Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka rekomanduar Qeverisë që me urgjencë ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës Ligjin për Pagat.
Deputeti Shemsedin Dreshaj ka thënë se Qeveria Kurti po e vë vendin në krizë.
“Ne i rekomandojmë si AAK Qeverisë që me urgjencë të sjellë Ligjin e Pagave në Kuvend, që qeveria të merret seriozisht me arsimin dhe shëndetësinë duke implementuar ligjin për sigurime shëndetësore dhe duke bërë plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti”, tha ai në një konferencë për media të premten.
Dreshaj shtoi se Qeveria nuk po u ofron zgjidhje qytetarëve dhe se po i varfëron ata.
“Kjo Qeveri po prodhon vetëm kriza e jo zgjidhje. Qeveria për një vit vazhdon të prodhojë kriza ekonomike, politike e të mirëqenies në vend duke varfëruar qytetarin. Greva e sotme e sindikalistëve vërteton se kjo qeveri qytetarëve nuk po u ofron zgjedhje por krizë”, tha ai.
Ai tha se mësimdhënësit po diskriminohen dhe se për shkak të pazotësisë së Qeverisë ata gjenden në situatë të rëndë.
Edhe
Opozita i sheh shqetësuese paralajmërimet e SBASHK-ut për grevë, fajëson Qeverinë
“Mësimdhënësit që dikur ishin shtyllë e rezistencës kundër armikut, tani në liri po diskriminohen. Qeveritarët ta kenë të qartë se dalja në rrugë e mësimdhënësve nuk bëhet nga qejfi, por nga zori. Ata gjendjen në situatë shumë të rëndë socio-ekonomike dhe në këtë situatë gjenden për shkak të pazotësisë së qeverisë”, theksoi Dreshaj.