Arbëri

Refugjatët afganë: Në Kosovë, si në burg

Një ish-zyrtar i inteligjencës afgane, që punoi ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas sulmeve të 11 shtatorit, ka thënë se ai dhe 45 refugjatë të tjerë afganë janë ngujuar në kushte të rënda në bazën ushtarake amerikane në Kosovë, që kur u evakuuan prej SHBA-së nga Afganistani verën e kaluar. Sipas tij, në Kosovë jetojnë “si të burgosur”.

Muhammad Arif Sarwari, i njohur si “Arif inxhinieri”, kishte bashkëpunuar me CIA-n gjatë ndërhyrjes së Amerikës në Afganistan më 2001. Ai shërbeu si top-zyrtar i inteligjencës dhe si politikan para se talebanët të rikthenin kontrollin gushtin e shkuar.

“Ka njerëz këtu që kanë qenë në Ministrinë e Mbrojtjes së Afganistanit, që kanë punuar në CIA, në Ambasadën e SHBA-së në Kabul, zyrtarë policorë dhe të tjerë që kanë ikur nga Talebani”, ka thënë Sarwari për “CBS News” me një mesazh telefonik nga Kampi i “Bondsteelit” në Kosovë. “Nuk kemi aspak lirinë që të largohemi nga zona. Kemi qasje vetëm në një fushë, në banjë, dhomën e ngrënies dhe tendat tona... Jo vetëm që s’jemi në gjendje të largohemi nga kampi, por as që mund të flasim me shumicën e vizitorëve”.

Ai ka thënë se bashkë me refugjatët tjerë nga Afganistani fillimisht ishte dërguar në Kuvajt dhe Katar, por më pas ishin nisur drejt Kosovës për kontrolle të mëtejme. Sipas tij, kur ka përfunduar në “Bondsteel” i është thënë se nëse refugjatëve u duhet të qëndrojnë më shumë se disa javë, do t’u sigurohet strehim më i mirë.

Megjithatë, sipas tij, asgjë s’ka ndryshuar qe nëntë muaj, përpos që disa refugjatëve u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Image

Kjo, plus mungesa e informatave, ka nxitur protestë të afganëve në Kosovë këtë muaj, shkruan “CBS News”. Në grupe të vogla, ata kanë protestuar me thirrjet “Shkelje e të drejtave të njeriut”, “Sa gjatë duhet të vuajmë”, “Duam drejtësi” dhe “Duam liri”. Fëmijët ishin në mesin e fotografive të refugjatëve.

“Jam këtu me bashkëshorten dhe dy vajzat. Pas 3-4 muajsh qëndrimi, na ofruan mësim për fëmijët dhe ua dhanë disa lodra për t’i mashtruar. Nuk ka shkollë tamam”, ka thënë ai.

Ai beson se stresi ka shkaktuar probleme shëndetësore në kamp.

“I vetmi udhëtim që kemi bërë deri tash ka qenë për në spital. Njëri këtu ka pasur sulm në zemër dhe ishte gati të dërgohej direkt në SHBA për operim. Kjo shkaktonte stres. Disa zonja këtu përjetuan dështime të shtatzënive për shkak të stresit. Edhe ne kemi pasur probleme shëndetësore”, ka thënë tutje Sarwar.

Një tjetër refugjat afgan në këtë kamp, që po ashtu ka punuar me SHBA-në në Afganistan gjatë luftës, ka thënë se ishte në mesin e afganëve të cilëve u është refuzuar viza për të shkuar në SHBA, pas disa muajsh qëndrimi në “Bondsteel”. Ai ka kërkuar të mbetet anonim që ta mbrojë familjen, e cila është ende në Afganistan.

Ky refugjat ka deklaruar se pasi iu refuzua hyrja në SHBA, i është thënë se Departamenti i Shtetit do të angazhohej që t’i siguronte vizë për një tjetër shtet të sigurt. Pas dy muajsh pritjeje për vizë, i është thënë së fundmi se s’do të jetë në gjendje që të shkojë në një shtet tjetër ku ka kërkuar.

Refugjati ka thënë se ishte i vendosur të largohej nga kampi që të nisë të fitojë para për të përkrahur familjen në Afganistan dhe se po konsideronte të largohej nga kampi.

“Jemi duke jetuar në kamp që nga dita e parë si të burgosur, madje edhe më keq se të burgosurit; ata kanë të drejtë të punojnë dhe të drejtë të gjejnë diçka për t’i financuar familjet e tyre, por përse ne s’e kemi këtë të drejtë?” ka thënë ai në letrën që ia ka dërguar Departamentit të Shtetit, më 25 qershor. “Përse jemi të privuar nga të gjitha liritë? Nuk na lejohet të dalim jashtë kampit. Përse nuk kemi qasje në shërbime ligjore? Mediat nuk lejohen të hyjnë brenda në kamp dhe neve nuk na lejohet që individualisht të kërkojmë zgjidhje për veten”.

Departamenti i Shtetit nuk ka komentuar raportimet. Një zyrtar i “Bondsteelit” ka thënë se po shqyrtohet kërkesa e “CBS”-it për ta vizituar kampin.

Javën e shkuar, tre refugjatë në bazë – dy nga të cilët kanë punuar për Shërbimin Afgan të Sigurisë nën qeverinë e mëhershme – kanë kërkuar leje nga SHBA-ja për t’u kthyer në Afganistan dhe kërkesat u janë pranuar, ka thënë refugjati që deshi të mbetej anonim.

“Me t’u kthyer në Afganistan, do të duhet të përballen me kërcënime për jetë e ndoshta edhe do të vriten”, ka shkruar ai në letrën drejtuar DASH-it. “Kush do të jetë përgjegjës nëse vriten?”

Ai ka thënë se s’ka marrë përgjigje në letrën e tij.

“Arif inxhineri” ka thënë se aplikimi i tij për vizë speciale po shqyrtohet ende, por se “ende s’dihet gjë për të”. Ka deklaruar se i është thënë që SHBA-ja po punon në migrimin e tij dhe të familjes në një shtet të tretë, ku kanë të afërm. Megjithatë ka shtuar se ende s’ka marrë përgjigje.

“Pas ‘9/11’, kam mirëpritur grupin e parë amerikan që erdhi në provincën Panjshir atë kohë dhe duket kontradiktore në krahasim me emrin e misionit të tyre, ‘Operacioni mirë se vini aleatë’ që të mos mirëpresin dikë që i ka mirëpritur ata paraprakisht”, ka thënë Sarwari.

SHBA-ja ia dha këtë emër operacionit të evakuimit të afganëve që kanë përkrahur SHBA-në pasi talebanët rikthyen pushtetin në Afganistan vitin e shkuar.

“Njerëzit këtu kanë punuar me SHBA-në kundër terrorizmit dhe kanë rrezikuar jetët e tyre për këtë qëllim dhe janë të pafajshëm, por prapëseprapë disa s’lejohen të shkojnë. Përderisa të tjerët kanë të ardhme të paqartë. Ekipi i verifikimit dhe Washingtoni kanë dështuar totalisht, siç kanë dështuar në Afganistan”.