para dhjetë viteve mbijetova një infarkt të rëndë, ai ishte i pari që m’u lajmërua dhe më tha: ‘E dija se ti nuk rrëzohesh me të parën!’ Sa keq më vjen që nuk m’u dha mundësia t’ia them të njëjtën. Edhe pse e di se me të ‘parën rrëzohen’ vetëm njerëzit e mirë, vetëm ata që Zoti don t’i kursejë nga të jetuarit në pritje të ‘rrëzimit’ të dytë’”, ka shkruar Mehmeti.

Zheji nuk ka kursyer së kritikuari udhëheqësit politikë pavarësisht pozitave. Ka bërë dallimin në Shqipëri ku s’janë të shumtë ata që zgjedhin heshtjen në favor të ndonjë benefiti. Me kryeministrin aktual, Edi Rama kishin miqësi në kohën kur Rama ishte opinionist në media të shkruara në fillim të viteve ’90. Por Zheji gjatë këtyre viteve të qeverisjes së tij, kritikat i ka pasur të shumta.

“Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin”, ka shkruar Rama pas kumtit për mikun e dikurshëm. Si zë aktiv e ka përshkruar Zhejin presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe komunitetit të medias për ndarjen e papritur nga jeta të Artur Zhejit, një prej zërave më aktivë, më të angazhuar dhe më moderatorë e kontribues në debatin publik në Shqipëri”, ka shkruar ai pasditen e së shtunës.

Vjet pas ceremonisë së komemoracionit me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Zheji kishte bërë një shkrim jo të gjatë me titull “Mbretëresha e zezë”. Ia kishte kushtuar vdekjes.

“Ka  pak raste të rralla, ku njeriu i vogël, apo njeriu i vetëpandehur i madh, zhubroset, tkurret dhe vjen befas në vete! Sepse Vdekja shfaqet! Krenare dhe me vështrim të tejpërtejshëm, duke kërrusur në trup dhe në fytyrat e vrerosura, madhështitë e rreme të viktimave të saj të ardhshme. Dhe zagarët ndihen zagarë dhe jo ndonjë kafshë tjetër. Dhe kobrat ndihen nepërka tinëzare e të pabesa, kokulura dhe banuese të vrimave të fshehta ku thurin planet e kafshimeve të ardhshme helmuese… Dhe titullarët e pushtetit trullosen dhe ndihen Askushi, kur shohin në sytë pa sy Mbretëreshën e Zezë. Këtë Zonjë madhështore që një ditë vendos Drejtësi Hyjnore, mbi vampirët hipokritë të së përditshmes, ngjeshur dhe fshehur fort mirë, mbas kostumeve dhe kollareve të shtrenjta”, shkruante Zheji. Qe një lloj revolte me ato që kishte parë gjatë funeralit dhe kërkonte qetësi të paktën në respekt të të vdekurit.

“Kush kupton, kupton. Kush nuk kupton, nuk është më puna ime!”, përfundonte Zheji. Kush e kuptoi, ai tha e shkroi shumë sa ishte gjallë. Por për ata që s’e kanë kuptuar, ka treguar vetë se s’është më punë e tij.