Leonida Molliqaj nga organizata QIKA, ka thënë se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt tregon për dështim të të gjitha hallkave institucionale, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale në Pejë e deri te Prokuroria, secili institucion ku Zekaj ka kërkuar ndihmë.
Ajo ka thënë se edhe suspendimet e sotme në Prokurorinë në Pejë dhe të zyrtarëve policorë atje, janë si rezultat i protestave.
Këshilli Prokurorial i ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferrin, prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor. Gjithashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, u suspenduan 11 policë të stacionit të Pejës.
“Konsiderojmë që nëse nuk protestojmë në këtë rast jo vetëm duke kërkuar suspendime të cilat ndodhën sot e sigurisht që janë rezultat i protestave të grave e organizatave të grupeve joformale feministe, prapë se prapë jemi të pakënaqur sepse besojmë përgjegjësia duhet të jetë politike. Jemi të pakënaqur sepse një shtet nuk duhet të lejojë një ministre si Gërvalla të bëjë deklarata në Kuvend të cilat janë nënçmuese për viktimën dhe familjen e saj dhe për të gjithë aktivizmin feminist, duke thënë se nëse do të kishte ardhur viktima te Qeveria ndoshta do ta ndihmonin. Kjo është dhunë në bazë gjinore, është fajësim i viktimës”, ka deklaruar Molliqaj.
Sa i përket konferencës së paralajmëruar për nesër nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për raportin e kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, në lidhje me çdo lëshim institucional në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, Molliqaj deklaroi se nuk do të duhej të lejoheshin që Gërvalla e Sveçla të dilnin në publik sepse ata do të duhej të shkarkoheshin nga Kurti.
“Ajo konferencë nuk duhet të ndodhë hiç. Nuk duhet të jetë e mundur që ata dy të dalin në publik. Rasti ka ndodhur në institucione të cilat ata dy i drejtojnë. Arroganca e tyre për rastin është irrituese për neve dhe vetëm sa na bën të organizohemi më shumë dhe të kërkojmë shkarkim të tyre. Kryeministri do të duhej t’i shkarkonte sa më parë”, ka deklaruar Molliqaj në emisionin “Konfront” në KTV.
Edhe
Protestuesit insistojnë në shkarkimin e Gërvallës e Sveçlës
Kryeministri Albin Kurti u kishte dhënë afat këtyre dy dikastereve deri sot në ora 18:00 për të dorëzuar raportet lidhur me shkeljet që janë bërë në rastin e Arlinda Zekajt.
Ndaj ministrave Gërvlla e Sveçla po kërkohet dorëheqja që dy ditë përmes protestave.