Arbëri

Dreshaj: Me Ligjin e ri për Pensione përfitojnë shumë qytetarë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, deklaroi se miratimi i Projektligjit të ri për pensione, është pozitiv, nëpërmjet të cilit mund të përfitojnë shumë qytetarë.

Ai deklaroi se Qeveria Kurti, por edhe qeveri në të kaluarën e kanë neglizhuar zgjidhjen e këtij problemi, por siç tha ai, qeveria aktuale e ka pasur program politik zgjidhjen e kësaj çështjeje,

“Kemi pasur disa ligje për skema pensioanle, për FSK-në, për minatorët, punonjësit e arsimit paralel, por ato kanë qenë parciale. Ky ligj që është propozuar tani është një ligj që lë shumë për t’u dëshiruar...Nuk është debatuar fare në lexim të parë në Kuvend, s’ka dalë për debat publik për t’u dëgjuar opinioni i shoqërive civile...Brenda ditës besoj se do të jetë leximi i parë dhe i dyti javën e ardhshme, në procedurë të përshpejtuar. Është ligj i ndjeshëm, prekën shumë kategori”, tha ai.

Deputeti i AAK-së u shpreh se i vjen keq për qytetarët që kanë dhënë kontribute vite me parë, por për shkak të këtij diskriminimi në ligj, janë privuar nga marrja e kësaj të drejte.

“Në vitet 89-90 i kemi pasur 80.000 punëtorë të dëbuar nga puna, e sot janë lënë në mëshirën e fatit. S’dua ta fajësoj vetëm këtë qeveri, por kjo ka qenë neglizhente sepse ka pasur program politik zgjidhjen e kësaj çështjeje. Brenda këtij ligji është edhe njohja e diplomave të vendit të vet. Kosova është vendi i vetëm në botë që s’i njeh diplomat e 90-s”, shtoi ai.

Dreshaj theksoi se nga java e ardhshme, Ligji për Pensione do të jetë funksional dhe kushdo që do të shkojë të marrë pensionin, do t’i gëzojë kontributet e tij

“Njëkohësisht do të bëj propozim meqenëse kam edhe mbështetjen e AAK-së, që të mos ketë diskriminim për ata që më herët janë pensionuar dhe nuk do të ketë kompensim. Ky ligj të përfshijë të gjithë qytetarët, bazuar në atë se sa kanë kontribuar. Ata që kanë kontribuar për sa vite, janë lënë jashtë me ligj. Deri në 2020, numër i konsiderueshëm kanë mbërritur për segmentin arsimor dhe shëndetësor të marrin. Mbi 90 për qind kanë mbërritur 15-vjetëshin”, tha deputeti opozitar.