Në përpjekjet për të gjetur fajtorë për mungesë kronike të progresit në dialog, i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirolslav Lajçak, ka përmendur edhe shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, të cilat, sipas tij, nuk na qenkan të gatshme për normalizim të raporteve mes tyre. Nuk është lehtë të definohet se çka nënkupton termi “shoqëri”, por nëse mendohet te qytetarët, ata janë ngopur me dialogun dhe do të preferonin që ai të kishte përfunduar qëmoti me një zgjidhje dhe normalitet
Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është krejtësisht politik që nga fillimi. I tillë vazhdon të jetë edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 12 vjet prej kur ka nisur. Si një proces jashtëzakonisht jotransparent, në të cilin mediat duhet të kënaqen me deklaratat e njëanshme të pjesëmarrësve në të, apo me postimet paushalle në rrjetet sociale të lehtësuesit, që në të shumtën e rasteve përmblidhet me fjalët se “është biseduar për rrugën përpara në procesin e dialogut”, ai i ka lënë në huti opinionin dhe shoqërinë. Edhe sot e kësaj dite opinioni nuk e ka të qartë se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu. Së paku nuk e kanë të njëjtin kuptim të tij. Dhe më së paku ka faj shoqëria. Shoqërisë në Kosovë i është thënë se procesi i dialogut ka për qëllim normalizimin e raporteve me Serbinë, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në integrimet evropiane dhe në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që të normalizohen raportet ndëretnike edhe brenda Kosovës. Shoqërisë në Serbi i është thënë se dialogu është për “problemin e Kosovës” apo për “çështjen e Kosovës”, duke krijuar përshtypjen se Kosova nuk ka status dhe se ai mund të zgjidhet vetëm kur me një gjë të tillë të pajtohet edhe Serbia. Dhe shoqëria në Serbi e ka parë si humbje në dialog sa herë që është arritur diçka që forcon sovranitetin e Kosovës, ndërsa shoqëria në Kosovë sa herë që Kosova ka bërë kompromise që në kushtet normale nuk do t’i bënte një shtet i pavarur. E ajo që e kanë përjetuar të dy shoqëritë është lodhja nga procesi i dialogut, i cili nuk ka arritur t’i normalizojë sa duhet raportet.
Në përpjekjet për të gjetur fajtorë për mungesë kronike të progresit në dialog, i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirolslav Lajlçak, ka përmendur edhe shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi, të cilat, sipas tij, nuk na qenkan të gatshme për normalizim të raporteve. Nuk është lehtë të definohet se çka nënkupton termi “shoqëria”, por nëse mendohet për qytetarët, ata janë të ngopur me dialogun dhe do të preferonin që ai të kishte përfunduar qëmoti me një zgjidhje dhe normalitet.
Që nga nisja e dialogut shoqëria ka qenë e përjashtuar nga ky proces dhe nuk ka pasur informatat e sakta se çfarë po ndodh në të. Nga BE-ja ka pasur përpjekje që të përfshihet edhe shoqëria civile në proces, por jo me qëllimin që të dëgjojnë opinionin e shoqërisë civile, por më shumë për të përfituar nga ato në mbështetje të qëndrimeve të Bashkimit Evropian. Takimet e zyrtarëve të BE-së me përfaqësues të shoqërisë civile kanë qenë sa për të thënë se kanë ndodhur. Dhe ato nuk kanë ndryshuar asgjë. Për më shumë se 12 vjet përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë kanë dhënë deklarata diametralisht të kundërta pas takimeve që kanë ndodhur në procesin e dialogut. E BE-ja nuk e ka sqaruar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur. Në këtë mënyrë BE-ja nuk e ka luajtur rolin e “lehtësuesit” për shoqërinë që të kuptojë se cila është e vërteta. Kështu BE-ja ka lënë qëllimisht hapësirë për interpretime të ndryshme të cilat kanë krijuar një situatë absurde e shpesh edhe të rrezikshme. Për shembull, në Serbi nga të gjitha nivelet me vite kanë insistuar se në procesin e dialogut Kosova ka marrë përsipër përgjegjësinë që të mos dërgojë forcat e policisë speciale në veri të Kosovës. Kjo pastaj është shndërruar në një fushatë të nxitjes dhe ndërsymjes ndaj policisë së Kosovës nga ana e politikanëve të Serbisë, të cilët kanë përdorur dhe vazhdojnë të përdorin terme si “terrori i policisë së Kosovës” apo “çizmja okupatore shqiptare”. E deri tash, pos disa deklaratave jozyrtare se “është bërë praktikë e zakonshme që në veri të mos shkojë policia speciale”, nga askush nga BE-ja nuk kemi parë asnjë dëshmi se në dialog Kosova vërtet të ketë pranuar që të mos dërgojë njësi të caktuara policore. E vetmja gjë që është konfirmuar është se përmes një shkëmbimi letrash nga ish-kryeministri Hashim Thaçi me NATO-n, Kosova ka premtuar se nuk do të dërgojë njësi të FSK-së pa pajtimin paraprak të komandantit të KFOR-it.
Huti e njëjtë dhe kuptim i kundërt është krijuar edhe rreth strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës. Dikur bashkësia ndërkombëtare mohonte se ato ekzistojnë, pastaj u tha se ato, ndonëse “nuk ekzistojnë” janë shuar apo integruar në strukturat e Kosovës. E tash thuhet se ato duhet të lejohen të veprojnë dhe shuarja e tyre e njëanshme nga Kosova është nxitje e tensioneve. Moskuptimet nuk do të kishin ndodhur sikur BE-ja të kishte pasur të qartë qëndrimin. E qëndrim i qartë nuk është “ambiguiteti konstruktiv” që BE-ja vazhdon ta ketë parim në qasjen ndaj dialogut.
Nuk ka faj shoqëria, as në Kosovë e as në Serbi, se nuk po zbatohet ajo që BE-ja e quan “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve”. A ka faj shoqëria pse Serbia, me fjalë, me letra dhe me vepra, është shprehur se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesët kryesore të Marrëveshjes? E aq më pak ka faj shoqëria pse BE-ja nuk ka reaguar ndaj kësaj. Tash Miroslav Lajçak pranon se nuk ka nisur fare zbatimi i asaj marrëveshjeje. E ai as që pret që të nisë deri pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë. Pra, ai në një mënyrë pranon se në pesë muajt shtesë të mandatit të tij nuk do të ndodhë asgjë, sepse ka zgjedhje në Kosovë. E çfarë faji kanë shoqëritë pse në njërin apo vendin tjetër të përfshirë në dialog ka zgjedhje. Apo pse ka pasur zgjedhje në Evropë dhe do të ketë në Amerikë. Nuk ka shoqëria faj pse procesi i dialogut nuk është ndërtuar në baza të shëndosha ku nuk do të varet nga proceset zgjedhore nëpër rajon dhe botë. Nuk ka faj shoqëria pse në dialog gjithmonë ka pasur vetëm improvizime, siç po shihet të pasuksesshme. Dhe improvizim është edhe insistimi i BE-së se “kinse marrëveshja është ligjërisht obliguese, edhe pse nuk është nënshkruar”. Dhe Lajçak madje e ka marrë edhe rolin e zëdhënësit të Serbisë kur në një intervistë dhënë Radio Evropës së Lirë ka thënë se “Serbia nuk është tërhequr nga marrëveshja”: Liderët e Serbisë po e thonë të kundërtën. Shoqëritë në Kosovë dhe Serbi mund të jenë të manipuluara. Mund të jenë edhe të painformuara. Por nuk mund të kritikohen se ato nuk janë të gatshme për normalizim të raporteve. Askujt, as në Bruksel, as në Berlin e Paris, as në Uashington e Londër nuk i duhet më shumë normalizimi i raporteve. Por kjo duket se nuk po u duhet strukturave politike, të cilat po e mbajnë procesin e dialogut si një mundësi të mirë për të manipuluar. Pra, fajtorin duhet parë te politika e jo te shoqëria.