Ambientalizmi modern tani mund të ketë nevojë për një rishqyrtim të metodave të tij. Teksa lufta në Evropën Lindore po zvarritet, veçse është e qartë se veprimi nuk mund të lejojë më anashkalimin e natyrën e pushtetit politik. Mbrojtja e vetëvendosjes dhe veprimi politik tani duhet të bëhen një parim themelor i veprimit mjedisor
Lufta e Rusisë në Ukrainë është tragjike, e tmerrshme dhe papërshkrueshëm e trishtë. Është njashtu një pikë kthese e papritur për ambientalizmin. Deri para pak ditësh, ndryshimet klimatike kryesonin agjendën globale, me objektivat e bazuara në shkencë që e tregonin rrugën drejt një të ardhmeje më të pastër dhe më të qëndrueshme. Mirëpo tani, vendimi i pamatur i presidentit rus, Vladimir Putin, për ta pushtuar një vend sovran dhe për të kërcënuar me luftë bërthamore i ka zbuluar dobësitë në arkitekturën e rregullave ndërkombëtare dhe në qeverisjen shumëpalëshe. Është e vështirë që të besohet se përpjekjet globale mjedisore kanë ndonjë shans për sukses brenda një sistemi kaq të brishtë.
Në mënyrë të habitshme, ky perceptim ende nuk u është shfaqur atyre që merren me punë mjedisore. Një javë pas luftës, Kombet e Bashkuara e përshëndetën marrëveshjen e madhe për plastikën njëpërdorimëshe si “fitore” për planetin e Tokës. Por marrëveshje të këtilla varen nga njohja reciproke e shteteve-kombe sovrane – që është pikërisht parimi të cilin Putini e ka vënë në pikëpyetje.
Lufta po i rrezikon gjithashtu përpjekjet për ta transformuar sistemin energjetik nëpërmjet bashkëpunimit global. Rritjet e ashpra të çmimeve të naftës dhe gazit po e sprovojnë vullnetin e mirë të qeverive dhe kompanive. Shumë furnizues të OPEC-ut po kërkojnë që të përfitojnë nga situata, në vend që të ndihmojnë në zbutjen e krizës. Po, çmimet e larta të naftës dhe të gazit, si dhe rreziku i qartë i sigurisë që nënkuptohet nga varësia prej petro-shteteve, siç është Rusia, mund të përshpejtojnë largimin nga karburantet fosile. Porse trazimet ekonomike që po shihen në horizont do të dekurajojnë investimet teksa energjia e gjelbër mund ta gjejë veten në konkurrencë ndaj ndërlikimit ushtarako-industrial për financat publike.
Këto zhvillime paraqesin sfidë të rëndësishme për ambientalizmin bashkëkohor, një kuadër intelektual ende i ri që rrallëherë është dashur të merret me çështje gjeopolitike. Me rrënjë në lëvizjet pacifiste, antikapitaliste të viteve ‘60, lëvizja u institucionalizua në Samitin e Tokës të OKB-së në Rio de Janeiro më 1992, ku u krijuan Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe Konventa për Diversitetin Biologjik. Përveçse shërbyen si shtyllë e lëvizjes mjedisore për tri dekada, këto marrëveshje për kohë të gjatë qëndruan si monument i rendit botëror postsovjetik.
Të ngushëlluar nga nocioni se të gjitha vendet mund të bien dakord në parim, të mbahen përgjegjëse kundruall synimeve mjedisore, aktivistët dhe institucionet mjedisore i përqendruan përpjekjet e tyre në sjelljen grabitqare dhe të paligjshme të aktorëve privatë dhe atyre publikë. Duke e marrë si të mirëqenë sistemin e bazuar në rregulla, ata u mbështetën në objektiva të bazuara në shkencë për të prodhuar udhërrëfyes globalë për rezultatet e dëshiruara. Për njëfarë kohe, kjo qasje politikisht neutrale i lejoi të gjithë që ta shmangin pyetjen nëse rezultatet e ofruara nga shtetet autoritare janë të pranueshme. Por ato ditë kanë mbaruar: synimet mjedisore nuk mund të konsiderohen më të veçuara nga burimet e pushtetit që e përcaktojnë autoritetin shtetëror.
Edhe
Çfarë mund ta bëjë Putinin që të ndalojë luftën në Ukrainë?
Kijeni parasysh çështjen e mbrojtjes së biodiversitetit. Shumica e organizatave mjedisore janë mobilizuar pas objektivit “30x30” - mbrojtja e 30 për qind të zonave tokësore dhe oqeanike deri në vitin 2030. Por mbrojtja e natyrës kërkon më shumë se avokim. Tekefundit varet nga fuqia rregullatore e shtetit që e ushtron sovranitetin mbi territorin, duke e përdorur edhe forcën po qe se është e nevojshme. Në të vërtetë, origjina latine e “territorit” nuk është emri “terra”, (tokë), por folja terrere, “të terrorizosh”. Deri vonë, ky dallim do të dukej pedant. Jo më.
Konservimi varet nga pushteti shtetëror, ndaj ka shumë rëndësi se për cilin shtet po flasim.
Problemi vështirë se kufizohet në iluzionet e Putinit për perandorinë. Kur presidenti kinez Xi Jinping, në vizitën e tij të parë në Davos më 2017, e portretizoi qeverinë e tij si kujdestare globale të mjedisit, ai u prit me duartrokitje. “Qytetërimi ekologjik” i Kinës u përshëndet si shembull i udhëheqjes globale mjedisore, më shumë sesa një aplikim i marksizmit ekologjik, projekt ky që është indiferent kundruall të drejtave civile dhe politike të individëve. Por tani, ne duhet ta pranojmë rrezikun e ngritjes së despotëve në statusin e heronjve mjedisorë. Pa sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, angazhimet mjedisore mund të mos ia vlejnë letrën në të cilën janë shtypur.
Ambientalizmi tradicional perëndimor u rrit duke protestuar ndaj urdhrit që tani duhet ta mbrojë.
Pyetja është nëse është e përgatitur apo edhe e pajisur për këtë detyrë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, me sa duket nuk e pa të nevojshme që të konsultohej me partnerët e tij të koalicionit nga Partia e Gjelbër para se të ndezte dritën jeshile për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe për rritjen e madhe të shpenzimeve ushtarake në Gjermani – dy ndryshime këto politikash që e ndryshojnë paradigmën.
Për më tepër, teksa qeveritë në mbarë botën po i sanksionojnë oligarkët rusë që ia kanë borxh pasurinë e tyre Putinit, nuk duhet të harrojmë se shumë nisma mjedisore kanë përfituar njashtu nga pasuria e krijuar nën regjimet autoritare. Çmimi “Earthshot” i Princit William, për shembull, ka marrë grante nga gjigantët e korporatave të Emirateve dhe magnatët kinezë.
Edhe
Mesazhi i Putinit për Perëndimin përmes paradës së Kinës
Ambientalizmi modern tani mund të ketë nevojë për një rishqyrtim të metodave të tij. Teksa lufta në Evropën Lindore po zvarritet, veçse është e qartë se veprimi nuk mund të lejojë më anashkalimin e natyrën e pushtetit politik. Mbrojtja e vetëvendosjes dhe veprimi politik tani duhet të bëhen një parim themelor i veprimit mjedisor.
(Giulio Boccaletti, bashkëpunëtor kërkimor nderi në Shkollën Smith të Ndërmarrjeve dhe Mjedisit të Universitetit të Oxfordit, është ish-zyrtari kryesor strategjik i “The Nature Conservancy” dhe autor i librit: “Water: A Biography”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)