Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se duhet të ketë masë të përkohshme ndaj çdo vendimi të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), deri sa të fillojnë reformat.
“Çfarë është shumë e rëndësishme, çfarë është e domosdoshme, është që të vendoset një masë e përkohshme që jo brenda një muaji apo një muaji e gjysmë, sa ju ka mbetur mandat këtyre anëtarëve, që jo ta humb besueshmërinë, legjitimitetin, legalitetin, çdo vendim i Këshillit Prokurorial të Kosovës”, u shpreh Shala.
Ai në emisionin “Tempus” në KTV, tha se duhet që të vlerësohet çështja në merita, në mënyrë që jo në fund të mandatit të përmbyset dhe të tentohet që të sabotohet e gjithë reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Pra, duhet të vendoset një masë e përkohshme dhe duhet të pritet kjo çështje dhe që vendimet pas fillimit të efektit të reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës të jenë vendime normale, të ligjshme, të drejta dhe jo në këtë mënyrë që dy grupet garojnë mes vete. Ku grupi i vjetër tenton që ta mbajë përsëri shumicën dhe ta zhvillojë korporatizmin e mbajtur për mbi një dekadë edhe në përbërjen e re sipas Ligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës që përbën reformën në KPK”, theksoi Shala. /BetimipërDrejtësi
Shala: Votimi jashtë përfaqësive diplomatike, rrezikonte votën e mërgatës
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të lejuar votimin jashtë përfaqësive diplomatike ka qenë i kundërligjshëm dhe ka rrezikuar integritetin e votës së mërgatës.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se reagimi i IKD-së është bazuar në ligj dhe në interpretimin e qartë të mënyrës se si mund të organizohet votimi jashtë vendit.
“Në reagimin e IKD-së treguam se në rastin konkret kemi të bëjmë me një vendim të kundërligjshëm të KQZ-së që rrezikon integritetin e zgjedhjeve të radhës, gjë që u konstatua edhe nga PZAP. Po ashtu, në vendimin e PZAP-së u konfirmuan të gjitha gjetjet e IKD-së”, theksoi Shala.
Ai sqaroi se e drejta e votës u takon të gjithë qytetarëve, përfshirë mërgatën, mirëpo votimi duhet të bëhet vetëm në përfaqësitë diplomatike të përcaktuara me ligj.
“Ligji për zgjedhjet është miratuar nga kjo qeveri dhe e ka përkufizuar qartë se çka është përfaqësi diplomatike: ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër dhe që në ditën e votimit mund të shfrytëzohet si qendër votimi. Ka rregulla strikte, ambasadë nuk mund të bëhet secili objekt”, theksoi ai.
Sipas Shalës, votimi jashtë ambasadave dhe konsullatave cenon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime, përfshirë edhe rrezikun e anulimit të votave në rast të ankesave.
“Hapja e hapësirave shtesë nuk lejohet në asnjë mënyrë, edhe nëse plotësohet numri maksimal i votuesve të përcaktuar nga KQZ-ja për secilën përfaqësi diplomatike. Në raste të tilla, rregullat zgjedhore parashohin që ata përtej numrit të kufizuar të udhëzohen për mënyra tjera të votimit”, shtoi ai.
Shala shprehu habinë e tij për votën pro të kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili si gjyqtar pritej ta dinte qartë se vendimi ishte në kundërshtim me ligjin.
“Më habiti vota e kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, që votoi pro këtij vendimi përkundër faktit që ligji ishte i qartë. Ai është gjyqtar, i pavarur dhe jo i deleguar nga ndonjë parti politike. Ai supozohet t’i dijë ligjet, dhe vota e tij më shqetëson, sepse nuk ishte vendim pro mërgatës por rrezikonte votën e mërgatës”, deklaroi Shala.
Ai paralajmëroi se çdo shmangie nga Ligji në procesin zgjedhor komprometon besimin publik dhe krijon bazë për kontestime serioze në zgjedhjet e ardhshme. /BetimipërDrejtësi
Zhvillimet në KPK, Bajraktari: Luftë brenda llojit, shkarkimi i Kelmendit i paqëndrueshëm
Avokati Ardian Bajraktari, tha se veprimet brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i sheh si luftë brenda llojit dhe se shkarkimi i Besim Kelmendit është i paqëndrueshëm.
“Unë më tepër e shoh si luftë brenda llojit, tendenca për të dominuar grupacione të caktuara. Dhe kjo po dëshmohet qartë atë që e ka thënë Komisioni i Venecias në raport me korporatizmin e këtij Këshilli dhe mbase edhe sistemit. Ka qendru dhe qëndron”, tha Bajraktari në “Tempus“.
Bajraktari në emisionin “Tempus” në KTV, theksoi se vendimi për shkarkimin e Kelmendit është i paqëndrueshëm për shkak se i referohet Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
“Duhet ta kemi parasyshë faktin se tek organet kolegjiale por edhe tek mekanizmat e tjerë, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative vjen në shprehje vetëm atëherë kur dispozitat e ligjeve përkatëse, ligjeve respektive që rregullojnë funksionimin e mekanizmave, i kanë të pambuluara mjaftueshëm situatat e tilla”, tha ai.
Sipas tij, Ligji për Këshillin Prokurorial përfshirë edhe ligjin e fundit që e plotëson dhe ndryshon ligjin bazë, e ka të qartë çështjen e kuorumit gjatë periudhës tranzitore deri në fillimin e zbatimit të reformës.
“Prandaj, në bindjen time, gjithë procesi që nga vendimmarrja, aspekti edhe procedural i propozimit për t’u përfshirë në rend dite pa vendimmarrje për ta ndryshuar rendin e ditës dhe gjitha aspektet e tjera, përfshirë edhe këto aktivitetet ose veprimet e sotme, në bindjen time janë të kontestueshme”, shtoi Bajraktari. /BetimipërDrejtësi
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka kaluar nëpër tentativa të hapura për kapje politike, duke nisur nga propozimet për zvogëlim të numrit të anëtarëve, e deri te idetë për rritjen e tij në mënyrë drastike.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se ndryshimet e njëpasnjëshme në përbërjen e KPK-së tregojnë qartë tendencat e pushtetit aktual për të ushtruar kontroll politik mbi sistemin prokurorial.
“Nga ideja që nga 13 anëtarë të zbritet në 7, shkuan nga 7 në 19. Ideja ishte e qartë tek numri 19 – që pjesa tjetër të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës, duke e defaktorizuar pjesën e anëtarëve aktual në KPK. Kjo nuk përkthehet ndryshe përveç si tendencë e hapur e Vetëvendosjes për ta kapur Këshillin Prokurorial”, deklaroi Shala.
Ai sqaroi se nisma fillestare e qeverisë ishte reduktimi i anëtarëve të KPK-së në vetëm shtatë, por kjo nuk kaloi testin e kushtetutshmërisë. Pas kësaj, u tentua një model tjetër – rritja në 19 anëtarë, por as ky propozim nuk kaloi në Komisionin e Venecias.
“Tendenca fillestare e qeverisë ishte të ulet numri në 7 anëtarë. Kur ky ‘eksperiment’ nuk e kaloi testin e kushtetutshmërisë, atëherë kaloi në një eksperiment tjetër me 19 anëtarë. Ky eksperiment nuk e kaloi testin e Komisionit të Venecias, dhe prapë u kthyen te propozimi që IKD e kishte dhënë 4 vite më parë”, u shpreh ai.
Shala theksoi se gjatë gjithë kësaj periudhe, kanë ekzistuar tendenca të qarta për kapjen politike të KPK-së. Megjithatë, sipas tij, me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për KPK-në, po shfaqet një konflikt i ri i brendshëm, mes asaj që e quan “klasa e vjetër” dhe përpjekjeve për vendosjen e ligjshmërisë.
“Tani, kur ka hyrë në fuqi Ligji për KPK-në, kemi një luftë tjetër brenda llojit: e klasës së vjetër që dëshiron të vazhdojë kulturën korporatiste, në raport me ligjshmërinë,” u shpreh ai.
Shala apeloi që partitë politike të jenë transparente gjatë fushatës zgjedhore dhe të deklarojnë qëndrimet e tyre për reformën në sistemin prokurorial.
“Ajo që duhet të ndodhë, për të ruajtur pavarësinë e sistemit prokurorial, është që gjatë fushatës zgjedhore partitë politike duhet të deklarohen se çfarë qëndrimi kanë për reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, përfundoi Shala. /BetimipërDrejtësi
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se procesi i shkarkimit të Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë me parregullsi të shumta procedurale.
Këtë, ajo e tha në emisionin “Tempus” në KTV, ku fillimisht theksoi se shkarkimi i Kelmendit nga KPK, u cilësua si vendim arbitrar.
“Ajo çka ia vlen të theksohet meqenëse monitorojmë nga afër Këshillin Prokurorial, pikë së pari shkarkimi i zotit Kelmendi, përpos që ne reaguam bashkë me organizata tjera edhe partnerët ndërkombëtarë, u cilësua një vendim shumë arbitrar nga ana e Këshillit Prokurorial”, u shpreh Kastrati.
Përderisa tha se për shkarkimin e tij, shkeljet ishin të njëpasnjëshme, duke shtuar se as nuk ishte futur si pikë e rendit të ditës.
“Pra, aty shkeljet kanë qenë të njëpasnjëshme. Shkelja e parë procedurale ka qenë që si pikë nuk është votuar nga anëtarët e tjerë, por është vënë direkt shkarkimi në votim. Njëherë pastaj është mbyll mbledhja, pastaj u pa që ajo online nuk funksionoi. Kështu që ka pas shkelje të njëpasnjëshme procedurale”, tha Kastrati. /BetimipërDrejtësi
Bajraktari: Në mbledhjen e fundit u shpërfaqën pretendime për presion ndaj prokurorëve
Avokati Ardian Bajraktari, ka deklaruar se në mbledhjen e fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) janë shpërfaqur pretendime serioze për ushtrim presioni dhe ndikimi ndaj prokurorëve, çka sipas tij përbën alarm për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në vend.
Duke diskutuar në emisionin “Tempus” në KTV, Bajraktari theksoi se deklarimet e bëra gjatë mbledhjes së KPK-së ngrenë pikëpyetje të mëdha për funksionimin e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
“Në mbledhjen e KPK-së pamë diskutime, pamë shpërfaqje të ushtrimit të presionit e ndikimit, dhe shtrohet pyetja: nëse një gjë e tillë mund të bëhet ndaj prokurorëve, në çfarë vendi jemi duke jetuar?”, u shpreh Bajraktari.
Ai theksoi se ushtrimi i ndikimit të kundërligjshëm ndaj prokurorëve është një çështje tepër serioze dhe se ende nuk ka informacione nëse është iniciuar ndonjë procedurë ndaj atyre që dyshohet se kanë ushtruar presion mbi ta.
“Kur dikush ushtron në mënyrë të kundërligjshme ndikim ndaj prokurorëve, dhe ne nuk kemi ndonjë informatë a është iniciuar ndonjë rast ndaj atyre që kanë ushtruar ndikim dhe presion, kjo është për shqetësim”, tha avokati.
Sipas Bajraktarit, nëse pretendimet e ngritura në mbledhje rezultojnë të vërteta, atëherë KPK dhe të gjithë pjesëmarrësit që i kanë bërë publike këto deklarime, kanë detyrim ligjor të zbulojnë kush ka ushtruar presion dhe t’i nënshtrohen procedurave penale.
“Por nëse vërtetë qëndrojnë këto, KPK dhe të gjithë ata që kanë diskutuar sot e kanë për obligim të tregojnë se kush ka ushtruar ndikim dhe ndaj tyre të iniciohet procedurë penale”, përfundoi ai.
Shala: KPK abuzoi me detyrën duke e shkarkuar Kelmendin me 5 vota, paradoksal veprimi i Qalajt në mbledhjen e fundit
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka abuzuar me detyrën gjatë shkarkimit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke e marrë vendimin me vetëm pesë vota.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se një vendim i tillë është i pazbatueshëm juridikisht, duke qenë se kourumi i nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes është gjashtë anëtarë.
“Është e kuptueshme që nuk mund ta përdorësh këtë logjikë. Kourumi është 6. Sot në mbledhje ishin 6 anëtarë; herën e kaluar ishin 5 anëtarë, që do të thotë se Këshilli Prokurorial abuzoi me detyrën e tij duke e shkarkuar u.d. Kryeprokurorin e Shtetit me 5 vota”, deklaroi ai.
Sipas Shalës, në mbledhjen e cila u mbajt sot, Agron Qalaj ka vepruar në mënyrë paradoksale.
“Thjesht e morën një anëtar tjetër, figurativisht duke i thënë që ‘ti qëndro aty sepse ne i kemi votat’, ndërsa ky anëtar thoshte se nuk po ua bëj kourumin e nevojshëm. Ai s’ishte monitorues – vetë prania e tij e bënte kourumin aty”, shtoi Shala.
Ai paralajmëroi se veprime të tilla cenojnë rëndë ligjshmërinë, pavarësinë dhe funksionimin demokratik të sistemit prokurorial në vend. /BetimipërDrejtësi
Shala për situatën në KPK: Lojë për dominimin e një grupi në raport me tjetrin, për keqardhje përfshirja e Qalajt
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), duke diskutuar lidhur me situatën e krijuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës pas shkarkimit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se po shihet një lojë për dominimin e një grupi në raport me tjetrin. Ndërkaq, shtoi se është për keqardhje përfshirja e u.d Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Agron Qalaj.
I ftur në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se ajo se çfarë po ndodh në Këshillin Prokurorial të Kosovës ka të bëjë me efektet e para që pritet t’i japë reforma në KPK, që konsiston në reduktimin e numrit të anëtarëve nga 13 në 7.
Përbërja prej 13 anëtarëve, Shala tha se është konsideruar si korporatiste nga Komisioni i Venecias, ngase përbëhej nga 10 prokurorë dhe tre anëtarë të jashtëm.
“Përderisa ka qenë kjo përbërje, mirëmbajtja e korporatizmit dhe kulturës së pandëshkueshmërisë brenda sistemit prokurorial të Kosovës ka qenë e lehtë, për shkak se numrat e kanë bërë të tillë. Dhe për këtë arsye kemi parë kritika nga jashtë. Si IKD kemi reaguar vazhdimisht, mirëpo s’kemi parë tensione të brendshme për shkak se grupi brenda është mirëmbajtur mirë”, tha Shala.
Hulumtuesi tha se në janar pritet të reduktohet numri i anëtarëve të Këshillit.
“Kanë filluar tensionet e mëdha në mes grupeve brenda vetë sistemit prokurorial të Kosovës”, tha Shala.
Ai tha se fillimisht ishte shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, për të cilin skenar, Zyra e Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar më parë, që nëse ndodh kjo, këta anëtarë do të cilësoheshin si sabotues të reformës në Këshill.
“Tash, kur të mbërrin në 7, është synimi që të dominojë një grup i caktuar. Në mbledhjen kur u shkarkua zotëri Besim Kelmendi, pesë anëtarë u larguan nga mbledhja e KPK. Sipas ligjit kuorumi ishte gjashtë përkundër kësaj, përkundër se ishte e qartë që kuorumi ishte gjashtë, pa kuorum vendosën ta shkarkojnë ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, u shpreh ai.
Sipas Shalës, kjo ndodhi që të caktohet një u.d Kryeprokuror i Shtetit dhe që ai ex-officio të marrë pjesë në takimet e Këshillit Prokurorial dhe të bëhen gjashtë anëtarë, përkundër që Qalaj tha se nuk ua ka bërë kuorumin.
“E kemi parasysh se është e qartë se çfarë loje është duke u luajtur në sistemin prokurorial të Kosovës për dominimin e një grupi në raport me një grup tjetër, definitivisht është për kaqardhje që në fund të mandatit të tij, zotëri Qalaj të bëhet pjesë e këtyre lojërave brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës”, theksoi Shala. /BetimipërDrejtësi