OpEd

2026: Më pak gënjeshtra online?

Në vitin 2026, le të jemi vigjilentë dhe kritikë: të lexojmë, të verifikojmë dhe të shpërndajmë më ngadalë për një informacion më të shëndetshëm. Lufta kundër dezinformimit nuk mbështetet vetëm te qeveritë apo platformat, por te praktikat tona të përditshme. Nuk duhet të kemi dyshime për gjithçka, por të kultivojmë një higjienë digjitale, ashtu siç kujdesemi për shëndetin tonë fizik apo për ushqimin

Në fillim të çdo viti është zakon të zotohemi: për gjëra që do të përpiqemi t’i bëjmë më mirë ose më shumë – të bëjmë më shumë sport, të takohemi më shpesh me miqtë, të kemi një higjienë më të mirë të jetesës, etj. Unë propozoj që të përpiqemi të kemi një higjienë më të mirë të informacionit dhe të rrjeteve sociale.

Sepse rrjetet sociale, videot online dhe platforma të tjera ku kalojmë shumë kohë, ku relaksohemi dhe kënaqemi, janë gjithashtu hapësira ku mund të jemi të vëzhguar, mashtruar ose të manipuluar.

Në vitin 2026, le të jemi vigjilentë dhe kritikë: të lexojmë, të verifikojmë dhe të shpërndajmë më ngadalë për një informacion më të shëndetshëm.

Lufta kundër dezinformimit nuk mbështetet vetëm te qeveritë apo platformat, por te praktikat tona të përditshme.

Nuk duhet të kemi dyshime për gjithçka, por të kultivojmë një higjienë digjitale, ashtu siç kujdesemi për shëndetin tonë fizik apo për ushqimin.

Sulmet në fushën e informacionit janë një dimension kyç i konflikteve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Dezinformimi është bërë një armë lufte.

Manipulimet e informacionit nuk janë një fenomen i ri, por po industrializohen, pasi digjitalizimi ka transformuar thellësisht shtrirjen dhe ndikimin e tyre. Një studim i Massachusetts Institute of Technology (MIT) në vitin 2018 tregonte se, mesatarisht, një informacion i rremë qarkullonte gjashtë herë më shpejt se një informacion i besueshëm në Twitter. Ky fenomen nuk është ngadalësuar që atëherë. Sot është më e lehtë dhe më pak e kushtueshme se kurrë të zhvillohen fushata të sofistikuara dezinformimi.

Lufta informative përdor vazhdimisht teknika të reja për të dobësuar demokracitë tona. Mënyrat e veprimit bëhen gjithnjë e më komplekse, siç është evidentuar nga shërbimi teknik francez për mbrojtjen ndaj ndërhyrjeve digjitale të huaja: një seri llogarish false apo faqe interneti të rreme, për shembull.

Kufiri midis botës digjitale dhe realitetit është zhdukur. Kur një thashetheme qarkullon online, ajo mund të shndërrohet në protesta armiqësore ose dhunë.

Rusia nuk është aktori i vetëm i dezinformimit, por ajo mobilizon burime pa krahasueshëm me vendet e tjera. Ajo synon veçanërisht evropianët dhe Francën, duke zgjatur në hapësirën digjitale ofensivën e saj në Ukrainë.

Franca është një target kryesor i manipulimeve dhe ndërhyrjeve digjitale të huaja. Ajo është vendi i dytë më i shënjestruar pas Ukrainës në Evropë, sipas një raporti të Shërbimit Evropian të Veprimit. Në 2024, 152 sulme informative ishin drejtuar kundër Francës, kryesisht në kuadër të Lojërave Olimpike në Paris dhe zgjedhjeve legjislative.

Kjo lidhet me dendësinë e lidhjeve të Francës me jashtë dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për një rend ndërkombëtar bazuar në ligj. Konkurrentët e saj e sulmojnë Francën, sepse ajo kundërshton brutalizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe refuzon përdorimin e forcës pa kufij.

Aktualisht, një aktor i ri i rëndësishëm në sulmet informative ka dalë nga Shtetet e Bashkuara: përdorues dhe llogari online me shumë ndjekës që synojnë në mënyrë të koordinuar çdo zë që konsiderohet disonant. Fushatat aktuale kundër të ashtuquajturave pengesa ndaj lirisë së informacionit në Evropë janë një shembull kryesor. Këto sulme paraqesin një sfidë konkrete për demokracitë tona.

Strategjia e Francës ndaj manipulimeve të informacionit

Franca ka forcuar një sistem reagimi ndaj manipulimeve të informacionit: krijimi i një shërbimi për burime të hapura (Viginum) për të karakterizuar ndërhyrjet digjitale të huaja, sidomos gjatë zgjedhjeve; forcimi i mbrojtjes së operacioneve ushtarake jashtë vendit; përmirësimi i mekanizmave të alarmit dhe reagimit, përfshirë krijimin e një faqeje të quajtur FrenchResponse në X.

Franca mbështet gjithashtu ekosistemet mediatike dhe reziliencën e tyre. Qëllimi është i trefishtë: përmirësimi i mjedisit mediatik; mbështetja e prodhimit të informacionit të besueshëm dhe rrjeteve të verifikuesve të fakteve; forcimi i edukimit mediatik. Ne mbështesim partnerët tanë të besueshëm në Kosovë si dhe në vende të tjera.

Gjithashtu, duhet të mbikëqyrim rregullimin e platformave. Gjatë presidencës franceze të Bashkimit Evropian në 2021, Franca koordinoi miratimin e Digital Services Act (DSA). Ky ligj detyron platformat të pajisen me mjete për luftimin e dezinformimit, sidomos në zgjedhje, dhe të jenë më transparente për algoritmet e tyre. Franca ka denoncuar restrikcionet e vizave nga SHBA-ja  ndaj personaliteteve evropiane që punuan për këtë ligj. DSA u miratua në mënyrë demokratike në Evropë për ta bërë të paligjshme online atë që është e paligjshme offline. Ky rregull evropian mbron shtetin e së drejtës, debatet demokratike dhe të drejtat e qytetarëve. Ai nuk ka asnjë efekt ekstraterritorial dhe nuk synon ndonjë vend apo kompani specifike. Rregullat që zbatohen në hapësirën digjitale evropiane nuk duhet të përcaktohen jashtë Evropës.