Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani sot do të jetë folëse karshi liderëve botërorë në Samitin për Demokraci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën do të jetë folëse në seancën plenare në Samitin për Demokraci karshi liderëve botërorë. Për herën e dytë, Osmani ka marrë ftesë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci që do të organizohet sot në mënyrë virtuale.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani do të jetë folëse së bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Samiti për Demokraci pritet të hapet sot orën 12:00, ndërsa seanca plenare pritet të fillojë nga ora 15:00.

Në seancë plenare do të flasë edhe, sipas njoftimit, kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministrja e Islandës, Katrín Jakobsdóttir, presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerë shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas.

“Samiti për Demokraci do të hapet nga presidenti Joe Biden në orën 12:00 dhe do të bashkojë vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit”, vijon njoftimi.

Edhe Bideni fton Osmanin në Samitin e dytë për Demokraci Arbëri Bideni fton Osmanin në Samitin e dytë për Demokraci

Më 9 dhjetor 2021, Osmani pati përfaqësuar Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci.

Sivjet, ky samit organizohet nga SHBA-ja në bashkëorganizim me Kosta-Rikën, Holandën, Korenë dhe Zambinë. Ai organizohet për dy ditë, më 29 dhe 30 mars. Samiti mbledh liderët botërorë në format virtual plenar.