Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova pa platformë online që dokumenton krimet e luftës

faqja e internetit të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës.

Gati tri dekada pas luftës, Kosova nuk ka platformë të qasshme në internet me të dhëna për krimet e kryera nga Serbia. Hulumtuesit e shohin si shumë të nevojshëm digjitalizimin e arkivit të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës dhe publikimin e të dhënave të përpunuara. E, në Institut thanë se procesi kërkon kohë

Emrat e viktimave të luftës, masakrat, dëshmitë për dëme ekonomike dhe dokumentet për krimet e tjera që Serbia i ka kryer në Kosovë, nuk gjenden në faqen e internetit të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës.

Bekim Blakaj, i cili e drejton Fondin për të Drejtën Humanitare, thotë se digjitalizimi i arkivit dhe publikimi i të dhënave të përpunuara është i rëndësisë së madhe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nëse një hulumtuesi nga universiteti i intereson të hulumtojë një ngjarje të caktuar gjatë luftës, nëse arkiva do të ishte e digjitalizuar dhe e përpunuar në një souftware të posaçëm, atëherë është çështje minutash. Me keywords do të mund të gjente dokumentet të cilat i referohen asaj ngjarjeje”, thotë Blakaj.

Raporti vjetor i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës, që i referohet 2025-tës, tregon që digjitalizimi do të duhej të përfundonte vitin e kaluar.

“Pavarësisht përgatitjes dhe dorëzimit të projektit të plotë për digjitalizimin e materialeve dhe arkivave (qershor, 2024), mungesa e fondeve të dedikuara ka pamundësuar zbatimin praktik të tij, duke kufizuar qasjen e shpejtë në dokumentacione, proceset analitike dhe publikimin e të dhënave”, thuhet në raport.

Atdhe Hetemi, i cili drejton institutin, tha se procesi i digjitalizimit kërkon kohë. Ai theksoi se deri tash janë mbledhur 21 terrabajtë dokumente, që dëshmojnë krimet.

“Normalisht që në planet e Institutit, qoftë afatmesme, është edhe digjitalizimi i arkivit. Është një proces i cili është duke lëvizur në atë drejtim, respektivisht ne e kemi dizajnuar projektin për software digjital, të cilin do ta aplikojmë dhe përmes të cilit do t’i digjitalizojmë materialet arkivore që i kemi”, thotë Hetemi.

Të dhëna për disa nga krimet janë të qasshme në platforma të organizatave joqeveritare, si Fondi për të Drejtën Humanitare.

Bekim Blakaj thotë se projekti i Institutit për Krimet e Luftës duhet të përfshijë shumë më shumë sesa digjitalizimin e arkivit.

“Vetëm digjitalizimi nuk është i mjaftueshëm, sepse në atë rast kërkimi i të dhënave mbi ngjarjet e caktuara, mbi viktimat e caktuara, vështirësohet. Pra, pa përpunimin dhe krijimin e një souftware, mendoj që do të jetë tepër e vështirë që të shfrytëzohet arkiva, qoftë në mënyrë fizike, qoftë edhe nëse është digjitalizuar”, thotë ai.

Instituti për Krimet e Luftës është themeluar në vitin 2023 dhe funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Para tij, në vitin 2011 ishte themeluar një institut i ngjashëm i cili pati bërë disa publikime dhe është mbyllur në vitin 2018.

Elsa Mustafa