OpEd

A është kapaku në shishe të pijeve limiti i fuqisë së BE-së

Si në rastin e Ballkanit Perëndimor, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, situatës në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi, si në rastin e negociatave për paqe në Ukrainë, ashtu edhe në krizën në Gaza, BE-ja i ka duart e lidhura për shkak se nuk ka unitet. Pasi të gjitha këto tema janë pjesë e politikës së jashtme ato i nënshtrohen detyrimit për vendime me konsensus. Dhe gjithmonë gjinden një apo dy apo disa vende që janë kundër dhe gjithçka bllokohet. Në këtë situatë BE-së i mbetet te jetojë me faktin se nuk është faktor i rëndësishëm politik ndërkombëtar. Dhe do të mbetet më shumë “pagues” sesa “lojtarë”, siç thuhet në anglisht do të jetë “payer” e jo “player”. Sepse për të qenë lojtar, pos që duhesh shpesh edhe të paguash, duhet edhe të kesh qëndrim të qartë. Diçka që BE shpesh nuk ka.

Së pari të konstatojmë gjërat, të cilat janë të pakontestueshme: Bashkimi Evropian është integrimi më i suksesshëm në historinë e njerëzimit. I bazuar në vullnetin e mirë, të shprehur në mënyrë të lirë dhe demokratike të vendeve evropiane për t’u bashkuar me interes të përbashkët. Pra pa detyrim, pa okupim të armatosur dhe pa imponim të vullnetit dhe pushtetit të huaj. Dhe brenda BE-së janë të dukshme arritjet e këtij integrimi, si valuta e përbashkët, udhëtimi pa ndalime në vendkalimet kufitare, liria për të udhëtuar, punuar e studiuar kudo dhe shumë të tjera. Po ashtu BE-ja edhe sot është lidere në mbrojtjen e lirive dhe vlerave të demokracisë, lirisë së shprehjes, ka standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit, sigurisë së ushqimit, të drejtave të punëtorëve dhe konsumatorëve. Të gjitha këto janë vetëm disa nga gjërat për të cilat shumica e qytetarëve të vendeve të BE-së janë të kënaqur me faktin se vendi i tyre është anëtar i Bashkimit Evropian. Asnjë nga këto vende nuk do të ishte më mirë po të ishte jashtë Bashkimit Evropian. Dhe gabim e kanë popullistët, suverenistët e rrejshëm, nacionalistët dhe radikalët e djathtë dhe të majtë kur propagojnë se si BE-ja vetëm i shfrytëzon ato vende, ua humb identitetin, rrezikon sigurinë dhe vetëm u shkakton probleme.

Por BE-ja e ka humbur identitetin e saj politikë duke dështuar që në skenën globale të jetë ndonjë faktor, i cili do të merrej seriozisht. Nuk ka krizë globale ku BE-ja ka pasur ndonjë rol udhëheqës, së paku jo me sukses. Dhe nuk kemi nevojë të shkojmë më larg sesa nga oborri i BE-së, nga Ballkani Perëndimor për të parë pafuqinë e BE-së. Ajo nuk është dëshmuar e fuqishme të zgjidh problemet në Bosnjë-Hercegovinë, të përmbyll me sukses ndërmjetësimin në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që prania e saj në terren, sidomos në fushën e sigurisë, ka qenë më shumë dështim sesa sukses. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë fuqia e BE-së është kufizuar në letrat ngjitëse në targat e veturave dhe vendosjes së sanksioneve për shkak të vendosjes së administratave komunale në ndërtesa të caktuara. Për më shumë se 16 vjet Serbia, e besa edhe Kosova, kanë injoruar thirrjet e BE-së për gjërat të cilat Brukseli i ka konsideruar si kyç. Dhe kur BE-ja është e pafuqishme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ambiciet e saj për të qenë aktor i rëndësishëm globale duken joreale.

Sot pafuqia e BE-së shihet nga situata në Lindjen e Mesme e deri te përpjekjet për të rritur fuqinë e luftës në Ukrainë të imponuar nga agresioni gjithëpërfshirës i Rusisë. Pafuqia e BE-së u pa edhe në përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. U desh që për këtë të aktivizohen liderët e vendeve kryesore evropiane, si presidenti i Francës, kancelari i Gjermanisë, kryeministrja e Italisë dhe ai i Britanisë për t’iu bashkuar presidentit Ukrainas gjatë takimit me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në përpjekjet e tij për të ndalur luftën shpejt, Trump kërkon më shumë lëshime nga viktima, pra Ukraina, sesa agresori Rusia. Dhe liderët evropianë të vetëdijshëm për rrezikun që një “zgjidhje e gabuar” mund të ketë jo vetëm për Ukrainën, por edhe për tërë Evropën, u mobilizuan. Në këtë mënyrë i dërguan porosi edhe Rusisë dhe Putinit, por edhe presidentit amerikan se Ukraina nuk është vetëm.

BE-ja flet shumë për Ukrainën, jep ndihma financiare, miraton paketa të reja sanksionesh ndaj Rusisë, por kur është fjala te “lufta dhe paqja”, për çështjet politike, mbetet jashtë loje. Liderët e vendeve kryesore kanë marrë iniciativën edhe për shkak se nuk mund të veprohej formalisht brenda BE-së sepse do të bllokohej procesi. 

Pafuqia e BE-së shihet edhe në qasjen ndaj krizës në Gaza ku OKB-ja edhe zyrtarisht ka shpallur gjendjen e urisë. Jo vetëm se nuk ka arritur të ketë ndikim në Izraelin, por nuk po arrin as të vendosë një masë simbolike, siç është suspendimi i pjesëmarrjes së Izraelit në programin “Horizon Europe”. Edhe po të merrej kjo masë asnjë ndikim nuk do të kishte ajo tek qeveria e Benjamin Netanjahut. Askush nuk ka dyshim se pamundësia e pjesëmarrjes së disa ekspertëve nga Izraeli në programet e BE-së për hulumtime shkencore do të detyronte Izraelin që të ndalë sulmet ndaj Gazës. Por së paku do të ishte një porosi simbolike se BE-ja mund të ndërmerr masa edhe ndaj Izraelit.

Si në rastin e Ballkanit Perëndimor, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, situatës në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi, si në rastin e negociatave për paqe në Ukrainë, ashtu edhe në krizën në Gaza, BE-ja i ka duart e lidhura për shkak se nuk ka unitet. Pasi të gjitha këto tema janë pjesë e politikës së jashtme ato i nënshtrohen detyrimit për vendime me konsensus. Dhe gjithmonë gjinden një apo dy apo disa vende që janë kundër dhe gjithçka bllokohet. Në këtë situatë BE-së i mbetet te jetojë me faktin se nuk është faktor i rëndësishëm politik ndërkombëtar. Dhe do të mbetet më shumë “pagues” sesa “lojtarë”, siç thuhet në anglisht do të jetë “payer” e jo “player”. Sepse për të qenë lojtar, pos që duhesh shpesh edhe të paguash, duhet edhe të kesh qëndrim të qartë. Diçka që BE shpesh nuk ka.

Përderisa është e pafuqishme në aspektin politik të jashtëm, BE-ja dhe institucionet e saj vazhdojnë të merren me rregullime të ndryshme në tregun e brendshëm. Shumë prej tyre shkojnë në favor të konsumatorëve, pra të gjithë qytetarëve. Por disa janë shpesh edhe irrituese dhe bëhet edhe temë e përqeshjes së BE-së. Qytetarët kanë mundur tash e më shumë se një vit të vërejnë se kapakët nga shihet plastike të pijeve nuk mund të shkëputen, edhe kur hapen. Së paku jo pa përdorimin e “forcës së tepruar“. Ky është rezultat i konsultimeve, negociatave dhe vendimeve të institucioneve të BE-së. Qëllimi është që të mbrohet mjedisi, sepse shpesh ata që kanë hequr kapakun e kanë hedhur ndaras nga shishja, duke rritur praninë e plastikës në ambient dhe kështu duke e ndotur mjedisin. Dhe tash kjo bëhet më pak. Por disa e kanë të vështirë të pinë pijen sepse kapaku i ngjitur në grykën e shishes ua lëndon hundën. Dhe shpesh edhe rrjedh lëngu që ua njollos këmishën. Irritimi me këtë rregullore ka shkuar aq larg saqë kancelari gjerman Merz e ka quajtur “marrëzi” dhe ka bërë pyetjen se “a e kemi humbur arsyen?”. Institucionet e BE-së për t’i gjetur vetes punë, shpesh bëjnë edhe gjëra “të paarsyeshme” siç disa e shohin edhe rregullimin e statusit të kapakut në shishen e një pijeje. Prandaj kritikët e saj përmendin edhe raste të tilla për të konstatuar se aty është limiti i fuqisë së BE-së, e cila nuk ka fuqi në skenën globale.