Edhe pas gati tri dekadash nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet vendore vazhdojnë të mos kenë pasqyrë të saktë për numrin e të vrarëve dhe të masakrave të kryera. Gjithçka për shifrat funksionon “me përafërsisht”. Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, në faqen e tij ka të publikuara të dhëna për vetëm pesë masakra
Në periudhën kur Kosova përkujton shumë prej masakrave që Serbia i ka kryer gjatë luftës së fundit, institucionet e vendit ende nuk kanë numër të saktë të këtyre krimeve.
Po ashtu, mungon edhe numri i saktë i personave të vrarë dhe të zhdukur gjatë kësaj periudhe.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoInstituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS tash e një javë, lidhur me numrin e masakrave dhe dokumentimin e tyre.
Zëdhënësi i këtij institucioni i ka thënë KOHËS që për përgjigje t’i referohet një interviste që drejtori i institutit, Atdhe Hetemi, ka dhënë për një medium tjetër.
“E nderuar, siç iu kam treguar dhe javën e kaluar, drejtori është në vizitë zyrtare, për më shumë rreth pyetjeve tuaja po jua përcjell linkun ku mund t’i gjeni përgjigjet”, ka thënë Behar Gashi, zëdhënës në IKKL.
Ndërkohë në faqen zyrtare të këtij instituti figurojnë të dhëna për vetëm pesë masakra.
E drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, thotë se Kosova tashmë do të duhej t’i kishte këto të dhëna të plota.
“Po flasim 27 vjet pas luftës, u dashtë shumë ma herët që të jenë këto informata dhe t’i shmangim numrave. Po është e rëndësishme të dihet numri i të vrarëve dhe të zhdukurve. Padyshim është e rëndësishme të dihet numri i vrasjeve masive që kanë ndodhur mirëpo shumë ma e rëndësishme është të dihet rrethanat në të cilat këta persona janë vrarë apo janë zhdukur. Të hartohet narracioni i saktë se çfarë rrethanash kanë ndodhur këto vrasje masive”, ka deklaruar Blakaj.
Udhëheqës të Institutit për Krimet në disa raste kanë thënë se në Kosovë besohet se kanë ndodhur rreth 100 masakra, por Blakaj beson se janë dyfish më shumë.
“Tani nuk e di numrin e saktë por janë disa qindra ndoshta rreth 200 prej tyre, ku civilët janë vra në masë, pra në mënyrë masive në një vend”, është shprehur Blakaj.
Pasaktësi lidhur me dokumentimin e krimeve serbe kanë shfaqur edhe udhëheqësit institucionalë në disa raste, kur në përvjetorë të ndryshëm përkujtuan të vrarët, duke dhënë shifra të ndryshme.