Arbëri

BE-ja nis punët për heqjen graduale të disa masave ndaj Kosovës

Në Ditën e Evropës, në Bruksel janë dhënë sinjale për heqje graduale të masave ndaj Kosovës. Burime të KOHËS kanë thënë se punën për këtë tashmë e kanë nisur strukturat e Bashkimit Evropian, ani se ky proces mbetet shumë i paqartë dhe jotransparent nga ana e Komisionit Evropian

Përderisa Kosova, si një ndër vendet e rralla në Evropë e shënon Ditën e Evropës si festë kombëtare, ajo ka mbetur i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që prej dy vjetësh është nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE).

Por KOHA ka mësuar se në strukturat e BE-së ka filluar puna për heqjen graduale të disa masave, edhe pse ky proces mbetet shumë i paqartë dhe jotransparent nga ana e Komisionit Evropian (KE).

“Si vazhdim i debatit që kishin ministrat e jashtëm në takimin e tyre muajin e shkuar, Shërbimi i Veprimit të jashtëm (EEAS) dhe Komisioni Evropian kanë nisur punën drejt heqjes graduale, të kushtëzuar dhe të kthyeshme të masave ndaj Kosovës”, kanë konfirmuar për KOHËN burime në BE.

Sipas burimeve diplomatike, për heqjen e masave ndaj Kosovës insistohet më shumë nga EEAS-i, ndërsa Komisioni Evropian është më hezitues.

Masat ndaj Kosovës u patën vendosur me një vendimmarrje brenda disa ditësh, ndërsa tash për heqjen e tyre është duke u diskutuar me muaj të tërë, pa asnjë hap konkret.

Burimet diplomatike në BE kanë pohuar se janë disa shtete, si Franca, Italia, Hungaria dhe Sllovakia, që hezitojnë të mbështesin heqjen e masave ndërsa këtë e shfrytëzojnë dhe Komisioni Evropian, i cili dëshiron që masat të jenë në fuqi sa më shumë që të jetë e mundur. Për këtë, në Komision e përmendin si argument “kundërshtimin e disa vendeve anëtare”.

Së shpejti do të mbushen dy vjet prej kur BE-ja ka vendosur masat ndaj Kosovës, për shkak se autoritetet në Prishtinë janë konsideruar përgjegjësie për dhunën dhe për tensionet e vitit 2023 në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Nga ana tjetër, nuk ka pasur kurrfarë masash ndaj Serbisë as pas sulmit të shtatorit të 2024-s në Banjskë.

Një qasje të tillë, shumë shtete të BE-së e konsiderojnë si “jo të balancuar nga ana e BE-së”.

KOHA ka mësuar se “heqja graduale” e masave do të nisë me lejimin e pjesëmarrjes së Kosovës në takimet e nënkomisioneve për Kosovën, si dhe në takimet për asistencën teknike nga Fondi i investimeve në Ballkanin Perëndimor. Kjo, sipas burimeve të BE-së, do të jetë një heqje simbolike e disa masave. Por as kjo nuk ka ndodhur akoma.

Disa zyrtarë të BE-së kanë thënë se “as Kosova nuk po ndihmon që t’i ndihmohet” dhe se ajo “nuk po bën hapa për të rritur gjasat për heqjen e masave”. Burimet kanë rikujtuar se në konkluzat e takimit të Këshillit të BE-së në muajin dhjetor të vitit të shkuar u pati thënë se heqja e masave do të jetë graduale dhe se ajo do të shkojë paralelisht me hapat që duhet t’i ndërmarrin autoritetet në Kosovë drejt uljes së tensioneve në veri.

E pak orë para njoftimit nga burimet në BE, presidentja Vjosa Osmani i ka adresuar sërish thirrje Bashkimit Evropian që t’i heqë masat ndëshkuese kundër Kosovës dhe t’i shqyrtojë “me seriozitet politikat destabilizuese” të Serbisë.

Në një shkrim në Facebook për Ditën e Evropës, e cila është festë zyrtare në Kosovë më 9 maj, Osmani ka thënë se është e rëndësishme që pikërisht në këtë ditë të kërkohet “me një zë heqja e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”.

Osmani ka bërë thirrje po ashtu për “trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë, të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te [presidenti rus Vladimir] Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”.

Ajo ka theksuar se, në mënyrë që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, “duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”.

Vuçiqi ka mbërritur në Moskë të enjten për të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe është takuar me presidentin rus Putin për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në BE kanë shprehur keqardhje të thellë për shkuarjen e Vuçiqit në Moskë dhe pjesëmarrjen në një ngjarje që Rusia, sipas Brukselit, e shfrytëzon për qëllime propagandistike.

Derisa Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat, Serbia është në proces negociatash për anëtarësim në BE që nga viti 2014, por nuk ka hapur asnjë kapitull të ri që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të refuzimit për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit, autoritetet në Beograd kanë vazhduar të ruajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën.

BE-ja i pati vendosur masa ndëshkuese Kosovës më 2023 pas rritjes së tensioneve në veri dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.