OpEd

Dredhëzat e konsensusit

Nëse partitë politike duan të na bindin për konsensus, nuk kanë nevojë të gjejnë tema të reja:ja ku i kanë gjashtë turqit dhe KQZ-në.

1.

Kur flitet për shumë dredhëza, merre shportën e vogël, thuhet në popull, dhe kjo duket se po u ndodh iniciativave për konsensus politik në Kosovë.

Brenda tri ditësh vërshuan tri iniciativa të ndryshme politike që duhej ta bënin bashkë faktorin politik, kryesisht, shqiptar. Qeveria e Kosovës miratoi dhe dërgoi për shqyrtim parlamentar diçka që e quajti Platformë për dialog me Serbinë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ofroi një platformë konsensusi për pesë çështje që ai vlerëson se janë të rëndësisë së veçantë për vendin, ndërsa kryetari i LDK-së bëri ftesë për një tryezë që duhej të vendoste parimet e konsensusit dhe pajtimin për zgjedhje të parakohshme.

Meqë këto tri iniciativat dolën njëkohësisht, konstatimi më i lehtë është se mungon komunikimi bazik mes partive, jo vetëm mes atyre të pushtetit e opozitës, por edhe mes atyre që përbëjnë pushtetin. Kështu kemi ndeshjen pushtet-opozitë kur të njëjtën ditë kryetari i PDK-së kërkon konsensus për pesë çështje, ndërsa ai i LDK-së kërkon konsensus pak a shumë për një: si të shkohet në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që pas tyre të bëhet konsensusi për çështjet të cilat i shtroi kryetari i PDK-së. Apo ndeshjen tjetër, kur kryeministri i vendit (dhe kryetar i AAK-së) ofron një platformë të cilën e quan konsensuale për dialog me Serbinë, ndërkohë që kryetari i Kuvendit (dhe i PDK-së, partnerit të madh të koalicionit qeverisës) fton për dialog me Serbinë partitë politike të ulen e të krijojnë një platformë konsensuale. Do të kemi dy platforma "konsensuale"?

2.

Që të tri iniciativat do përshëndetur për vullnetin e mirë.

Qeveria e Kosovës bëri një përpjekje për t'iu dhënë kahe negociatave me Serbinë, duke shprehur pritshmërinë e epilogut (njohjen e ndërsjellë) dhe pritshmërinë e procesit (një unitet politik i ndërtuar rreth presidentit e me mbikëqyrje të fortë parlamentare). Kryetari i PDK-së ftoi që, sikundër u arrit (pjesërisht) me demarkacionin, partitë politike të arrijnë një marrëveshje rreth negociatave me Serbinë, Bashkësisë së komunave serbe, ushtrisë, integrimeve evropiane dhe reformës zgjedhore. Kryetari i LDK-së ftoi që kriza e tanishme e legjitimitetit politik (qeverisje në pakicë) të zgjidhet nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët pushtet-opozitë, pra një formë jotraumatike e tejkalimit të krizës.

Që të tri iniciativat, megjithatë, kanë pak gjasa të mbërrijnë qëllimin dhe janë në masë të madhe të pamjaftueshme.

Ajo që Qeveria e Kosovës e quajti platformë për negociata me Serbinë është vetëm një përshkrim i varfër i synimeve. Në mënyrë që të krijonte platformë, e pastaj edhe të ftonte për konsensus, Qeveria e Kosovës do të duhej t’u kishte dhënë një raport të detajuar dhe kritik deputetëve të Kuvendit të Kosovës për rrjedhën e deritanishme të procesit negociues. Në bazë të këtij raporti, Qeveria duhej të kishte konsultuar deputetët dhe ofruar pastaj një platformë e cila do të tejkalonte gabimet evidente negociatore që i ka bërë Kosova që nga viti 2011 deri më sot. Ndryshe, letra të cilën e ofroi Qeveria është vetëm një vazhdimësi, pra vazhdimësi me procesin i cili solli sulmin më evident potencial ndaj sistemit kushtetues të vendit me marrëveshjet e Brukselit.

E pamjaftueshme, rrjedhimisht, është edhe iniciativa e kryetarit të PDK-së. Në mungesë të analizës për atë çka ndodhi në Bruksel për shtatë vjet rresht, e në masë të madhe nën udhëheqjen apo pjesëmarrjen kyç të PDK-së, vështirë është të krijohet besueshmëria për konsensus.

Dhe, kjo vlen edhe për iniciativën e LDK-së. Zgjedhjet mund të jenë një zgjidhje për krizën e tanishme qeverisëse, por nuk janë zgjidhje automatike për çështjet të cilat ndodhin në këtë legjislaturë apo në të ardhmen. Partitë në pushtet nuk kanë interes për të shkuar në zgjedhje dhe sistemi e numrat janë të atillë që në zgjedhje të jashtëzakonshme mund të shkohet nëse ndonjëri prej anëtarëve të koalicionit (përfshirë edhe Listën Serbe) vendos. Përderisa këto të mos vendosin, vendi ka nevojë për përgjigje ndaj sfidave që i vijnë.

3.

Por meqë po manifestohet një vullnet për të ndërtuar konsensus, ja një sugjerim për partinë më të madhe të koalicionit qeverisës.

PDK-ja mund të dëshmojë përcaktimin për konsensus me gjashtë shtetasit turq. Ka kaluar një muaj nga rrëmbimi dhe dëbimi i gjashtë qytetarëve turq. Rrëmbimi dhe dëbimi u bë nga autoritetet shtetërore kosovare. Kryeministri kërkoi largimin e ministrit të Brendshëm dhe të shefit të AKI-së, Kuvendi mezi formoi një komision hetimor, ndërsa Prokuroria premtoi se do të merret me këtë çështje.

PDK-ja ka pasur dhe ka rast që të ftojë partitë politike të pushtetit dhe të opozitës, që në një tryezë politike të përcaktojnë një rrëfim të përbashkët, konsensual, të asaj që ndodhi. Për këtë nuk ka nevojë as komision hetimor e as Prokurori. Para se të shkarkohej, ministri i Brendshëm është dashur të jepte një raport me shkrim për rastin, duke shpjeguar thjesht se kush ka urdhëruar, kush ka zbatuar urdhrat dhe në çfarë baze ligjore janë dhënë urdhrat. Të njëjtën gjë ka mundur ta bëjë edhe shefi i AKI-së.

Kryetari i PDK-së, i cili ka qenë ndër të parët që ka reaguar ashpër ndaj rrëmbimit të gjashtë qytetarëve turq, ka pasur dhe ka ende rastin që nga kjo çështje të ndërtojë konsensus rreth njërës prej pikave kyç të shoqërisë sonë, sundimit të ligjit dhe respektit për të drejtat e njeriut. Këtë mund ta bëjë duke kërkuar, si kryetar i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës që kryeministri, në cilësinë e tillë e të kryetarit të AAK-së, të paraqesë, javën e ardhshme, në tryezën e partive politike që mbledh pushtetin e opozitën raportin preliminar me përgjigjet për pyetjet bazike: kush urdhëroi, kush zbatoi, me çfarë baze ligjore u dhanë urdhrat dhe u zbatuan ata? Pas këtij raporti, partitë e pushtetit dhe të opozitës do të pajtoheshin për hapat e ardhshëm që duhet t'i ndërmarrë shteti.

Arsyetimi eventual se me këtë çështje merret Prokuroria, andaj nuk mund të merren partitë politike, nuk pi ujë. Prokuroria nuk kërkon leje prej partive politike dhe anasjelltas; Prokuroria mund të merret me çfarëdo që ta ketë ënda e që e lejon ligji, dhe jeta politike nuk mund të ndalet për një a tjetër çështje me të cilën merret apo mund të merret Prokuroria.

4.

Dhe, ja një sugjerim për partinë politike më të madhe të opozitës.

Kryetari i LDK-së mund të krijojë konsensus ende pa mbërritur tek çështja e zgjedhjeve. Madje, e ka të pamundur të mbërrijë tek çështja e zgjedhjeve pa arritur konsensus për këtë çështje që rri, ta quajmë ashtu, në paradhomë.

Prej qershorit të vitit të kaluar i ka skaduar mandati kryetares së KQZ-së. Aktualisht anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor janë me mandat të skaduar. Edhe nëse të gjitha partitë politike do të pajtoheshin me LDK-në se duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme, kjo nuk do ta ndryshonte gjendjen e paligjshmërisë së KQZ-së. Për më tepër, gjendja e paligjshmërisë së KQZ-së prej verës së vitit të kaluar do të thotë një boshllëk juridik për rezultatet e zgjedhjeve vendore, dhe ky është problem edhe më i madh se në shikim të parë.

LDK, para se të shqyrtonte çfarëdo iniciative tjetër për zgjedhje, do të duhej të shqyrtonte gjendjen legale të KQZ-së. Nëse KQZ funksionon në një zbrazëti ligjore, atëherë ky është një problem jo vetëm për zgjedhjet, por për funksionimin e rendit kushtetues.

5.

Siç shkrova në fillim, u fol brenda katër ditëve për shumë dredhëza konsensusi dhe populli kaherë e ka ndarë këtë mençuri për shportën e vogël. Por mbase theksi duhej kthyer mbrapsht: këto ditë nuk është me rëndësi se me çfarë shporte del, me rëndësi është se ka apo mund të ketë dredhëza, qoftë edhe të pakta, konsensusi.

© KOHA Ditore