Tokio 2020

Nga surfimi në kapakun e ftohësit deri në Lojërat Olimpike - rrugëtimi i brazilianit Ferreira

Italo Ferreira u rrit në një qytet të vogël pa bërë shumë gjëra. Megjithatë, jeta e tij filloi të ndryshonte tërësisht kur ai e zbuloi surfimin - duke improvizuar me një kapak të ftohësit te babai i tij, i cili shiste peshk në vendlindjen e tyre Baia Formosa, në verilindje të Brazilit.

Dhe tani, mjeshtri i surfimit, 27-vjeçari Ferreira, është në rrugën e tij për në Lojërat Olimpike të Tokios si një kampion bote. Në Tokio e gjithë vëmendja në sportin e surfimit do të jetë tek ai.

“Për mua është shumë e kënaqshme që të përjetoj këto momente”, tha Ferreira. “Të jesh në gjendje të fitosh në skenën botërore, duke qenë më i miri në botë në vitin 2019, dhe tani të jesh pjesë e ekipit të Brazilit në Lojërat Olimpike, është diçka madhështore për mua. Është hera e parë që surfimi paraqitet në Lojërat Olimpike dhe është historike. Për mua dhe surfistët e tjerë kjo do të jetë një mundësi fantastike për ta prezantuar këtë sport në skenën globale”.

Këtë vit, Ferreira dhe shoku i tij, Gabriel Medina, pritet të udhëheqin garën për meshkujt në debutimin e shumëpritur të surfimit si sport olimpik në Tokio. Rritja e papritur e dyshes në krye të këtij sporti ka bërë që ata ta fitojnë nofkën “Stuhia Braziliane”.

“Unë mendoj se arsyeja që brazilianët janë liderë në skenën botërore të surfimit është për shkak të vullnetit që kanë. Pothuajse çdo surfist në skenën botërore kishte një moment të vështirë në jetë dhe të gjithë filluan nga e para. Unë hapat e parë në këtë sport i kam marrë në një kapak të ftohësit, në të cilin babai im i mbante peshqit e freskët për t’i shitur”, thotë Ferreira. “Kështu që kjo është një mundësi e artë për mua, të cilën dua ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Si shumica e surfistëve brazilianë, edhe Ferreira e ka futur veten në një pozitë për të pretenduar medalje olimpike. Ai pranon se konkurrenca është shumë e fortë, por insiston se është i gatshëm ta dëshmojë veten si kampion bote.

Ferreira ankohet për atë që më shumë brazilianë do të mund të dilnin në skenën e surfimit sikurse të kishin një vend si Australia, që është i njohur për hapësirën që ia kushton këtij sporti.

“Ata kanë një shkollë gjigande me qasje të lehtë, ku mund të kesh një trajner, fiziolog, fizioterapeut, djem që mund të ndihmojnë në çdo kohë me analizën e videos, të kesh tabela të surfimit në çdo kohë, pishinat për të notuar, vendet për praktikë e shumë gjëra të tjera. Për këtë arsye mendoj se Australia është shembulli më i mirë sa i përket surfimit”, tha Ferreira. “E nëse nuk i keni këto kushte sikur ne në Brazil, atëherë duhet të përkuleni në gjunjë dhe t’i luteni Zotit që t’ju ndihmojë”.

Ferreira ka thënë se rruga për në lojërat olimpike “Tokio 2020”, që janë shtyrë një vit për shkak të pandemisë, nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai thotë se pandemia e detyroi t’i ndërronte planet dhe qasjen që e kishte gjatë përgatitjeve.

“Isha i detyruar të kujdesesha ekstra për veten shkaku i virusit. Edhe pse jemi tashmë të vaksinuar, nuk është 100 për qind e sigurt se nuk mund të infektoheni sërish. Duhet të bëjmë kujdes shtesë, t'i kushtojmë më shumë vëmendje”, u shpreh Ferreira. “Është ndryshuar edhe qasja në Lojërat Olimpike, gjithashtu. Ne nuk do të kemi miq të bashkuar me ne, njerëz të afërt me ne, që mund të na ndihmojnë. Do të jenë njerëz nga Komiteti Olimpik Brazilian me ne, gjë që është ndryshe”.