Rritja e çmimeve është duke i rënduar gjithnjë e më shumë buxhetet familjare në Kosovë. Një hulumtim i kompanisë “Valicon” ka treguar se 7 nga 10 qytetarë janë të shqetësuar me koston në rritje të jetesës, ndërsa shumë prej tyre kanë thënë se jeta sot është më e vështirë sesa më parë. Në këtë hulumtim është theksuar po ashtu se inflacioni dhe pasiguria politike janë shqetësimet më të mëdha të qytetarëve
Rritja e kostos së jetesës është shqetësim i rreth 70 për qind të qytetarëve të Kosovës, ka treguar një hulumtim i “Valicon”, kompani kjo kërkimesh dhe analizash të tregut që operon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Hulumtimi është kryer gjatë periudhës 18-21 gusht të këtij vitit në shtetet e rajonit të Adriatikut, përfshirë edhe Kosovën.
“Kur bëhet fjalë për shqetësimet e konsumatorëve, inflacioni mbetet shqetësimi kryesor në të gjithë rajonin. Nivelet më të larta të shqetësimit janë regjistruar në Kosovë 70%, Maqedoni të Veriut 70%, Bosnjë- Hercegovinë 69% dhe Kroaci 68%, ku shqetësimi për rritjen e kostos së jetesës është rritur me 8% që nga tremujori i dytë i vitit 2025”, thuhet në hulumtim.
Sipas këtij hulumtimi, rreth 40 për qind e kosovarëve kanë thënë se jeta e tyre është më e keqe sot sesa më herët. Në hulumtim thuhet po ashtu se stabiliteti politik përbën një tjetër shqetësim madhor në të gjithë rajonin.
“Në Serbi, shqetësimi për zhvillimet politike (58%) është pothuajse i barabartë me atë për inflacionin (60%), me një rritje të theksuar prej 9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Edhe në Kosovë (54%) dhe Bosnjë-Hercegovinë (40%), shqetësimet politike janë të larta. Në ndërkohë, shqetësimi për vlerën e pronës është përgjithësisht më i ulët, duke u luhatur nga 20% në Serbi deri në 34% në Maqedoninë e Veriut dhe 26% në Kosovë”, është theksuar në hulumtimin e “Valicon”.
Hulumtimi ka evidentuar gjithashtu ulje të ndjeshme të kursimit të parave në Kosovë, ku vetëm 20 për qind e qytetarëve arrijnë të ruajnë të njëjtat nivele kursimesh si më parë.
Ky trend pasqyrohet edhe në vendet e tjera të rajonit.
Hulumtimi i “Valicon” ka treguar njashtu se në një kohë kur inflacioni dhe pasiguria politike vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm në jetën e qytetarëve kosovarë, mënyrat e tyre të konsumit janë bërë më të kujdesshme dhe më strategjike. Kjo, sipas hulumtimit, e reflekton një realitet ekonomik dhe politik që po përballet me sfida të mëdha, duke ndikuar jo vetëm në financat familjare, por edhe në perceptimin e përgjithshëm për cilësinë e jetës në vend.