Tokio, 2 gusht (AP) - Një surfist duke “kërcyer” për të përkthyer për rivalin që sapo e kishte mposhtur. Miqtë në disiplinën e kërcimit së larti ranë dakord të ndajnë medaljen e artë. Dy vrapues rrëzohen pas përplasjes, pastaj ndihmojnë njëri-tjetrin në vijën e finishit.
Në Lojërat Olimpike të jashtëzakonshme, ku shëndeti mendor ka qenë në krye dhe në qendër, aktet e mirësisë janë kudo.
Sportistët më konkurrues në botë janë kapur duke treguar butësi dhe ngrohtësi me njëri-tjetrin, duke festuar, duke folur zëshëm dhe duke fshirë lotët e zhgënjimit të njëri-tjetrit.
Kanoa Igarashi i Japonisë u zhgënjye kur humbi nga braziliani Italo Ferreira në debutimin olimpik të sportit të tyre, surfimit.
Ai jo vetëm që lëshoi rastin për të fituar të artën në plazhin ku u rrit duke bërë surfim, por gjithashtu u tall në rrjetet sociale nga racistët brazilianë. Surfisti japonezo-amerikan mund të kishte qëndruar në heshtje, por ai vendosi në dispozicion njohuritë e tij në gjuhën portugeze, duke ndihmuar në përkthimin e një pyetjeje të konferencës për shtyp për Ferreiran. Turma qeshi duke dëgjuar përkthimin e rivalëve dhe një zyrtar falënderoi medalistin e argjendtë për asistencën.
Edhe
Dhjetë momente emocionuese të Lojërave Olimpike
“Po, faleminderit, Kanoa”, tha Ferreira, i cili po mëson anglisht.
Ditë më vonë, në Stadiumin Olimpik, Gianmarco Tamberi nga Italia dhe Mutaz Barshim i Katarit u gjendën në një situatë për të cilën kishin folur, por nuk e kishin përjetuar kurrë - ata ishin të barabartë.
Të dy garuesit në kërcim së larti ishin të përsosur derisa shufra u vendos në lartësinë e rekordit olimpik prej 2.39 metrash. Secili dështoi në tri tentimet. Ata mund të kishin shkuar edhe në një kërcim, por në vend të kësaj vendosën të ndanin medaljen e artë.
“E di me siguri se për performancën që kam bërë, e meritoj atë medalje të artë. Ai bëri të njëjtën gjë, kështu që unë e di se ai e meritonte atë”, tha Barshim. “Kjo është përtej sportit. Ky është mesazhi që i japim brezit të ri”.
Pasi vendosën, Tamberi e goditi dorën e Barshimit dhe u hodh në krahët e tij.
“Ndarja e medaljes me një mik është edhe më e bukur”, tha Tamberi. “Ishte thjesht magjike”.
Më parë, në të njëjtin shteg, vrapuesit Isaiah Jewett nga SHBA-ja dhe Nijel Amos nga Botsuana u ngatërruan dhe u rrëzuan gjatë gjysmëfinales në 800 metra. Në vend që të zemërohen, ata ndihmuan njëri-tjetrin për t’u ngritur në këmbë, vendosën krahët rreth njëri-tjetrit dhe përfunduan garën së bashku.
Edhe
Në Lojërat e Tokios virusi është armiku kryesor i olimpistëve
Shumë sportistë të mëdhenj njihen personalisht nga koha e tyre në rrugë, e cila mund të ndihet e gjatë, e përqendruar dhe intensive, e shënuar nga momentet e karrierës që mund të jenë më të mirat ose më të këqijat e jetës së tyre. Ato ndjenja shpesh janë përforcuar në Lojërat Olimpike të Tokios, të shtyra nga pandemia. Kufizimet e krijuara për të parandaluar përhapjen e COVID-19 kanë bërë që olimpistët të mos përzihen ashtu siç bëjnë normalisht.
Pas një fitoreje të ashpër në tri sete në finalen e volejbollit të plazhit të shtunën në “Shiokaze Park”, braziliania Rebecca Cavalcanti, derdhi me kënaqësi një shishe ujë mbi kurrizin e amerikanes Kelly Claes, ndërsa ajo po jepte një intervistë pas lojës.
Skuadra amerikane sapo kishte mundur Brazilin, por fitueset qeshën me humbëset, duke shpjeguar se ata ishin shoqe.
“Jam e emocionuar për kohën kur të përfundojë karantina, kështu që ne mund të ulemi në të njëjtën tryezë dhe të shkojmë në darkë me to. Por, është diçka e vështirë në një flluskë, sepse ne duhet të jemi larg”, tha Sarah Sponcil, shoqja e skuadrës së Claesit.
Për amerikanen Carissa Moore, pandemia dhe kufizimet shoqëruese të saj, e afruan atë me surfistet e tjera. Kampionia botërore tha se ajo zakonisht udhëton në garat e surfimit me burrin dhe babanë e saj. Por të gjithë fansat u ndaluan këtë vit dhe Moore pranoi se ajo luftoi pa praninë e tyre në ditët e para të Lojërave Olimpike. Moore kishte fluturuar për në Japoni me ekipin amerikan dhjetë ditë para garës dhe së shpejti u përshtat për të jetuar në një shtëpi me surfistet e tjera, përfshirë Caroline Marksin, të cilën Moore e konsideroi si garuesen që duhet mposhtur. Moore tha se nuk e njihte mirë Marksin para Lojërave të Tokios, por natën kur ajo u kurorëzua fituese dhe Marks doli e katërta, rivalja e saj ishte e para që e përshëndeti.
“Duke pasur ekipin e surfimit të SHBA-së me mua, ka qenë një përvojë kaq e bukur të lidhesh me ta”, tha Moore. “Ndihem sikur kam një familje krejt tjetër pas dy javëve të fundit në Tokio”.
Edhe
Dy medalistë të artë olimpikë në Tokio në kërcim së larti
Pas garës së triatlonit në konkurrencën e femrave javën e kaluar në Tokio, norvegjezja Lotte Miller, e cila u rendit e 24-ta, mori një çast për të folur me Claire Michel të Belgjikës, e cila ishte e pangushëllueshme dhe u rrëzua përtokë duke qarë. Michel kishte ardhur e fundit, 15 minuta pas fitueses Flora Duffy nga Bermuda - por të paktën ajo përfundoi garën. Pesëdhjetë e katër atletë filluan garën, por 20 u dorëzuan ose e braktisën.
“Ju jeni një luftëtare e vërtetë”, i tha Milleri belges Michel. “Kjo është fryma olimpike dhe ju e keni atë 100 për qind”.