Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktgjykimi në Hagë - mundësi për afrimin e partive e tejkalimin e ngërçit institucional

Kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Vendimi i shpallur në Hagë mund të shërbejë si shtysë për afrimin e partive politike që t’i jepet fund ngërçit dyvjeçar institucional, kanë vlerësuar njohës të çështjeve politike.

Gazetari Fitim Gashi thotë se reagimet e partive ndaj aktgjykimit dënues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ishin të ngjashme.

Sipas tij, qëndrimet e përafërta ndaj vendimit mund t’i shtyjnë partitë t’i lënë mënjanë dallimet dhe të koordinohen për mënyrën se si Kosova do të veprojë në vazhdimin e betejës juridike dhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.

“T’i kalojnë këto dallimet që i kanë pasur deri më tani, këto inatet politike, mungesën e dialogut të mirëfilltë politik, mungesën e konsensusit për formimin e institucioneve, në mënyrë që përgjigjja të jetë edhe më e koordinuar dhe më institucionale kur vjen puna edhe tek aktgjykimi, ose në mënyrën se si Kosova do ta trajtojë këtë aktgjykim, dhe përgjigjen që mund ta japë qoftë në një mobilizim sa i përket ankesës në Apel, por edhe në një përgjigje më të koordinuar institucionale edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Gashi.

Avokatët vendimin e Speciales quajtën të padrejtë dhe njoftuan se do ta apelojnë.

Edhe nga PDK-ja u kërkua angazhim institucional për përmbysjen e dënimeve në shkallën e dytë të Speciales.

Vendimi i marrë në Hagë e gjen Kosovën me Kuvend dhe Qeveri të kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, e pa marrëveshje për presidentin – pozitë e cila po ushtrohet nga kryekuvendarja Albulena Haxhiu.

Gashi thotë se kjo situatë ka krijuar kushtet për një marrëveshje më të gjerë politike mes dy partive më të mëdha.

“Nëse ka vullnet edhe gatishmëri që së pari të kthehen brenda institucioneve dhe gjithçka të nisë nga Kuvendi i Kosovës, atëherë do të duhej shqyrtuar edhe opsionet e tjera. Pra të shterohen opsionet sa i përket një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për koalicion, në të cilën do të përfshihet edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, e jo me zgjidhje gjysmake, sepse kjo nuk mendoj se i kontribuon procesit, aq më tepër kur dihet se edhe ankesa në Apel do të marrë kohë”, ka thënë Gashi.

Kuvendi u shpall i konstituuar 37 ditë pas tejkalimit të afatit kushtetues dhe pa u zgjedhur nënkryetari që i takon PDK-së, meqë fillimisht kandidaturën e Vlora Çitakut, refuzuan ta votojnë deputetë të LVV-së.

Një ditë më vonë, Grupi Parlamentar i PDK-së iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me pretendimet që partia e parë ka shkelur Kushtetutën. E më pas sfiduan zgjedhjen e qeverisë.

Njohësi i çështjeve politike, Erblin Hoxha, thotë se tërheqja e këtyre lëndëve do të mund të ishte një hap drejt një marrëveshjeje politike.

“Në rast që lënda e Gjykatës Kushtetuese tërhiqet edhe partitë politike pranojnë që ky Kuvend është legjitim edhe mund të vazhdojnë me krijimin e institucioneve të tjera, atëherë ajo do të jetë një situatë e re që do ta konsideroja si një lloj mirëkuptimi të përgjithshëm, që sot më e rëndësishme është mbrojtja e interesit shtetëror sesa betejat politike të brendshme për procedurat e krijimit të institucioneve”, ka thënë Hoxha.

Sinjale për ndryshim të pozicionit ka dhënë edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza. Pas mbledhjes së strukturave të partisë, ai tha se me ndryshimin e rrethanave, ndryshojnë edhe qëndrimet.

PDK-ja deri tani e kishte përjashtuar bashkëpunimin me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit.

E, marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për kandidatin për president, Bekim Sejdiu, ka dështuar.

Pas konstituimit të Kuvendit, presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditësh. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.