Ali Sefaj, përfaqësues i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civilë, ka thënë se në çdo paraqitje ka kërkuar nga opozita që mos t’i mbështesë, pasi sipas tij janë pikërisht ata që e kanë sjellë këtë gjendje.
“Sa herë kam dalë në emër të BSPK-së me fol, në secilin prononcim i kam kërkuar opozitës mos na mbroni, ‘në këtë derexhe na keni lanë ju, nuk na duhet mbrojtja juaj, sa herë ju flisni për neve veç na rëndoni gjendjen, nuk duam të identifikohemi me ju se këto dispozita i keni nxjerrë ju, këtë tretman na e keni bë ju’, thjesht nuk e kuptoj pse duhet të na identifikojnë me ta”, u shpreh ai në “Tempus” të KTV-së të martën.
Sipas tij, sa herë diskutohet në politikë kjo, bëhet për poenë politikë. Sefaj ka thënë se “nëse do të kishte pasur ligje të mirëhartuara, s’do t’i rrëzonte Kushtetuesja dhe s’do të ishin në këtë fazë” duke iu referuar rrëzimit të Ligjit për paga më 2020.
Ai ka kërkuar nga Vetëvendosje t’i mbajë premtimet që i ka dhënë për 10 vite sa ishte në opozitë.
Sefaj e ka quajtur të çuditshëm vendimin e Ministrisë së Financave që grevistëve të mos u ekzekutohen pagat. Sipas tij, shumica e mësimdhënësve gjysmën e pagës e kanë në kredi dhe se qasja e Qeverisë është ofenduese për mësimdhënësit.