Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati: Kosova s’do të jetë e njëjta nga 16 shtatori

Pa marrë parasysh verdiktit të Gjykatës Speciale për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte, Kosova nuk do të jetë e njëjta nga 16 shtatori, ka vlerësuar Valon Murati, ligjërues i shkencave politike.

Në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se pos çështjes së imazhit të Kosovës, ndikimi do të ishte i madh edhe në skenën politike, sidomos në situatën aktuale.

“Variabla e 16 shtatorit mund të prodhojë diçka, që nëse e fusim në ekuacionet e tanishme politike mund të shtrojë rrugën e një zgjidhjeje të ardhshme, jo domosdo menjëherë, por në planin afatmesëm mund të ndikohet...”, ka thënë Murati në “Interaktiv” të KTV-së. 

Ai ka vlerësuar se një verdikt potencial negativ për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin do të dëmtonte imazhin e Kosovës dhe do t’i jepte Serbisë “adutë për të sulmuar”. Megjithatë, sipas tij, edhe nëse ka verdikt negativ ndikimi në imazh do të jetë në periudhë më afatshkurtër. Ai ka thënë se “në periudhë afatmesme e afatgjatë, lufta e UÇK-së do të mbetet në piedestali më të lartë si kontributori kryesor i lirisë së Kosovës”.

E sipas tij, në skenën e brendshme politike pa marrë parasysh vendimit, Partia Demokratike e Kosovës do të ishte “epiqendra” e ndryshimeve. Në rast të vendimit pozitiv, atë të lirimit, dhe të kthimit të Thaçit dhe Veselit në PDK, sipas Muratit, do të kishte konsolidim të partisë më të madhe opozitare. E sipas tij, edhe po që se ka vendim negativ, PDK-ja “do të duhet t’i kthehet vetes, të konsolidohet dhe të kalohet nga një parti që është në pritje, në një që prodhon vizion”.

Edhe Murati: Cilido vendim ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ketë ndikim në skenën politike Arbëri Murati: Cilido vendim ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ketë ndikim në skenën politike

“Ka shumë të panjohura, por se Kosova nuk do të jetë e njëjta, por edhe skena politike do të ndikohet, nuk ka më asnjë dyshim”, ka thënë Murati.

Murati ka thënë se për formimin e Speciales, atë kohë liderët kanë qenë nën presion të madh, por sipas tij, po që se do të rezistohej, në kohën aktuale një projekt i tillë do të vdiste nën administratën e Donald Trumpit në SHBA.

Gjykata Speciale më 16 shtator do të shpallë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të cilët akuzohen për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit. Ata janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

“Maska e VV-së”

Duke folur për ngërçin aktual politik në Kosovë, Murati ka thënë se nuk po sheh vizion tek opozita për të lëvizur drejt një optimizmi të ri.

Sipas tij, “zgjidhja është te zgjedhjet”.

“Qytetarët duhet të dinë se kë do të duan ta votojnë, për të bllokuar institucionet apo për të zgjidhur ngërçin”, ka thënë ai, duke komentuar kundërshtimin e Vetëvendosjes për nënkryetarët e propozuar të Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike.

Edhe Hamza: Kosova të mos mbetet pa kuvend, 16 shtatori datë tepër e rëndësishme Arbëri Hamza: Kosova të mos mbetet pa kuvend, 16 shtatori datë tepër e rëndësishme

Murati e ka cilësuar “maskë” reagimin e Vetëvendosjes kundër Igor Simiqit që e propozoi për nënkryetar Sllavko Simiqin me fjalët “në emër të popullit serb”. Sipas tij, reagimi ishte “maskë për çështjen e bllokadës së nënkryetarëve shqiptarë”.

Ai e ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për bllokada të njëpasnjëshme. Sipas tij, Kurti po i shantazhon qytetarët “ose m’i jepni mua 70 për qind për t’i formuar të gjitha institucionet, ose kështu do ta keni”.