Arbëri

Xhakaliu: Do të ishte komplekse që të votohej jashtë hapësirave të shërbimeve diplomatike

Skender Xhakaliu

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, ka deklaruar se është pak komplekse dalja jashtë hapësirave të shërbimeve diplomatike, duke iu referuar iniciativës së KQZ-së për të krijuar qendra alternative të votimit për diasporën në shtetet jashtë Kosovës.

Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se duhen definuar shumë çështje, duke filluar nga hapësira, siguria e kompetencat.

“Po e marrim hipotetikisht se lejohet hapja e qendrave të tjera të votimit, janë të diskutuara natyrisht aprovimi formal që duhet të merren nga shteti për hapësirat jashtë shërbimit diplomatik. Duhet të definohen detajet e hapësirave, siguria, kompetencat, imuniteti dhe privilegjet për bartësit, pjesëtarët e KQZ-së. Pra është pak më komplekse dalja jashtë hapësirave të shërbimeve diplomatike”, deklaroi Xhakaliu.

Tutje ish-ambasadori Xhakaliu tha se në këto zgjedhje pritet numër më i madh i votuesve nga diaspora sepse thotë se shihet një dëshirë te mërgimtarët për të shfrytëzuar pushimet e votimet në Kosovë.

“Numri tani është jashtëzakonisht i rritur ose dëshira për të shfrytëzuar pushimet edhe votimet është më e madhe së në muajin shkurt kur ka qenë javë e muaj i punës. Prandaj në këto zgjedhje presim një numër më të madh të votuesve nga diaspora”, deklaroi Xhakaliu.

Sa i përket bllokadës shumë mujore të institucioneve në Kosovë, Xhakaliu tha se kjo gjë nuk është parë si pozitive nga diaspora për shkak të vështirësive që thotë se iu janë krijuar edhe atyre.

“Diaspora ka një numër të madh të cilët lëvizin edhe me punë edhe në aspektin ekonomik, biznesor në vendlindje. Nga këndi i diasporës është jopozitive që një shtet i cili nuk arriti për një vit ta foromojë qeverinë dhe të ketë stabilitet politik sepse natyrisht edhe ne ballafaqohemi më vështirësi të cilat ekzistojnë në vendlindjen tonë. Kjo neglizhencë e partive politike dhe mosharmonizimit të një marrëveshje të përbashkët për formimin e qeverisë nuk është parë si pozitive”, deklaroi Xhakaliu.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë, pasi për shtatë muaj mandat nuk ka arritur të zgjedhë Qeverinë e re, në dy tentime. Pas konsultimeve me liderë të partive politike, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, me gjithë që në partitë deri tash në opozitë shprehën kërkesë që ato të mbahen 21 dhjetor. Pro 28 dhjetorit u shprehën në Lëvizjen Vetëvendosje, në Listën Guxo dhe në Alternativa. 

Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit si dhe zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.