Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Paralajmërohet “dimri më i vështirë” për Ukrainën

Ukraine

Foto: Associated Press

Ukraina do të përballet sivjet me “dimrin më të vështirë” që nga pushtimi i plotë i vendit nga Rusia në vitin 2022, ka thënë për BBC-në një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara. 

Alexander De Croo, kreu i agjencisë së OKB-së për zhvillim, ka thënë se ekziston rreziku i një “katastrofe humanitare” nëse sulmet ruse ndërpresin furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Duke folur në Ukrainë, De Croo, zyrtari i tretë më i lartë i OKB-së, e ka akuzuar Rusinë se po godet në mënyrë sistematike infrastrukturën energjetike të vendit. 

Ai ka thënë se tashmë ka nisur një “garë kundër kohës” për riparimin e rrjetit energjetik përpara ardhjes së dimrit dhe rënies së ndjeshme të temperaturave. 

Rusia ka nisur të përdorë dronë më të shpejtë, me motorë reaktivë, të cilët janë më të vështirë për t’u interceptuar, në sulmet e fundit të pandërprera ndaj Ukrainës, veçanërisht ndaj Kievit.

Ukraina vazhdon të kryejë sulme me dronë thellë në territorin rus, kryesisht kundër objekteve të shpërndarjes së gazit, naftës dhe atyre tregtare. Të dyja vendet mohojnë se kanë në shënjestër civilët.

Sulmet vdekjeprurëse kanë rifilluar pasi presidenti amerikan Donald Trump dërgoi të dërguar për bisedime në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, fundjavën e kaluar.