Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“S’duam suspendime”, për rastin e Arlinda Zekajt kërkohen shkarkime, ndjekje penale e dorëheqje

protesta

Foto: Driton Paçarada

Kryeprokurorja e Prokurorisë së Pejës Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor, Arlinda Nallbani Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra të enjten, katër ditë pasi ndodhi vrasja. 

Por në protestat e organizuara pas vrasjes së Zekajt, që kanë vazhduar për ditën e dytë me radhë, është kërkuar shkarkimi e ndjekja penale e personave të përfshirë në rast në Prokurori, Gjykatë e Polici, e dorëheqja e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla e kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri. 

Njëra prej organizatoreve të protestave, Anitë Nikaj, në fjalimin e mbajtur në protestë i ka përmendur kërkesat drejtuar Qeverisë.

“Kërkesat tona janë të qarta, s’duam suspendime, duam shkarkime, burgosje e ndjekje penale”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë Zyra e Kryeministrit nuk u është përgjigjur kërkesave të protestuesve, por ka njoftuar se ka pranuar raportet nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme për rastin e Arlinda Zekajt.

Sipas njoftimit, së bashku me ministrat përkatës, raporti do t’i nënshtrohet shqyrtimin dhe analizimit për secilin lëshim, neglizhencë e përgjegjësi institucionale. 

“Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në njoftim. 

Për këtë dhe veprimet e mëtejme është paralajmëruar konferencë për shtyp nesër nga ora 09:00 nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla – ministrave, të cilëve po u kërkohet dorëheqja nga protestuesit qe dy ditë.

E në Kuvendin e Kosovës në seancën e mbajtur të enjten me 90 vota për, ka themeluar Komisionin hetimor parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Këshilli Prokurorial të enjten ka njoftuar se pas suspendimit ndaj Vuçetajt dhe Nallbani Gacaferrit, është hapur procedurë disiplonore dhe është themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit.

Në anën tjetër Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konstatuar se Policia e Kosovës nuk e kishte dokumentuar ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të 7 shtatorit për Arlinda Zekajn. 

Sipas gjetjeve preliminare të IPK-së, urdhri i dytë mbrojtës, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor, pas ndërhyrjes së Inspektoratit, i cili paraprakisht kishte pranuar informatë nga vetë Zekaj.

IPK-ja ka konstatuar edhe se zinxhiri komandues policor nuk e kishte trajtuar një email të 23 tetorit, përmes të cilit një hetues policor kishte kërkuar vlerësimin e rastit dhe asistencë shtesë. Hetuesi kishte rekomanduar që, gjatë kohës kur Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo të vizitohej nga patrullat policore dhe të mbahej komunikim më i shpeshtë me të, për të evidentuar situatën brenda shtëpisë.

Sipas IPK-së, ka pasur dështime në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimeve të gjykatës. Përgjegjësitë e identifikuara përfshijnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin në Vitomiricë dhe njësitë hetimore në nivel rajonal e stacioni.

“Janë suspenduar u.d. drejtori rajonal në DRP-Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale në DRP-Pejë, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, u.d. shefi i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë”, thuhet në njoftimin e IPK-së 

IPK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e të ndjerës.

Zekaj u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj, Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës. 

Vetëm tri ditë para se të vritej Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.