Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Një rimëkëmbje e qëndrueshme feministe

Ndërsa bota po ecën përpara që të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Gruas, mbrapsht po sillen akrepat e orës për drejtat e grave. Të gjithë ne po e paguajmë çmimin.

Krizat e njëpasnjëshme të viteve të fundit kanë spikatur se si lidershipi i grave është më vendimtar se kurrë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gratë janë përballur heroikisht me pandeminë COVID-19 si mjeke, infermiere dhe punonjëse të shëndetit publik dhe të kujdesit social.

Por njëherësh, gratë dhe vajzat kanë qenë të parat që humbën punën ose shkollimin, duke u ngarkuar me më shumë punë përkujdesjeje të papaguar dhe duke u përballur me nivele të larta të dhunës në familje dhe abuzimit kibernetik dhe martesat e hershme.

Pandemia ka nxjerrë në pah edhe më fort një të vërtetë shekullore: rrënjët e patriarkatit janë ngulur thellë. Ne ende jetojmë në një botë të dominuar nga meshkujt me një kulturë të dominuar nga meshkujt.

Rrjedhimisht, në kohë të mira apo të këqija, gratë kanë më shumë gjasa të zhyten në varfëri. Kujdesi i tyre shëndetësor sakrifikohet dhe arsimimi dhe mundësitë e tyre janë të kufizuara.

Dhe në vendet që përjetojnë konflikt - siç e shohim nga Etiopia, Afganistani e deri në Ukrainë - gratë dhe vajzat janë zërat më të cenueshëm, por edhe më bindës për paqen.

Ndërsa shikojmë nga e ardhmja, një rikuperim i qëndrueshëm dhe i barabartë për të gjithë është i mundur vetëm nëse ka një rimëkëmbje feministe – një rimëkëmbje që vendos përparimin për vajzat dhe gratë në thelb të saj.

Ne kemi nevojë për përparim ekonomik nëpërmjet investimeve të synuara në arsimimin, punësimin, trajnimin dhe punën e denjë të grave. Gratë duhet të jenë të parat në radhë për 400 milionë vende pune që jemi zotuar t’i krijojmë deri në vitin 2030.

Ne kemi nevojë për përparim social përmes investimeve në sistemet e mbrojtjes sociale dhe ekonominë e kujdesit. Investimet e tilla sjellin dividenta të mëdha, duke krijuar vende pune të gjelbra dhe të qëndrueshme, ndërkohë që mbështesin anëtarët e shoqërive tona që kanë nevojë për ndihmë, duke përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët.

Ne kemi nevojë për përparim financiar, për të reformuar një sistem financiar global të falimentuar moralisht, në mënyrë që të gjitha vendet të mund të investojnë në një rimëkëmbje ekonomike me gruan në qendër të saj. Kjo përfshin lehtësimin e borxhit dhe sisteme më të drejta tatimore që kanalizojnë mundësitë e mëdha të pasurisë në mbarë botën tek ata që kanë më shumë nevojë për të.

Ne kemi nevojë për veprim urgjent, transformues të klimës, për të rikthyer rritjen e pamatur të emetimeve dhe pabarazitë gjinore që i kanë lënë gratë dhe vajzat në mënyrë disproporcionale të cenueshme. Vendet e zhvilluara duhet të përmbushin urgjentisht angazhimet e tyre për financimin dhe mbështetjen teknike për një tranzicion të drejtë nga lëndët djegëse fosile. Ekonomitë e suksesshme dhe të qëndrueshme të së ardhmes do të jenë të gjelbra, me barazi gjinore dhe të qëndrueshme.

Ne kemi nevojë për më shumë gra në udhëheqje në qeveri e biznes, duke përfshirë ministret e financave dhe drejtoreshat ekzekutive, duke zhvilluar dhe zbatuar politika të gjelbra dhe progresive shoqërore prej të cilave përfitojnë të gjithë njerëzit.

Ne e dimë, ta zëmë, se të kesh më shumë përfaqësim gjinor në parlamente, lidhet me angazhime më të forta klimatike dhe nivele më të larta investimesh në kujdesin shëndetësor dhe arsim.

Ne kemi nevojë për përparim politik përmes masave të synuara që sigurojnë udhëheqje dhe përfaqësim të barabartë të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes politike, përmes kuotave të guximshme gjinore.

Pabarazia gjinore është në thelb çështje pushteti. Çrrënjosja e shekujve të patriarkatit kërkon që pushteti të ndahet në mënyrë të barabartë në çdo institucion, në çdo nivel.

Në Kombet e Bashkuara, ne kemi arritur - për herë të parë në historinë e organizatës - barazi gjinore në menaxhmentin e lartë në selinë qendrore dhe në mbarë botën. Kjo ka përmirësuar në mënyrë dramatike aftësinë tonë për të reflektuar dhe përfaqësuar më mirë komunitetet të cilave u shërbejmë.

Në çdo hap të rrugës, ne mund të marrim frymëzim nga gratë dhe vajzat që shtyjnë për përparim në çdo sferë dhe çdo cep të globit tonë.

Gratë e reja, aktiviste për klimën, po udhëheqin përpjekjet globale për t'u bërë presion qeverive që të përmbushin angazhimet e tyre.

Aktivistet e të drejtave të grave po kërkojnë me guxim barazi dhe drejtësi dhe po ndërtojnë shoqëri më paqësore si paqeruajtëse, paqebërëse dhe aktiviste humanitare në disa nga zonat e trazuara të botës dhe më gjerë.

Në shoqëritë ku lëvizjet për të drejtat e grave janë të gjalla, demokracitë janë më të forta.

Kur bota investon në zgjerimin e mundësive për gratë dhe vajzat, i gjithë njerëzimi fiton.

Për sa i përket drejtësisë, barazisë, moralit dhe sensit të thjeshtë, ne duhet ta kthejmë orën përpara për të drejtat e grave.

Ne kemi nevojë për një rimëkëmbje të qëndrueshme feministe të përqendruar rreth - dhe të drejtuar nga - gratë dhe vajzat.

(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky vështrim është shkruar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas)