Drenusha Canolli, drejtore e programit në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, e ftuar në “Tempus” tregoi se cilat janë pasojat kur vendoset për pagën minimale pa dialog publik.
“Duke ditë se kur vendoset për pagën minimale dhe nuk përfshihet një dialog publik, atëherë akterët e caktuar siç janë sindikatat, shoqëria civile edhe vetë punëtorë, atëherë vetë kjo është njëfarë lloj mostransaprence për qytetarin dhe punëtorin në këtë rast. Andaj, pasoja që munden me pasu pas kësaj janë për shembull nëse flasim për gratë shpesh janë të përqendruar në sektorë me paga më të ulëta, siç janë tregtia, tekstili, shërbimet edhe ka një mungesë të analizave gjinore” tha Canolli.
Tutje, sipas Canollit nëse paga minimale caktohet shumë e lartë pa mbështetje nga ana e qeverisë atëherë punëdhënësi mund të shmangë punësimin e të rinjëve.
“Nëse flasim për pasojat tek të rinjtë, nëse paga minimale caktohet shumë lartë pa politika mbështetëse në punësim, punëdhënësi mundet të shmangë punësimin për të rinjtë. Ndërsa, kur flasim për punëtorët pa kontrata, atëherë paga minimale nuk i mbron për shkak se nuk ka një mekanizëm ku i kontrollon, ndërsa kur flasim për punëtorë sezonal ose punëtorët jashtë zonave urbane, atëherë vlerësimi i kostos së jetës në zona të ndryshme, pra paga minimale nuk mund të mos paraqesë një realitet real”, shtoi Canolli.
Ymeri paralajmëron padi ndaj ministrit Murati për mosfunksionimin e KES
Ymer Ymeri, përfaqësues i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), tha se që nga nesër do të nisin iniciativën për padi ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për mosshpallje të konkursit dhe për humbjen e tri viteve të mosfunksionimit të Këshillit Ekonomik-Social.
“Do të shikojmë edhe pasojat që ka pasur, ndoshta do të shikojmë edhe mundësinë edhe të dëmshpërblimeve për ato vite pse s’ka funksionu, por do ta mbledhim një grup të ekspertëve që t’i analizojmë ato çështje”, u shpreh Ymeri.
Ymeri tha në emisionin “Tempus” në KTV se Qeveria e Kosovës është duke shkelur dy ligje – atë të Këshillit Ekonomik Social dhe Ligjin për Pagën Minimale.
“Ligji për Këshillin Ekonomik Social obligon Qeverinë dhe Këshillin Ekonomik Social që çdo fundvit t’i propozojë Qeverisë pagën minimale – Qeveria të vendos mbi propozimn e Këshillit Ekonomik Social. Dhe po e shkel ligjin që e ka bë vetë, që është mundu me ia heq përgjegjësisnë KES-it dhe ka bërë ligj për Pagën Minimale i cili thotë se mundet ministri i Financave me propozu pagën minimale vetëm nëse nuk arrihet pajtueshmëri në Këshillin Ekonomik Social”, tha Ymeri.
Ai tha se për rritjen e pagës minimale, Qeveria po punon një vit mbrapa bizneseve pasi që këto të fundit, sipas tij, po e rrisin pagën minimale për shkak të mungesës së punëtorëve si dhe për shkak të kostos së jetesës.
“Edhe sot sikur të bëhet paga minimale ashtu siç e paraqiti kryeministri 500 euro, nuk ka pagë minimale më pak se 450-500 euro, pasi që edhe në sektorin publik nuk ka pagë nën këtë minimale”, ka thënë Ymeri.
Ndër tjerash, ai theksoi se mosfunksionimi i Këshillit Ekonomik Social ka edhe pasoja tjera.
“Mosfunksionimi i Këshillit Ekonomik Social ndër tjerash ka pasoja tjera pasi që në Këshill jepen edhe kodet e punës. Ka raste kur Prishtina është duke punuar me mësim tërëditor, ku ka asistent apo mësues të aktiviteteve dhe nuk kanë një kod pune dhe detyrohen që t’i paguajnë me kontratë të mësimdhënësit për shkak se mungon kodi i punës”, tha Ymeri.
Gjithashtu, Ymeri tha se shpreson që Qeveria e Kosovës, pas pranimit në Këshillin Ekonomik Social të Evropës të shpall konkursin që të aplikojnë sindikatat dhe bizneset ashtu që të funksionalizohet Këshilli.
Jakaj: Shtetet që aspirojnë Këshillin e Evropës, dialogun social e kanë obligim vendimtar
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se shtetet që aspirojnë Këshillin e Evropës, dialogun social e kanë obligim vendimtar.
“Secili shtet qe prospiron të anëtarësohet në Këshill të Evropës por edhe obligimet që janë për shtetet e tjera, dialogu social është vendimtar, edhe obligim Kushtetues, edhe detyrim ligjor që të zbatohet në secilin hap të politikëbërjes”, tha Jakaj.
Jakaj tha në “Tempus” se në secilin legjislacion të Kosovës përcaktohen obligime që rrjedhin nga konventat, direktivat dhe opinionet ndërkombëtare.
“Nëse e shohim secilin legjisalcion si atë për Këshillin Ekonomik-Social, si atë për grevat, për organizimin sindikal, si te Ligji i Punës, si te tjetër nga fusha sociale, Kosova në secilën preambulë të këtyre ligjeve, ka marrë përsipër që të zbatojë të gjitha obligimet që rrjedhin nga Konventa, Direktiva dhe opinionet e Organizatës Ndërkombetare të Punës”, shtoj Jakaj.
Mustafa: Është për t’u shqetësuar se si që tre vite nuk funksionon Këshilli Ekonomik dhe Social
Besim Mustafa, drejtor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se është e çuditshme dhe është për t’u shqetësuar se si Këshilli Ekonomik dhe Social në Kosovë nuk funksionin që mbi tri vite.
“E çuditshme që për një afat kohor 3-vjeçar Këshilli Ekonomik Social nuk funksionon mbi tri vite dhe është për t’u shqetësuar nga ana tjetër. Ne kemi një lajm të mirë që jemi pjesë e një institucioni evropian që i diskuton pikërisht këto çështje”, tha Mustafa.
Mustafa tha në “Tempus” se shpresojnë se pranimi në Komitetin Ekonomik Social Evropian do të ndryshojë të menduarit se të bërit politikë nuk është për ata që bëjnë politikat, por për përfituesit- siç janë bizneset si dhe e gjithë shoqëria.
“Përfituesit e politikave të mira e të këqija janë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe të cilët do të kishin përfitime të ndryshme, qoftë nga rregullimi i pozicionit nga përfitimet e vendimeve për politikat ekonomike, zhvillimit më të mirë ekonomik dhe të vepruarit të bizneseve në Kosovë”, tha Mustafa.
Ndërsa, tha se janë edhe organizatat dhe sindikatat të cilat ndjekin pjesën e interesit të punëtorëve, pagën e denjë, kushtet e mira të punës, e të tjera. Tha se secili nga aspekti dhe perspektiva institucionale lobon që të ketë një marrëveshje të institucioneve pjesë e Këshillit Ekonomik Social.
Mustafa tha se pret që pranimi në Komitetin Ekonomik Social Evropian do të sjellë elemente pozitive.
Jakaj: Anëtarësimi në KESE, njohje indirekte e statusit të Kosovës si kandidate për anëtarësim në BE ndonëse s’është
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin Ekonomik Social Evropian është njohje indirekte e statusit të Kosovës si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, edhe pse ende nuk është.
“Është një njohje indirekte e këtij statusi dhe reagim ndaj heshtjes dhe problemeve në Kosovës që kanë ndodhur veçanërisht gjatë 5 viteve të fundit, sepse gjatë 5 viteve të fundit çka ka ndodh, ka pas cenim të organizimit sindikal nga Qeveria, përjashtim të bizneseve, të përfshirjes së Odës Ekonomike në politikëbërje, edhe cenim ndaj shoqërisë civile- veçanërisht ndaj organizatave që kanë qenë kritike ndaj politikëbërjes”, tha Jakaj në “Tempus“.
Sipas tij, fushëveprimet e shoqërisë civile janë të mbrojtura me Kushtetutë.
“Kjo po vërehet se është vlerësuar nga Komisioni Evropian nga ky Komitet në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e politikave për të cilat në Kosovë ka politikë aktive të ekzekutivit që të cenohen këto fushëveprime të cilat edhe sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi janë të garantuar dhe nuk mund t’i cenojë askush. Por, fatkeqësisht se kemi pasur një qeveri e cila nuk i ka përfillë dhe për më tepër i ka shkelur dhe cenuar në vazhdimësi”, tha Jakaj.
Ymeri: Anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian ka ndikim pozitiv, ai i yni u bllokua nga Qeveria
Ymer Ymeri, përfaqësues i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), tha se anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian, ka ndikim pozitiv. Ai tha se Komiteti Ekonomik-Social i Kosovës u blloku nga Qeveria.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Ymeri uroi shoqërinë civile, sindikatat dhe odat e bizneseve, për anëtarësimin në këtë institucion të Bashkimit Evropian.
“Përkundër neglizhencës të madhe dhe pengesave që ka bërë Qeveria e Kosovës, dhe mosekzistencës së Këshillit Ekonomik-Social në Kosovë, rregullisht kemi qenë pjesë në takimet e Këshillit Ekonomik Social Evropian dhe kemi ngrit çështjet të cilat jemi mundu me i argumentu që Kosova qëllimisht pengon edhe Këshillin Ekonomik Social të Kosovës por njëkohësisht edhe Këshillin Ekonomik dhe Social Evropian. Kemi arrit bashkërisht me shoqërinë civile, me gjithë akterët tjerë të Kosovës të cilët kanë qenë të interesuar të funksionojë KES i Kosovës, kemi arrit të jemi pjesë tanimë në Komitetin Ekonomik Social Evropian”, tha Ymeri.
Ai tha se ky anëtarësim do të ketë të mira të shumta, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë të mbrojtjes së punëtorëve.
“Për shkak se do të jena të njoftum, do të jena pastaj edhe propozues të ligjeve të caktuara në të mirë të punëtorëve, por njëkohësisht do të thithim edhe fonde të cilat në të ardhmen, do të zhvillohen takime edhe në Kosovë”, shtoi Ymeri.
I njëjti theksoi se do të ketë përfitim edhe për bizneset vendore. Tha se do jemi në kontakt për propozimin e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.
“Shpresoj shumë që do të jetë një presion më i madh te Qeveria e Kosovës që të funksionojë Këshilli Ekonomik- Social për shkak se që nga dhjetori i vitit 2022 është jofunksional, është bllokuar me qëllim nga Qeveria, s’ka shpallur fare konkurs dhe nuk funksionon”, tha Ymeri, duke shtuar se s’ka asnjë vend në Evropë dhe më gjerë që nuk ka KES.