Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si “sulm të organizuar kibernetik” dhe fushatë të koordinuar manipulimi digjital kundër komunikimit publik të kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku dhe thirrjes për tubimin e bashkimit.
Në reagimin e lëshuar në rrjete sociale, LDK-ja pretendon se brenda pak minutash mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në rrjetet sociale, me qëllim që të deformojnë perceptimin publik dhe të krijojnë, siç thuhet, “një atmosferë të rreme refuzimi e polarizimi”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo nuk është më një garë normale politike. Kjo është një përpjekje për ta zëvendësuar debatin demokratik me operacione psikologjike e propagandistike në hapësirën digjitale”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo parti, deri tash në opozitë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj manipulimeve online, duke theksuar se “rrënimi i kredibilitetit përmes propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride” mund të shndërrohet në një nga strategjitë kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore.
LDK-ja ka dënuar çdo formë të ndërhyrjes digjitale në opinionin publik, duke insistuar se “vullneti qytetar nuk mund të manipulohet nga ushtri profilesh false, rrjete anonime apo mekanizma propagande”.
Ky subjekt politik ka bërë thirrje për ruajtje të standardeve demokratike, duke kundërshtuar atë që e quan “luftë hibride kundër mendimit të lirë dhe organizimit politik opozitar”.