Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Në marshin për 8 Marsin bëhet thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë

Marshi - 8 Mars

Foto: KOHA

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kolektivi “Marshojmë s’Festojmë” ka mbajtur protestë në Prishtinë. Gjatë këtij organizimi, me sloganin “Marshojmë për jetë me dinjitet”, janë shprehur kritika për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës në baza gjinore. Ndërkaq pati edhe qëndrime të natyrës politike

Rreth 200 qytetarë kanë marrë pjesë të dielën në marshin e organizuar nga Kolektivi “Marshojmë S’Festojmë”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. 

Në protestën me sloganin “Marshojmë për jetë me dinjitet”, pjesëmarrëset kanë bërë thirrjeve për barazi dhe drejtësi për gratë, ndërsa kërkuan edhe solidaritet mes grave. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në ndalesën para stacionit kryesor policor në Prishtinë, marshueset shprehën kritikën se kur policë, prokurorë e gjyqtarët nuk i mbrojnë gratë, ato detyrohen të mbështeten te njëra-tjetra. 

E Erza Elezaj, që është përfaqësuese e kolektivit “Marshojmë s’festojmë”, ka thënë se diskriminimi ndaj gruas është i rrënjosur edhe në institucione tjera si dhe në shoqëri. 

“Ideja e kufizuar e të qenët grua ka implikime të rënda, ku edhe para sistemit gjyqësor, ku në vend se abuzuesi të gjykohet në gjyq, gjykohet viktima e tij në ndërgjegjen shoqërore. Tash para policisë po ua rikujtojmë se ata kanë faj për çdo mosreagim të rasteve të përditshme të dhunës së raportuar, për çdo minimizim të përvojave të grave që kanë shkuar të kërkojnë ndihmë, bile-bile ata janë vetë abuzues dhe shtyllë e fortë e pabarazisë së këtij sistemi në shoqëri”, ka thënë Elezaj. 

Gjatë marshit janë shprehur edhe qëndrime politike. Në ndalesën para objektit të Qeverisë, marshueset kanë shprehur kundërshtinë për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë kjo e themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për mbikëqyrjen e paqes në zona konflikti, me fokus fillestar në Rripin e Gazës. 

“Bordi i Paqes nuk ka qëllime paqësore është një projekt që synon vjedhjen e mëtejshme të tokave palestineze. Është projekt kolonial në të cilin Kosova po merr pjesë aktivisht. … Kur shtypja normalizohet në një pjesë të botës, ajo do të lejohet edhe në pjesët e tjera. Ta rikujtojmë se si krimet serbe në Kosovë u frymëzuan nga krimet izraelite ndaj palestinezëve, prandaj të mendosh se luftërat tona janë të ndara është naive”, ka thënë një protestuese.

Një raport i Agjencisë së OKB-së për Barazi Gjinore, i publikuar me rastin e 8 Marsit, thekson se gratë e vajzat mbeten të pabarabarta para ligjit, që nga mbrojtja kundër dhunës me baza gjinore e deri te paga për punë të barabartë.

Bazuar në statistikat e Policisë, më 2025 u raportuan 2547 raste të dhunës në familje, në 80 për qind prej të cilave viktima kanë qenë gratë. Megjithëqë shifra është më e ulët se sa një vit më parë, raporti i fundit i Qendrës Kosovare për Studime Gjinore specifikon se stigma dhe frika nga hakmarrja ndikojnë ende në mosraportimin e rasteve të dhunës në familje. 

Edhe raporti i Komisionit Evropian pati konstatuar progres të kufizuar në adresimin e dhunës në familje në Kosovë.