Në qershor të këtij viti bëhen 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Çdo vit gjatë muajve mars, prill, maj dhe qershor, Kosova organizon përvjetorë të përkujtimit të dhjetëra masakrave, duke përkujtuar mijëra viktima të luftës së fundit.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsej 13 mijë e 535 njerëz. Ndërsa, si pasojë e kësaj lufte vlerësohet se janë edhe gjithsej 1 mijë e 600 persona të pagjetur.
Krahas vrasjeve dhe humbjeve në jetë njerëzore, vlerësohet se janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi dhe janë dëbuar me dhunë nga Kosova më se 1 milion banorë.
Edhe përkundër se kanë kaluar 25 vjet nga përfundimi i luftës, drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë, ende nuk po jep rezultatet e pritura.
Karakteristikë e trajtimit të krimeve të luftës në Kosovë është fakti se janë trajtuar nga tre mekanizma të ndryshëm. Nga UNMIK gjatë viteve 1999 deri në vitin 2008, nga EULEX gjatë viteve 2009 deri në vitin 2018 dhe nga autoritetet vendore nga viti 2018 e tutje.
Edhe
Të vrarët në luftë kanë emra, por shteti s’i di
As pas afër 25 vjetëve nga përfundimi i luftës, një numër i madh i viktimave ende nuk kanë marrë drejtësi. Për shkak të kalimit të kësaj periudhe kohore, çdo vit hetimi dhe gjykimi i këtyre rasteve është vështirësuar. Krahas kësaj edhe besimi se viktimat e krimit dhe familjarët e tyre do të marrin drejtësi çdo ditë po zbehet.
Kosova ka miratuar plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për të rregulluar gjykimin në mungesë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Sipas Raportit të Progresit për vitin 2023, Kosova ka vazhduar me zbatimin e Strategjisë për krime lufte me rezultate të kufizuara. Gjatë vitit 2022 sipas këtij Raporti, në 15 raste të gjykuara, shumica e tyre janë kthyer në rigjykim ose janë modifikuar në shkallën e dytë.
Sfidë kryesore mbetet gjykimi i drejtë dhe profesional i këtyre rasteve. Raporti i Progresit, si shqetësim e trajton vullnetin për të mbajtur përgjegjës ish-ushtarët e UÇK-së për krime lufte. Edhe përkundër rritjes së numrit të prokurorëve në PSRK, kjo Prokurori ende po ballafaqohet me sfida për t’u përballur me numrin e madh të lëndëve që ka në punë, e që janë afërsisht 1 mijë raste.
Raporti i Progresit, shtron nevojën për trajnime të vazhdueshme për prokurorë dhe staf mbështetës dhe rritje të bashkëpunimit mes Policisë dhe Prokurorisë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi që nga viti 2013 monitoron sistemin e drejtësisë penale në Kosovë, përfshirë trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Sipas këtij Instituti, mungesa e rezultateve për të zhvilluar hetime, ndjekje dhe gjykime profesionale, ndërlidhet me disa faktorë.
Mungesa e një strategjie shtetërore për të trajtuar me efikasitet dhe në mënyrë profesionale krimet e luftës, mungesa e vazhdueshme e mbështetjes financiare për sistemin prokurorial dhe gjyqësor me resurse të mjaftueshme, mungesa e ekspertizës dhe e përvojës së Policisë, Prokurorisë, mbrojtësve të viktimave dhe gjykatësve si dhe mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar në trajtimin e këtyre rasteve.
Sipas IKD-së, vështirësitë lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rezultojnë edhe nga mungesa e një strategjie shtetërore për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, duke marrë shembull rastin e Kroacisë.
Një strategji shtetërore me objektiva të qarta, për të gjitha institucionet që merren me trajtimin e krimeve të luftës, mbështetja financiare e saj në aspektin e resurseve njerëzore dhe profesionale për Polici, Prokurori, gjykata dhe mbrojtësve të viktimave, do të kishte ndikim si në aspektin e efikasitetit ashtu edhe të trajtimit të krimeve të luftës.
Mungesa e specializimit të këtyre akterëve, ka bërë që sistemi i drejtësisë mos të gjenerojë rezultate të mjaftueshme në trajtimin e këtyre rasteve.
“Sipas raporteve të Institutit të Kosovës për Drejtësi, vazhdimisht ka pasur mungesë të vullnetit politik për të ofruar mbështetje financiare nga pushteti qendror, institucioneve të cilat janë përgjegjëse për trajtimin e krimeve të luftës. Deri në vitin 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka funksionu me një numër të vogël të prokurorëve. Sa i përket numrit të lartë mbi 1 mijë raste në punë lidhur me krimet e luftës. Në anën tjetër, në vitin 2023 edhe Policia e Kosovës ka filluar të forcojë Drejtorinë e Krimeve të Luftës, duke rekrutuar 22 zyrtarë policorë për të cilët themi se nuk mund të kenë ekspertizën dhe përvojën e mjaftueshme për të trajtuar në mënyrë profesionale krimet e luftës, pra përkatësisht hetimin e tyre. Gjendje përafërsisht e ngjashme ka ndodhur edhe me numrin e vogël të mbrojtësve të viktimave të krimeve të luftës, të cilët po ashtu nuk kanë ekspertizën e mjaftueshme për të mbrojtur këto viktima. Pra, është tejet negativ fakti që në vitin 2024 ne ende flasim për mungesa të resurseve njerëzore dhe atyre tyre profesionale”, tha Eranda Zekaj nga IKD.
Bashkëpunimi me forcat e rendit u tha se u përmirësua dukshëm kur Policia e Kosovës themeloi Drejtorinë për Hetime të Luftës.
“Gjatë vitit të kaluar kemi arritë me i rekrutu 22 zyrtarë. Jemi në rrugë të mirë të kosolidimit të drejtorisë, kemi provu dhe ia kemi dalë suksesshëm me punu paralelisht në kuptimin e strukturimit administrativ fillimisht brenda drejtorisë, rekrutimin e stafit, trajnime të ndryshme që janë benefit për çështje hetimore tek hetuesit, në kuptim të profilizimit për hetime të krimeve të luftës e deri te çështja e bashkëpunimit me organizata tjera që kanë trajtu krimet e luftës në përgjithësi”, tha Bashkim Spahiu, udhëheqës i Drejtorisë për Krime të Luftës në Policinë e Kosovës.
Edhe
Mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë cilësohet sfidë për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë
Drejtuesit e Prokurorisë Speciale janë ankuar se numri i prokurorëve që kanë për hetimin dhe trajtimin e rasteve të krimeve të luftës është i pamjaftueshëm. Ndërsa, përveç kësaj, sfidat janë paraqitur edhe tek mungesa e njohurive dhe praktikave tek prokurorët vendorë.
Prokurori special, Ilir Morina thekson sfidat me të cilat është ballafaquar PSRK-ja pas marrjes së kompetencave nga EULEX.
“Sfida e parë në atë kohë, ka qenë që përveç transferimit të lëndëve, nuk ka pasur transferim të njohurive, praktikave. Prandaj, institucionet vendore në njëfarë mënyrë është dashtë t’i qasen kësaj teme të re, ka munguar përvoja në institucionet vendore që të trajtojnë hetimin e krimeve të luftës dhe tani me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar dhe me angazhimin tonë si institucione vendore, kemi arritur të krijojmë një kapacitet të konsoliduar për hetimin e krimeve të luftës”, tha Morina.
Kurse, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se ngritja e kapaciteteve duhet të jetë e vazhdueshme.
“Ngritja e kapaciteteve duhet të jetë e vazhdueshme, sepse stafi shpesh ndërrohet, bashkëpunëtorët avancohen, prokurorët ndoshta i ndërrojnë shpesh Departamentet, prokurorët ndërkombëtarë kanë ardhur për periudha ad hoc. Çdo prokuror vendor apo ndërkombëtar që e merr një lëndë voluminoize të krimeve të luftës, ka nevojë për njohuri teorike dhe praktike për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës”, tha Alija.
Se institucionet e drejtësisë ende kanë probleme sistematike në trajtimin e krimeve të luftës flet monitoruesi i IKD-së, Flamur Kabashi.
“Gjatë vitit 2023, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka monitoruar në total 9 raste të krimeve të luftës. Për këto 9 raste, janë caktuar 40 seanca, prej të cilave 38 seanca janë mbajtur, një është shtyrë dhe një është anuluar, statistika të cilat flasin për një menaxhim të mirë dhe administrim të mirë të rasteve të krimeve të luftës pasi që në 95 për qind për këto raste, del se janë mbajtur seanca gjyqësore. Mirëpo, përkundrazi se këto raste janë administruar mirë sa i përket mbajtjes së seancave, del që trajtimi i tyre profesional nuk është në mënyrën e duhur, pasi që ka një dallim shumë të madh mes vendimeve të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit. Në rastet që IKD vitet e fundit i ka monitoruar, del që shumica e rasteve që ndërlidhen me krimet e luftës, janë kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Gjykatën Themelore. Në monitorimin që bën IKD, del që prokurorët që hetojnë dhe ngrisin aktakuza në këto raste, nuk e kuptojnë mjaft qartë rolin e dëshmitarëve që inkriminojnë rolin e të akuzuarve në procedurë, pasi që deklaratat e dëshmitarëve gjatë shqyrtimeve gjyqësore nuk është që inkriminojnë në tërësi të akuzuarin dhe deklarojnë rrethana shfajësuese për të akuzuarit për krime të luftës”, tha Kabashi.
Sipas Kabashit, problematikë tjetër e evidentuar gjatë monitorimit të IKD-së, është fakti që për shkak të kalimit të kohës së gjatë, dëshmitarët nuk kujtojnë shumë prej fakteve relevante, derisa ka një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve jookularë që duhet të japin dëshminë e tyre.
Në anën tjetër, avokati Kujtim Kërveshi tha se dosjet kanë të meta faktike të mëdha.
“Dosjet të cilat janë gjet e janë grumbullu e janë sistemu, kanë të meta profesionale, të meta faktike të mëdha. Për mua ekziston bindja dhe besoj vërtetohet edhe nëpër procese gjyqësore që edhe njerëzit të cilët në atë kohë kanë grumbullu fakte për krime të luftës, një nuk kanë pas autorizim ligjor, dy, besoj që në shumicën e rasteve edhe nuk kanë pasur njohuri të mjaftueshme dhe të nevojshme profesionale për me u marrë me atë çështje me të cilën janë marrë si organizime vullnetare e organizime të shoqërisë civile, po flas pas luftës”, tha Kërveshi.
Një problematikë tjetër, është bashkëpunimi jo i duhur me mekanizmin rezidual për tribunalet ndërkombëtare të cilët e kanë një databazë, në të cilën pretendohet se ka shumë prova për krimet e luftës në Kosovë, kjo ka prolonguar proceset e hetimeve dhe gjykimeve të këtyre rasteve në Kosovë, nga organet e vendit.
“Ju e dini që mekanizmi është një mekanizëm i Kombeve të Bashkuara, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Sigurimit, ju e dini raportin e Kombeve të Bashkuara në aspektin politik me Kosovë, mungesa e statusit, antarësia, çështje që tashmë dihen dhe siç duket kjo është një ndër sfidat të cilat e pengon bashkëpunimin formal. Në kuptimin që secili shtet i regjionit e ka një marrëveshje të nënshkruar me mekanizmin e ne ende nuk e kemi, jemi duke punuar në atë drejtim”, tha prokurori i PSRK-së, Ilir Morina.
Të gjitha tentativat e gjyqësorit të Kosovës për bashkëpunim me organet e Serbisë, rreth kësaj teme, janë bojkotuar, sipa gjykatësve që trajtojnë rastet e krimeve të luftës në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Edhe
Mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë sfidë për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë
“Ne kemi tentu disa herë dhe kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për ndihmë juridike ndërkombëtare, qoftë për dorëzimin e shkresave, sigurimin e shkresave, sigurimin e prezencës së të pandehurve, letër-rreshtimi, urdhëresa çfarëdo që të jenë ato, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga ta. Kemi një bojkot nga ana e Serbisë, ku institucionet gjegjëse duke përfshi edhe ato të nivelit të Qeverisë apo kushdo që e kanë në përgjegjësinë e tyre, e deri te institucionet gjyqësore e kanë ngritë zërin e tyre në mënyrë të vazhdueshme për këtë çështje edhe tek faktorët ndërkombëtarë, tek partnerët tanë ndërkombëtarë për një bashkëpunim që ta kemi të mirëfilltë, sepse në fund të fundit është në funksion të drejtësisë”, thotë Valon Kurtaj, përgjegjës i Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sfidat në hetim, ndjekje dhe gjykim të rasteve të krimeve të luftës, janë evidente, por përgjegjësit për adresimin e tyre ende nuk kanë dhënë përgjigjen e duhur për të përkrahur mjaftueshëm resurset në sistemin e drejtësisë. Në anën tjetër, ndër sfidat më serioze mbetet mungesa e bashkëpunimit të Serbisë, sfidë kjo që minon rezultatet në zbardhjen e këtyre krimeve. Në fund, viktimat, familjarë të krimeve të luftës presin drejtësi./ Betimi për Drejtësi