Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Dita Ndërkombëtare e Gruas: Tetë veprime për një botë më të barabartë

Gjatë pothuajse një dekade në krye të Kombeve të Bashkuara, kam parë se si bota jonë është vënë vazhdimisht në provë – nga goditjet klimatike, thellimi i varfërisë, konfliktet e dhunshme dhe ngushtimi i hapësirës qytetare. Por kam parë gjithashtu shumë zgjidhje që kanë marrë formë, dhe të gjitha kishin një emërues të përbashkët: gratë.

Ndërsa shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, është koha të pranojmë se pabarazia gjinore përbën sfidën më të madhe të të drejtave të njeriut në kohën tonë – dhe se avancimi i barazisë është ndër shtytësit më të fuqishëm të zhvillimit të qëndrueshëm dhe paqes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më poshtë paraqiten tetë veprime, të nxjerra nga përvoja ime dhe të frymëzuara nga puna e sistemit të OKB-së dhe lëvizjeve të shoqërisë civile në mbarë globin, për të avancuar të drejtat e grave dhe për të sjellë rezultate konkrete.

1. Mbyllja e hendekut të pushtetit

Barazia gjinore është çështje pushteti. Megjithatë, institucionet e dominuara nga burrat vazhdojnë ta formësojnë botën tonë. Rritja e autoritarizmit po i thellon këto pabarazi, duke i zhbërë arritjet e fituara me shumë mund – nga praktikat e drejta të punës deri te të drejtat riprodhuese – dhe duke rrënjosur paragjykime racore dhe gjinore që i pengojnë gratë. Barazia gjinore i fuqizon shoqëritë. Kur pushteti ndahet, liria zgjerohet.

2. Barazia në përfaqësim, si prioritet

Gratë janë dukshëm të nënpërfaqësuara në qeverisje dhe në strukturat drejtuese në mbarë globin. Në Kombet e Bashkuara, vendosëm që barazinë gjinore ta bëjmë prioritet, duke filluar nga udhëheqja e lartë. Këtë e realizuam duke e zgjeruar kërkimin për kandidatë të kualifikuar, jo duke i ulur standardet. OKB-ja është më e fortë falë kësaj qasjeje, me një kulturë pune më të avancuar dhe vendimmarrje më përfshirëse. Mësimi është i qartë: kur institucionet zgjedhin barazinë, rezultatet pasojnë.

3. Investimi me kthimin më të lartë

Investimi në gra dhe në vajza sjell përfitime të jashtëzakonshme. Çdo dollar i investuar në arsimimin e vajzave gjeneron pothuajse trefishin e përfitimeve, ndërsa shëndeti i nënës dhe planifikimi familjar sjellin më shumë se tetëfishin e përfitimeve. Politikat që i mbështesin familjet, si kujdesi për fëmijët dhe për të moshuarit, i forcojnë komunitetet dhe çlirojnë potencial për rritje të mëtejshme.

Së bashku, këta hapa e krijojnë bazën për mbylljen e hendekut gjinor – që mund t’i rrisë të ardhurat kombëtare deri në 20%.

4. Hapësirë për gratë në tryezën e paqes

Marrëveshjet e paqes janë më të qëndrueshme kur gratë marrin pjesë në negocim dhe zbatim. Megjithatë, në shumë konflikte – përfshirë Gazën, Ukrainën dhe Sudanin – gratë kanë mbetur kryesisht jashtë proceseve vendimmarrëse, ndonëse e mbajnë barrën më të rëndë të luftës. Në një kohë paqëndrueshmërie në rritje, përfshirja nuk është simbolike – është një rrugë e drejtpërdrejtë drejt stabilizimit të një bote të fragmentuar.

5. Dhënia fund e diskriminimit ligjor

Në mbarë botën, gratë gëzojnë vetëm 64 për qind të të drejtave ligjore që i gëzojnë burrat. Në shumë vende, ato nuk mund të zotërojnë pronë, të punojnë lirshëm apo të kërkojnë divorc. Edhe aty ku ekzistojnë mbrojtje ligjore, gratë përballen me pengesa më të mëdha për të pasur qasje në ndihmë juridike ose në gjykata. Çdo vend duhet të angazhohet për të çmontuar ligjet diskriminuese dhe për të siguruar zbatimin efektiv të të drejtave në praktikë.

6. Zero tolerancë ndaj dhunës me bazë gjinore dhe zero justifikime

Dhuna ndaj grave është një emergjencë globale, e rrënjosur në pabarazi dhe e ushqyer nga heshtja. Çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetojë pa frikë.

Megjithatë, dhuna me bazë gjinore – përfshirë shfrytëzimin dhe abuzimin seksual – mbetet një shkelje e rëndë e besimit dhe e dinjitetit njerëzor. Duhet ta përballim kudo, me zero tolerancë, llogaridhënie të plotë dhe mbështetje të palëkundur për të mbijetuarat.

7. Eliminimi i paragjykimeve në teknologji informative

Me gratë që përbëjnë vetëm një në katër punonjës në sektorin e teknologjisë, paragjykimet po kodifikohen në sistemet që e formësojnë jetën e përditshme. Ndërkohë, mizogjinia po përhapet me shpejtësi në hapësirat digjitale. Kompanitë e teknologjisë dhe autoritetet publike duhet të veprojnë së bashku për të ndërtuar hapësira digjitale të sigurta dhe përfshirëse – dhe bota duhet të bëjë më shumë për të hequr pengesat për vajzat në shkencë dhe teknologji.

8. Përfshirja e perspektivës gjinore në planet klimatike

Ndryshimet klimatike i prekin në mënyrë disproporcionale gratë. Në krizat ushqimore, ato shpesh ushqehen të fundit dhe përballen me rreziqe më të mëdha gjatë emergjencave. Vajzat përballen me rrezik më të lartë të martesës së hershme, kur burimet e jetesës shemben. Megjithatë, gratë janë gjithashtu në ballë të zgjidhjeve klimatike – duke avancuar legjislacionin e gjelbër, duke fuqizuar lëvizje globale dhe duke nxitur ndryshim në terren. Një planet i jetueshëm kërkon politika klimatike të përgjegjshme ndaj gjinisë, përfshirë qasje të barabartë në punë të gjelbra, mbrojtje më të mirë gjatë emergjencave dhe pjesëmarrje të plotë në vendimmarrjen mjedisore.

Në mbarë globin kam parë këto tetë zgjidhje në veprim – në zona konflikti dhe në përpjekje për rimëkëmbje, në parlamente dhe klasa mësimore, në organizata dhe komunitete.

Nëse udhëheqësit angazhohen seriozisht për barazi gjinore dhe veprojnë tani, do ta ndryshojmë botën – për gratë dhe vajzat, dhe për të gjithë ne.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Vështrimi në gjuhën shqipe botohet ekskluzivisht në KOHA).