Si të bashkohemi, të veprojmë dhe të rezistojmë së bashku për të mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave dhe barazinë gjinore? Kjo është pyetja qendrore e Konferencës së 4-t Ministrore mbi Diplomacinë Feministe, nikoqire e së cilës është Franca më 22 dhe 23 tetor 2025. Kjo konferencë do të mbledhë ministrat e jashtëm nga të gjitha rajonet e botës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, bankave publike të zhvillimit, si dhe shoqërisë civile, fondacioneve kërkimore dhe filantropike. Jam i lumtur që edhe Kosova po merr pjesë në këtë konferencë.
Që nga viti 2019, Franca është bartëse e Diplomacisë Feministe, duke i bërë barazinë gjinore dhe të drejtat e grave një prioritet që përshkon të gjithë veprimin e saj të jashtëm: paqen dhe sigurinë, zhvillimin, qeverisjen demokratike, veprimin humanitar, ndër të tjera. Larg nga të qenit një retorikë, kjo diplomaci feministe është mishëruar në politika publike konkrete dhe partneritete të forta.
Franca dhe partnerët e saj tashmë po ndërmarrin veprime për të promovuar të drejtat e grave dhe vajzave
Franca e ka vendosur mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazinë gjinore si një prioritet strategjik dhe gjeopolitik për ndërtimin e shoqërive të drejta, gjithëpërfshirëse, paqësore dhe të qëndrueshme. Përvoja tregon se pjesëmarrja e grave në proceset negociuese rrit ndjeshëm gjasat që një proces të jetë i qëndrueshëm. Në mënyrë të ngjashme, politikat që integrojnë plotësisht barazinë gjinore bëjnë të mundur luftimin më efektiv të ndryshimeve klimatike, stimulojnë rritjen dhe forcojnë qëndrueshmërinë e shoqërive tona.
Më 7 mars 2025, Franca prezantoi Strategjinë e saj ndërkombëtare për Diplomacinë Feministe. Ajo përforcon mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese. U vendosën prioritetet të reja, duke e vendosur barazinë gjinore në qendër të përgjigjes së Francës ndaj sfidave bashkëkohore: krizave dhe konflikteve, ndryshimeve klimatike, shëndetësisë, financave ndërkombëtare, teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale.
Diplomacia Feministe e Francës po zbaton nisma konkrete. Një fond financiar u lansua në vitin 2020, nga i cili kanë përfituar më shumë se 1,400 organizata në 75 vende. Një shembull tjetër është Laboratori Online i të Drejtave të Grave, i krijuar në vitin 2024. Është platforma e parë ndërkombëtare për shkëmbimin dhe inkubacionin e projekteve kundër dhunës me bazë gjinore në mjedisin digjital.
Ndërsa pabarazitë gjinore vazhdojnë, mbetet shumë për të bërë
Pavarësisht këtyre nismave dhe progresit të bërë nga bashkësia ndërkombëtare, mbetet shumë për të bërë. Me ritmin aktual, sipas UN Women, do të duheshin gati 300 vjet për të arritur barazi të vërtetë në mbarë botën.
Sot, pabarazitë gjinore vazhdojnë ende dhe madje po përkeqësohen. Dhuna seksuale e lidhur me konfliktin është rritur me 50% midis viteve 2022 dhe 2023. Në shumë vende, miliona gra janë të privuara nga e drejta themelore për të vendosur vetë për trupin e tyre: 193 milionë gra kanë qasje në abort vetëm kur jeta e tyre është në rrezik, dhe 142 milionë nuk kanë qasje në asnjë rrethanë. Kudo që krizat dëmtojnë strukturën shoqërore - në Afganistan, Iran, Gaza, Ukrainë dhe Sudan - të drejtat e grave janë viktimat e para.
Një Konferencë e nivelit të lartë për të riafirmuar vendosmërinë dhe ambicien tonë kolektive
Në një kontekst ndërkombëtar i karakterizuar nga një rënie e ndjeshme e financimit të dedikuar për ato dhe rritja e lëvizjeve kundër të drejtave, Konferenca e 4-t Ministrore mbi Diplomacinë Feministe do të riafirmojë vendosmërinë tonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, pa pranuar asnjë regres. Së bashku, ne do të
vazhdojmë të veprojmë.
(Autori është ambasador i Francës në Kosovë)