Kronikë

Një i vdekur dhe një e lënduar nga therja me thikë në Rrugën B

Një krim me fatalitet ka ndodhur pasditen e së premtes në një ndërtesë afër Rrugës B, në Prishtinë. Një burrë ka mbetur i vdekur nga plagët që i janë shkaktuar me thikë, ndërsa një grua ka pësuar lëndime. Në Polici nuk kanë dhënë ndonjë informacion për të dyshuar potencialë

Një 34-vjeçar është vrarë dhe një 30-vjeçare është lënduar si pasojë e plagëve që u janë shkaktuar me thikë, në një ndërtesë afër Rrugës B, në Prishtinë.

Në Polici kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të premten, porse nuk kanë dhënë ndonjë informacion për të dyshuar potencialë.

“Me të marrë informatën, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara femër, 30-vjeçare, është dërguar për tretman mjekësor. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë”, kanë njoftuar në polici.

Sipas burimeve të KOHËS, 30-vjeçarja e lënduar ka kërkuar ndihmë mjekësore në një klinikë dentare afër ndërtesës, ku ka ndodhur krimi. Më pas, ajo është përcjellë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Naser Syla, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, ka thënë për KOHËN se 30-vjeçarja nuk ka pasur lëndime serioze dhe se është liruar, e përcjellë nga policia.

“Është trajtuar në Qendrën Emergjente dhe është lëshuar në përcjellje të Policisë. Nuk ka serioze asgjë”, ka thënë ai.

Pas ekzaminimit në vendin e ngjarjes, trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga ekipet e Mjekësisë Ligjore. Sipas Policisë, hetuesit i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i zbardhur rrethanat e vrasjes.

Edhe të martën ka ndodhur një krim i përmasave të ngjashme. Një 15-vjeçare ka mbetur e vdekur nga plagët që i janë shkaktuar me thikë në banesën ku jetonin në Prizren, kurse motra e saj 10 vjeçe është plagosur. Sipas autoriteteve, i dyshuar për kryerjen e krimit është babai i tyre, 44-vjeçar, i cili ka shtetësi të Turqisë, por që prej gjashtë muajsh është vendosur në Kosovë.