Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

I mbijetuari i masakrës së Dubravës reagon për ekspozitën: Turp institucional, është një plagë që na është rikthyer

Isak Shabani

Isak Shabani, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se e kanë përjetuar shumë rëndë ekspozitën e Shkëlzen Gashit në sheshin e Prishtinës, e cila përmbante pasaktësi për masakrat.

Kjo dhimbje tha se është akoma më e madhe kur kujton të rënët e kësaj masakre, invalidët dhe të mbijetuarit tjerë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo është një plagë që na u ka rikthy, një plagë që s’mund të rishkruhet”, tha Shabani.

Ai theksoi se të dhënat për masakrën e Dubravës janë ditur dhe janë të sakta- 116 të burgosur politik u vranë në atë burg.

“Gjithashtu është zhdukur profesori i nderuar Ukshin Hoti, 186 vetë janë të plagosur kurse 582 të burgosur tjerë i kanë mbijetuar Masakrës së Dubravës”, tha Shabani, duke shtuar se këto të dhëna figurojnë në Agjenci, por edhe në pllakën e të rënëve të kësaj masakre.
Prandaj, ai thotë se është turp institucional që Kuvendi financon një ekspozitë të tillë që bazohet në fakte nga Serbia dhe organizatorët e asaj ekspozite.

 


Hasani: Projekti do duhej t’i nënshtrohej një ekspertize shkencore, të kontaktoheshin historianët

Oktaj Hasani, ligjërues i historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se projekti i ekspozitës për masakrat në Kosovë do të duhej t’i nënshtrohej një ekspertize shkencore, duke përfshirë historianë dhe studiues të fushës, në mënyrë që të shmangen gabimet dhe keqinterpretimet.

Sipas tij, burimet e konsultuara nga autori i ekspozitës nuk mbështesin pretendimin se viktimat e masakrave, përfshirë ato në burgun e Dubravës, kanë qenë të armatosura.

“Në burimet që i ka konsultuar zoti Shkëlzen Gashi për ta hartuar atë ekspozitë, askund nuk shkruan që personat që janë masakruar tek burgu i Dubravës dhe vendet e tjera në Kosovë kanë qenë të armatosur”, ka deklaruar Hasani.

Ai theksoi se duhet bërë dallimi ndërmjet informacionit që ofrojnë burimet dhe interpretimit që i bën autori.

“Duhet të bëhet dallimi mes informacionit që e jep burimi dhe interpretimit që e bën autori për një çështje të caktuar. Statusi i viktimave aty është i ndarë në civil dhe ushtar. Ka pasur një keqlexim nga autori, që ka rezultuar me keqinterpretim”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk mund të paragjykojë nëse kjo ka qenë e qëllimshme apo jo.

Hasani theksoi se kjo situatë reflekton një problem më të gjerë në Kosovë, që lidhet me mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre shkencore.

“Kjo është një situatë që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në shtetin tonë. Në momentin që Kryesia e Kuvendit e ka pranuar kërkesën për atë ekspozitë, ajo do duhej t’i nënshtrohej një ekspertize shkencore, në mënyrë që të evitohen gabimet në numrin e viktimave dhe gabimet tjera të autorit”, ka theksuar Hasani.

Sipas tij, kjo situatë vë në pah mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe institucioneve shkencore në Kosovë.

 

Hasani thotë se ka pasur alarm publik për librin e Gashit, rikujton recensionin e profesorit Abdullahu

Oktaj Hasani, ligjërues i historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka deklaruar se për librin e autorit Shkëlzen Gashi nuk është bërë ekspertizë shkencore, pavarësisht kritikave publike dhe akademike që kanë ekzistuar.

Sipas tij, në Kosovë ka historianë dhe ligjërues universitarë që kanë trajtuar këtë çështje, duke përmendur edhe recensionin e profesorit Durim Abdullahu, i cili ka evidentuar mangësi serioze në përmbajtjen e librit.

“Me sa kam informacion, nuk është konsultuar askush për të bërë ekspertizë shkencore për librin që po bëhet fjalë. Përkundrazi, kemi historianë ligjërues në Universitetin e Prishtinës, si kolegu Abdullahu, i cili ka një recension të botuar në koha.net, ku tregon për mangësitë që i ka libri”, ka deklaruar Hasani në Tempus në KTV.

Ai theksoi se ky recension do të duhej t’u shërbente institucioneve si një indikacion i mjaftueshëm për të vlerësuar saktësinë dhe metodologjinë e përdorur në libër.

“Do duhej që institucioneve ky recension t’u mjaftonte të paktën si indikacion për të parë sa pasaktësi ka dhe çfarë metoda janë përdorur, nëse janë krahasuar burimet”, u shpreh ai.

Hasani shtoi se libri është kritikuar për probleme serioze metodologjike dhe se ka ekzistuar një alarm publik lidhur me këtë çështje.

“Është kritikuar ky libër që ka probleme serioze në aspektin metodologjik. Ka pasur alarm publik për këtë çështje, dhe unë e konsideroj alarm edhe recensionin që e ka hartuar kolegu”, ka theksuar Hasani.



 


 

Sopi: Ekspozita fund e krye manipulim, deformime të qëllimshme nga persona të qëllimshëm

Fatmir Sopi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në emisionin “Tempus” në KTV ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës për masakrat në Kosovë në vitet 1998-1999, duke e cilësuar atë si manipulim të qëllimshëm dhe deformim të historisë së luftës në Kosovë.

Sipas tij, përjetimi i kësaj ekspozite është i rëndë për ata që kanë kaluar përjetimet e luftës, ndërsa përmbajtja e saj nuk përputhet me faktet dhe dëshmitë ekzistuese.

“Një përjetim të rëndë e kemi për këtë ekspozitë, kur e dimë se çka kemi përjetuar. Autori i ekspozitës ka qëndruar në qendër të Prishtinës dhe nuk ka qenë asnjëherë me njerëz veprimtarë e njerëz të luftës”, ka deklaruar Sopi.

Ai theksoi se përshkrimet e paraqitura në ekspozitë janë të pasakta dhe të dëmshme për historinë, sidomos kur ekzistojnë dëshmitarë të gjallë që kanë dëshmuar për ngjarjet.

“Janë përshkrime të pasakta që janë të dëmshme për historinë, kur e dimë që ka dëshmitarë të gjallë që kanë deklaratat e tyre dhe kanë dëshmuar se si ka ndodhur ajo masakër”, u shpreh ai.

Sopi shtoi se autori i ekspozitës ka pasur edhe më herët qëndrime të diskutueshme ndaj luftës, duke përfshirë publikime dhe deklarime që, sipas tij, kanë fyer vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne e dimë që autori ka shkruar edhe libra dhe ka pasur fyerje ndaj vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj duke i pasur parasysh të gjitha këto, kjo është një turp”, ka theksuar Sopi.

 

Sopi: Prokurori serb lavdërohet se kanë krijuar Gjykatën Speciale

 

Fatmir Sopi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në emisionin “Tempus” ka thënë se për deklaratat e fundit të një prokurori serb lidhur me Gjykatën Speciale kërkohet reagim institucional nga institucionet e Kosovës.

Sipas tij, pretendimet se një prokuror serb ka thënë që Serbia ka pasur rol në krijimin e kësaj gjykate dhe se ajo ka vepruar duke i arresutar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shqetësuese.

“Para pak ditësh lexova një prokuror serb i cili thotë se ne arritëm me punën tonë të krijojmë një gjykatë e cila veç i ka arrestuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jemi në prag të fitores së madhe”, ka deklaruar Sopi.

Ai theksoi se një diskurs i tillë është i papranueshëm dhe se institucionet e Kosovës duhet të reagojnë ndaj këtyre deklaratave.

“Kjo për mua është shumë e papranueshme që institucionet tona të mos reagojnë për një gjë të tillë”, ka shtuar Sopi.

 


Sefaj për subvencionimin e ekspozitës: Në një vend normal sot do të kishim dorëheqje të kryetares së Kuvendit

Ali Sefaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke folur për ekspozitën që paraqiti pasaktësi për masakrat në Kosovë, tha se në një shtet normal nëse dikush do të kontraktonte e paguante një publikim të tillë i cili do të përmbyste narracionin që kemi për historinë, padyshim se do të kishim dorëheqje jo vetëm të kryetares së Kuvendit por të gjithë Kryesisë së Kuvendit.

“Është e pafalshme që ne të heshtim gjithë kohës karshi gabimeve që bëhen apo të adresojmë fajin vetëm te një individ i caktuar për arsye se nëse ti e ke njohur Shkëlzen Gashin dhe ke dhënë konfirmim të mbështetet financiarisht ajo ekspozitë është e pafalshme nëse nuk ke gjetur kohë ta lexosh përshkrimin e njërës nga masakrat”, ka thënë Sefaj.

Sipas Sefajt, nuk mund të arsyetohen deputetët se nuk kanë qenë në dijeni se çfarë ekspozite kanë mbështetur.

Ai tha se presin llogaridhënie, "ngase me fondet tona është shtrembëruar historia".
 

Sefaj për Gashin: Secilin deklarim e ka armiqësor ndaj figurave historike

Ali Sefaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kritikuar ashpër përzgjedhjen e autorit Shkëlzen Gashi për realizimin e një projekti të tillë, duke theksuar se deklarimet e tij kanë qenë vazhdimisht armiqësore ndaj figurave historike të Kosovës.

Sipas tij, është problematike që një projekt i tillë i është besuar një personi që, siç tha ai, ka qëndrime të vazhdueshme kundër figurave kyçe të historisë dhe proceseve të rëndësishme shtetformuese.

“Thjesht ne flasim për besimin e projektit në një njeri që secilin deklarim e ka armiqësor, që nga dy figurat e rëndësishme të pavarësisë e deri te kundërshtimi i Jugosllavisë”, ka deklaruar Sefaj në “Tempus“.

Ai shtoi se, sipas tij, autori në fjalë ka trajtuar në mënyrë negative çdo etapë të historisë dhe figurat që kanë qenë pjesë e saj.

“Këtë punë ia kanë besuar dikujt që secilën etapë të historisë, figurat që i kemi pasur, ai i përbaltë në mënyrën më të poshtër të mundshme”, u shpreh ai.

Sefaj theksoi se përgjegjësia nuk qëndron vetëm tek autori, por edhe tek institucionet që e kanë miratuar projektin.

“Nëse ia beson një njeriu të tillë krejt atë projekt dhe e voton në Kryesi të Kuvendit, është neglizhencë. Por ende më e keqe është që librat janë shpërndarë”, ka theksuar Sefaj.

 

Sefaj: Kushdo që subvencionoi ekspozitën e Gashit, financoi me taksa tona narrativën e Serbisë për luftën në Kosovë

Ali Sefaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kushdo që e ka subvencionuar- financuar ekspozitën e Shkëlzen Gashit për masakrat, e bartin përgjegjësinë, sepse e kanë financuar me taksat tona narrativën e Serbisë për luftën në Kosovë dhe masakrat në Kosovë.

“Bartësi i këtij projekti është personi që në çdo paraqitje publike ka hedhur gurë mbi krejt figurat historike për 100 vjet, për figurat që e kanë shpall pavarësinë e Kosovës, për cilindo veprim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të figurave elitare të saj, ka bërë përpjekje mbi 15-vjeçare për t’i inkriminuar”, ka thënë Sefaj.

Ai tha se i është besuar ky projket një personi që secilin deklarim e ka armiqësor që nga dy figura të rëndësishme të Lëvizjes për Pavarësi, pastaj kundërshtimin e Jugosllavisë kur Kosova ka mbetur e ankesuar, e që nga Isa Boletini e Azem Bejta, sipas tij, i ka quajtur mercenarë.

“Këtë punë ia kanë besuar dikujt që secilën etapë të historisë, figurat që ne jemi, që ne identifikohemi, ai i përbaltë në mënyrën ma të poshtër”, tha Sefaj.