Rusia ka paralajmëruar se do t’i intensifikojë sulmet ndaj Kievit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës, në përgjigje të deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se Ukraina do t’i shtojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, raporton agjencia Reuters.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar të dielën se forcat ruse do t’i shtojnë sulmet ndaj objekteve ushtarake, industrisë së mbrojtjes dhe infrastrukturës së lidhur me to në Kiev dhe në zona të tjera të Ukrainës.
Në një intervistë për Reuters, të publikuar të shtunën, Zelensky tha se Ukraina do t’i intensifikojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, në përgjigje të strategjisë së re të Moskës për sulmet ajrore.
Sipas tij, këto sulme synojnë t’i detyrojnë banorët të largohen nga Kievi dhe qytetet e tjera, ndërsa theksoi se Ukraina nuk do të godasë civilët.
Rusia ka intensifikuar së fundmi sulmet ndaj infrastrukturës në kryeqytetin ukrainas, përfshirë urat mbi lumin Dnipro. Fushata e sulmeve ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në jetën e përditshme të rreth tre milionë banorëve të Kievit, ndërsa vendi po përgatitet për muajt e ftohtë të dimrit.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet e fundit ndaj Kievit dhe rajoneve të tjera të Ukrainës janë përgjigje ndaj asaj që Moska i cilëson si sulme të Kievit ndaj objektivave civile në territorin rus.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina mohojnë se kanë në shënjestër civilët.