OpEd

Kur Afganistani ishte parajsë financiare për kosovarët

Vlerësohet se vetëm në dekadën e parë të rindërtimit të Afganistanit, rreth tetë mijë kosovarë kanë qenë të angazhuar në periudha të ndryshme në Afganistan

Rënia e Qeverisë Afgane në duart e talebanëve ishte lajmi kryesor i ditëve të fundit. Kosova u përfshi në këto zhvillime edhe për faktin se ishte ndër vendet e pakta të cilës iu kërkua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të strehojnë një numër të afganëve, të cilët duhet të largohen nga Afganistani për shkaqe sigurie. Qeveria e Kosovës pranoi strehimin e një numri ende të papërcaktuar të afganëve. Në masë të madhe kjo u prit mirë edhe nga opinioni publik.

Por kosovarët kanë lidhje shumëvjeçare me Afganistanin. Për shumë vjet, me mijëra kosovarë kanë përfituar miliona euro paga si punëtorë të kontraktuesve të ndryshëm amerikanë në Afganistan. Në një analizë të Institutit GAP të publikuar në nëntor të vitit 2011 jepen shifra të detajuara për numrin e kosovarëve të angazhuar në Afganistan dhe pagat e tyre.

Sipas raportit të GAP-it, gjatë muajve shtator - nëntor të vitit 2011, një dekadë pas pushtimit të Afganistanit nga forcat aleate ushtarake të prira nga ShBA-ja, 2.100 kosovarë ishin të angazhuar në punë të ndryshme në këtë vend. Kurse nga viti 2001 e deri më 2011 numri i kosovarëve që janë angazhuar në Afganistan në periudha të ndryshme sillej mes shtatë deri tetë mijë persona. Kosovarët kryenin punën e drejtuesve të automjeteve, mekanikë, mirëmbajtës të pajisjeve, e punë të tjera fizike.

Pagat e këtyre punëtorëve, sipas marrëveshjes me kontraktuesit amerikanë, derdheshin në xhirollogaritë bankare në Kosovë dhe madje kryesisht në dy bankat më të mëdha të asaj kohe. Kjo e bënte më të lehtë edhe analizimin e dërgesave financiare nga Afganistani për në Kosovë. Kosovarët ishin të angazhuar kryesisht në kompanitë amerikane “Fluor Group”, “Dyncorp International” dhe “Kellogg Brown & Root”, kontraktues të cilët ishin angazhuar edhe në ndërtimin e bazës ushtarake “Bondsteel” në afërsi të Ferizajt. Kjo bazë në fillim të viteve 2000 punësonte deri 2.500 kosovarë, kryesisht nga rajoni i Anamoravës.

Në Afganistan paga bazë vjetore e punëtorëve nga vendet në zhvillim, ky hyjnë edhe vendet e Ballkanit, sillej mes 14.800 dollarë deri 29.700 dollarë. Kurse të hyrat vjetore nga Afganistani për ekonominë e Kosovës silleshin nga 50 milionë euro deri 55 milionë euro. Pjesa më e madhe e punëtorëve kosovarë në Afganistan ishte nga rajoni i Ferizajt, apo 56% e të punësuarve në Afganistan vinin nga ky rajon. Pas Ferizajt vinin punëtorët nga rajoni i Prishtinës (21%), rajoni i Gjilanit (19%), kurse rajonet e tjera nuk e kalonin 1% të të punësuarve në Afganistan.

Edhe pse dërgesat nga Afganistani nuk llogariteshin si remitenca nga Banka Qendrore e Kosovës, nëse krahasohen me remitencat nga vendet e tjera, dilte se Afganistani renditej menjëherë pas Gjermanisë dhe Zvicrës sa u përket dërgesave monetare në Kosovë.

Në atë kohë institucionet e Kosovës nuk kishin asnjë informatë se sa kosovarë ndodhen me punë të përkohshme në Afganistan. Puna në këtë vend nuk ka qenë pa rrezik. Nga viti 2001 e deri në vitin 2011, 78.595 punëtorë të kontraktues amerikanë ishin lënduar, kurse 2.871 punëtorë kishin humbur jetën.

Nga ata që kanë humbur jetën e kanë qenë në rrezik janë edhe kosovarët. Në tetor të vitit 2004 u kidnapua kosovarja Shqipe Hebibi, e cila punonte si staf i OKB-së në Afganistan dhe u lirua pas gati një muaji. Në tetor të vitit 2011 një punëtore nga Ferizaj humbi jetën në Afganistan. Nuk dihet numri i kosovarëve të lënduar gjatë punës në Afganistan përgjatë viteve. Tani, sipas informatave që posedojnë institucionet e Kosovës, vetëm tre kosovarë kanë qenë në Afganistan në momentin kur vendi ka rënë në duart e talabanëve dhe dy prej kosovarëve kanë arritur të largoheshin nga vendi.

Nëse përfitimet ekonomike nga Afganistani kanë shkuar deri në 55 milionë euro në vit, atëherë vetëm në dekadën e parë të rindërtimit të Afganistanit kosovarët kanë përfituar rreth gjysmë miliardi euro. Tani, më e pakta që mund të bëjë Kosova, është që t’u dalë në ndihmë atyre afganëve që për shkak të pasigurisë janë shndërruar në refugjatë. Ndoshta refugjatë të përjetshëm.