Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Fitimet e sektorit financiar nuk duhet të rezultojnë me humbje biodiversiteti

Kur vjen puna te biodiversiteti dhe kategoria e gjerë e kapitalit natyror, shumica e investitorëve ende sillen sikur këto asete të ishin të pakufizuara, edhe nëse shterohen apo shkatërrohen

Londër – Ju mund të prisni që institucionet financiare ta kuptojnë investimin në asete që sjellin kthime të mëdha. Por kur vjen puna te biodiversiteti dhe kategoria e gjerë e kapitalit natyror, shumica e investitorëve ende sillen sikur këto asete të ishin të pakufizuara, edhe nëse shterohen apo shkatërrohen. Ata vazhdojnë të mendojnë se shërbimet që i ofrojnë këto asete janë të lira, edhe pasi pandemia COVID-19 ka treguar koston pothuajse të pakufizuar të injorimit të shkeljes së njerëzve ndaj botës natyrore.

Mungesa e induktuar nga njerëzit në mjedisin natyror është fakt dhe është duke ndodhur shpejt. Raporti “Living Planet” nga Fondi Botëror i Botës së Egër ka treguar ulje mesatare prej 68 për qind në masat e popullsisë së botës së egër mes viteve 1970 dhe 2016. Pashmangshëm, aty ku dëmtohet popullata, vjen edhe zhdukja. Sipas Platformës Ndërqeveritare Shkencë-Politikë për Shërbimet e Biodiversitetit dhe Ekosistemit, rreth një milion specie – apo rreth një e katërta e të gjitha kafshëve dhe grupeve të gjalla – janë të rrezikuara me zhdukje brenda dekadash, po qe se nuk merret ndonjë aksion për t’i zbutur faktorët e humbjes së biodiversitetit.

Duke e ditur mungesën e popullatës së botës së egër dhe projektimet për zhdukje, politikanët zakonisht bëjnë thirrje për veprime, por e ndalojnë shpejt zbatimin e masave të nevojshme. Dhe tani, përderisa është e qartë nga reagimi ndaj klimës klimatike, nëse qytetarët angazhohen dhe u bëjnë presion liderëve, mosveprimi kthehet në çmim të kushtueshëm politik. Ligjbërësit evropianë kanë vendosur për ta përqafuar veprimin e madh për ndryshimin klimatik – nëpërmjet masave që sillen nga lidhja e caqeve të energjive të ripërtëritshme deri te çmimi i karbonit – për shkak se e kanë ditur që ka qenë përgjegjësi e tyre për ta shmangur përçarjen masive që e ka pritur një botë që është nxehur deri në disa gradë.

Fatmirësisht, e ardhmja e biodiversitetit së shpejti do të përfitojë nga vendime të ngjashme – dhe mundësitë që i vendosin. Politika dhe shkenca tashmë shpejt po pajtohen për humbjen e biodiversitetit dhe kapitalit natyror. Edhe ekzistenca, edhe shkaqet e problemit tashmë dihen nga politika. Sidoqoftë, për shkak të buxhetit të dobësuar në mënyrë dramatike, qeveritë nuk do të mund të paguajnë për fazën e ardhshme, në të cilën në fakt adresohet problemi.

Edhe OpEd Mbushja e boshllëkut të financave mjedisore

Rregullatorët po i nxisin institucionet financiare në drejtim të standardeve të raportimit dhe hapjes që mund t’i bëjnë investimet e gjelbra më transparente dhe të tërheqin kapital privat shumë të nevojshëm. Tregjet e shohin dhe po i përgjigjen këtij ndryshimi: asetet e tëra nën menaxhim për fonde duke theksuar faktorët mjedisorë, socialë dhe qeveritarë janë rritur në 1.1 trilionë në çerekun e dytë të këtij viti.

Shoqëria civile po ndikon që të dëgjohet zëri i saj dhe po bën thirrje për ndryshim të shpejtë. Muajin e kaluar, Portfolio Earth ka publikuar raportin “Bankrolling Extinction”, ku kanë llogaritur ekspozimin e 50 bankave më të mëdha në botë posaçërisht ndaj sektorëve të “ndikimit të biodiversitetit”, përfshirë agrokulturën, pylltarinë, minierat, peshkatarinë, infrastrukturën dhe transportin. Ekspozimi i vetëm tri bankave kryesore – “Bank of America”, “Citigroup” dhe “JPMorgan” – ka arritur 550 miliardë dollarë në 2019, kurse kreditë në këta sektorë nga të 50-tat kanë kaluar shifrën prej 2.6 trilionë dollarësh.

Shumë pak prej bankave të vlerësuara kishin pasur sisteme raportimi për ta matur ndikimin e kredive të tyre në biodiversitet, hapi i parë drejt uljes së efekteve anësore. Dhe, përveç disa bankave kryesore evropiane, shumë pak e kanë bllokuar financimin e kompanive duke shkaktuar më së shumti dëm.

Raporti “Bankrolling Extinction” vë në dukje dobësitë e sistemeve financiare dhe sugjeron që shtresat e baraspeshës së bankave janë në rrezik. Ky rrezik reflekton dëmin në biodiversitet, që rrezikon ulje të prodhimit (për shembull, prodhimi i ushqimit, për shkak të uljes së peshkimit) dhe perspektiva e ligjeve të reja, që mund t’i nënvlerësojnë investimet komerciale, si koncesionet e pylltarisë dhe minierave.

Sikurse tregon edhe raporti, reputacionet e institucioneve financiare janë në rrezik gjithashtu.

Edhe OpEd Në mbrojtje të tregjeve të karbonit të bazuara në natyrë

Në financat për biodiversitet, besojmë se ndryshimi sistematik radikal është i nevojshëm për t’i reformuar rregullat, të drejtat dhe normat. Muajin e kaluar, kemi bërë disa rekomandime që shpresojmë se do të mund t’i udhëzojnë liderët në këtë fushë.

Institucionet financiare mund t’i zbatojnë shumë prej këtyre ndryshimeve vetë, që mund të krijonte avantazh të lëvizjes së hershme apo t’i zbarojnë sapo që rregullatorët t’i bëjnë obligative. Këtu përfshihen matja dhe shpalosja e ndikimit të aktiviteteve të tyre në biodiversitet dhe rreziqet e pritura. Duke i vënë në dispozicion të dhënat kaq të rrezikshme, huadhënësit mund t’u ndihmojnë kompanive, qytetarëve, rregullatorëve dhe qeverive që t’u bashkohen pikave mes humbjes së biodiversitetit dhe ekonomisë së vërtetë, kështu duke i identifikuar rreziqet dhe mundësitë dhe duke e larguar një krizë financiare të lidhur me biodiversitetin.

U rekomandojmë ligjbërësve që të qasen në tri mënyra. Së pari, duhet ta vlerësojnë ndikimin e vetë veprimeve të tyre për biodiversitetin, për shembull, nëpërmjet blerjeve të obligacioneve të korporatave nëpërmjet të ashtuquajturit lehtësim sasior nga bankat qendrore. Së dyti, rregullatorët duhet ta shtojnë rolin e tyre të kujdesshëm në ekspozimin biodiversitar të institucioneve dhe ndikime. Dhe e treta, ligjbërësit mund t’i përdorin kushtet dhe rregullat për t’i licencuar firmat financiare për t’i ndryshuar normat e industrisë.

Qeveritë duhet t’i reformojnë sistemet ligjore për ta hequr mburojën e institucioneve financiare dhe ta rrisin përgjegjësinë e kompanive për humbje të biodiversitetit ndaj bankierëve të tyre dhe kreditorëve të tjerë. Mbajtja e institucioneve financiare ligjërisht të përgjegjshme për dëmtim të shkaktuar nga përdorimi i kapitalit të tyre është vështirë se është e paparë. Autoritetet duke hulumtuar krime dhe shkelje të të drejtave të njeriut në mënyrë rutinore vendosin sanksione financiare, kur ligjet lokale apo ndërkombëtare nuk përshtaten me qëllimin.

Edhe OpEd Çfarë mund të bëjë Banka Botërore për ndryshimet klimatike

Biodiversiteti mund të jetë më i rëndësishëm në vendimet financiare vetëm duke përshtatur ndryshime sistematike që e njohin ndërlidhshmërinë e shoqërisë, ekonomisë dhe planetit tonë. Vetëm se ndryshimet e tilla mund ta ulin presionin në biodiversitet dhe mund të shfaqin mundësi financiare që mund të fitohen duke i ruajtur burimet tona natyrore.

(Robin Smale, drejtor dhe bashkëthemelues i “Vivid Economics”, është anëtar i Grupit të Lidershipit të Nismës “Financat për Biodiversitet”. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).