Nesër, Presidenti amerikan, Biden do ta hap samitin e parë global të demokracisë. Pardje, ndërkaq, SHBA-të aprovuan të parën strategji për luftimin e korrupsionit (“U.S. Strategy on Countering Corruption”). Që të dyja po globalizojnë çështjet, që deri dje konsideroheshin “të brendshme”.
Siç paralajmëronte Biden: “Demokracia nuk ndodhë si aksident. Ne duhet ta mbrojmë atë, të luftojmë për të, ta forcojmë dhe ta rinovojmë atë“; ndërkaq, “korrupsioni është kancer i shoqërisë dhe kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”.
Punët e brendshme, pra po globalizohen dhe mburoja e sovraniteteve të dhunshme po bie. Urat demokratike, po zëvendësojnë muret autokratike. Po plasaritet guaca mbrojtëse e diktatorëve. Çështjet e brendshme, po bëhen çështje botërore. Marrëdhëniet ndërkombëtare me fytyrë njerëzore, po zëvendësojnë ato shtet-centrike. Korrupsioni u bë kërcënim strategjik, e demokracia vlerë globale.
Koha e autokratëve të korruptuar kaloi. Mburoja e stabilokracisë nuk u ndihmon më.