TEMPUS

“Në raport me dorëheqjet, gjyqësorin do ta obligojë vetëm një marrëveshje ndërkombëtare”

Albert Zogaj

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se në raport me dorëheqjet, gjyqësorin do ta obligojë vetëm një marrëveshje ndërkombëtare.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, tha se deklaratat apo komentet që vijnë jashtë gjyqësorit lidhur me këtë çështje, nuk e obligojnë gjyqësorin.

“Gjyqësorin e Kosovës ka me obligu vetëm një marrëveshje ndërkombëtare, me pru në mënyrë formale. Deklaratat, komentet që vijnë jashtë gjyqësorit, nuk e obligojnë gjyqësorin”, tha Zogaj.

Ai tha se në qoftë se ka parakushte për diskutimin e dorëheqjeve, diskutimi i tyre do të jetë individual. Tha se vlerësimi preliminar i KGJK-së është se do të ketë një ekipë të KGJK-së që do të shqyrtojnë të gjitha.

“E vërteta është se ne nuk mund ta mbajmë në pafundësi këtë gjendje, ndoshta duhet në një moment me i pranu të gjitha dhe me i hapë vendet, por gjithë e dijmë që nuk do të kemi aplikime, në qoftë se do të kemi për Divizionin e Gjykatës së Apelit, do të na duhet deri në 7 vite deri në plotësimin e vendeve”, tha Zogaj.

Por, ai shtoi se numri i gjyqtarëve dhe zyrtarëve tjerë nuk është numri më i saktë për performancën, kurse theksoi se sikurse mungesa e theksuar edhe mbingarkesa është në dëm të efikasitetit.

Zogaj tha se kishte mobilizim për Gjykatën Themelore në Mitrovicë, derisa përmendi që janë transferuar gjykatës, janë zgjedhur të rinj e është shtuar numri i stafit. /BetimipërDrejtësi


 

Zogaj: Nga gjyqtarët e dorëhequr në veri dominon grupi i atyre që vijnë prej gjykatave paralele

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se nga gjyqtarët e dorëhequr në veri, që janë përfshirë në sistemin gjyqësor me marrëveshjen e integrimit, dominon grupi i atyre që vijnë prej gjyaktave paralele.

“Dominon grupi i gjyqtarëve që janë përfshirë në sistemin gjyqësor me marrëveshjen e integrimit dhe që me ditë publiku, vijnë prej gjykatave paralele kryesisht, sepse disa kanë një eksperiencë në gjykatë paralele, disa në Serbi’, tha Zogaj në “Tempus“.

Zogaj ndër të tjera tha se orientimi duhet të jetë krijimi i një klime pozitive për funksionim normal.

“Sepse në Leposaviq apo Zubin Potok ne kemi shkuar edhe para dorëheqjeve edhe pas dorëheqjeve, por do të ishte e arsyeshme besoj që të punohet shumë që me pas klimë pozitive. Nuk mund të mbahet krejt jetën me sforcime çështja e një insitucioni, ne duhet me kriju parakushte normale të funksionimit të gjykatës”, shtoi ai.

Kryesuesi i KGJK-së shtoi se vazhdimisht ka shqetësime të administratës dhe gjykatës për siguri dhe çështje tjera, ngase sjellja e institucioneve nganjëherë nuk është mirë e koordinuar. /BetimipërDrejtësi


Miftaraj: Me kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, kthehet sovraniteti i veriut

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sovraniteti i veriut kthehet me kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në institucionet ku kanë punuar.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Miftaraj tha dorëheqja e stafit serb në veri ka qenë veprim që nuk do të duhej të ndodhte.

“Në mënyrë që të ketë legjitimitet ushtrimi i gjyqësorit në veri, është e domosdoshme në bazë të Kushtetutës, të ketë gjyqtarë dhe prokurorë serbë”, tha Miftaraj, duke shtuar se është qasje kritike e rëndësishme për interesat e Republikës së Kosovës.

Përmes kësaj qasjeje, ai tha se i është mbyllur rruga presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që përmes veprimeve të njëanshme politike, të ndikojë diskursin e brendshëm në Republikën e Kosovës.

“Me kthimin e prokurorëve dhe gjyqëtarve serbë, besoj që është pjesa më e rëndësishme ku rikthehet edhe një herë ushtrimi i plotë i sovranitetit në veriun e Kosovës, ku qytetarët serbë shërbimet e tyre do t’i marrin nga përfaqësuesit e tyre, në këtë rast nga gjyqëtarët dhe prokuroët të cilët janë të emëruar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilët e kanë dhënë betimin ose kanë shkuar para presidentit së Republikës së Kosovës për ta marrë mandatin si prokurorë dhe gjyqëtarë, sikurse që e marrin të gjithë gjyqëtarët dhe prokurorët shqipëtarë”, tha Miftaraj.

Ai shtoi se është me rëndësi që Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të kujdesen që me rastin e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe stafit mbështetës, të sigurohen që nuk ka elementë ose persona të cilët ka informata se janë të përfshirë në vepra kriminale që i bëjnë të padenjë për të vazhduar ushtrimin e funksionit të gjyqatrit dhe prokuroritë.

“Po ashtu besoj t’ua bëjnë me dije njëherë e mirë gjyqtarëve, prokurorëve por edhe stafit mbështetës se ata i përkasin institucionit të Republikës së Kosovës dhe janë të mirëseardhur për të ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë në këto institucione, por që duhet të sillen në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi


Zekaj: Sovraniteti i shtetit nuk shtrihet përmes hapjes së kafiterive

Avokati Yll Zekaj, duke folur për dorëheqjet e gjykatësve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb në veri, tha se sovraniteti i shtetit nuk shtrihet përmes hapjes së kafiterive.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Zekaj tha se me dorëheqjen e stafit serb u bë desintegrimi i asaj që ishte arritur për 10 vjet.

“Gjyqësori përveç se duhet të jetë efikas dhe efektiv, duhet me qenë me integritet, me qenë edhe i qasshëm për qytetarin”, tha Zekaj, duke theksuar se qytetari duhet pranuar shërbime edhe nga komuniteti i vet ngase e rrit besimin në sistemin e drejtësisë.

Avokati tha se Gjykata duhet të jetë institucion i besueshëm për qytetarët, por që aktualisht nuk e kemi një gjendje të tillë.

“Sovraniteti i shtetit nuk shtrihet përmes hapjes së kafiterive. Sovraniteti i shtetit shtrihet përmes institucioneve që shtrihen në atë pjesë, multietnicitetit të institucioneve në kuadër të strukturës në aspektin nacional që ekziston në atë pjesë. Kjo është edhe fryma e Kushtetutës, të cilën institucionet duhet ta zbatojnë”, tha Zekaj.

Ai shtoi se mosaprovimi i dorëheqjeve të stafit serb, është hapi më i mirë i bërë nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial.

“Dorëheqja është akt individual i një personi, por kur bëhet me vullnetin e plotë të tij. Në momentin që kemi një dorëheqje masive, pavarësisht edhe po të mos kishte qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, edhe nëse kishte qenë pjesë e ndonjë sistemi tjetër, duhet të ndalet shteti dhe të reflektojë”, tha Zekaj. /BetimipërDrejtësi


Zogaj: Me aprovimin e dorëheqjeve të stafit serb do merrnim vlerësim pozitiv, duhet treguar nivel përgjegjësie

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se me aprovimin e dorëheqjeve të gjykatësve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, do të merrnim vlerësm pozitiv, mirëpo duhet të tregohet nivel i përgjegjësisë në këtë çështje.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Zogaj tha se çështja e këtyre dorëheqjeve është me ndikim të jashtëzakonshëm.

“KGJK-ja është institucion i Republikës së Kosovës dhe ne jemi njerëz të saj, domethënë nese ka dorëheqje në rrethana të jashtëzakoshme në mbledhjen e parë të Këshillit ajo trajtohet absolutisht. Por, ne po flasim për një situatë të jashtëzakonshme, për një kontekst që është tepër kompleks me monitorim të jashtëzakonshëm prej partnerëve ndërkombëtarë, me impakt serioz në mundësinë e konsolidimit të divizionit dhe të gjykatës”, tha Zogaj.

Ai theksoi se është e ditur se ka kritika dhe paragjykime lidhur me këtë temë dhe se marrin vlerësime negative, mirëpo theksoi se me një aprovim të dorëheqjeve të stafit serb, ata do të marrin vlerësim pozitiv.

“Por, esenca është demonstrimi i nivelit të lartë të përgjegjësisë për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Kosovës është një tregues serioz i sjelljes se Republikës së Kosovës”, tha Zogaj.

Kreu i KGJK-së tutje tha se kanë shpallur konkurs për rekrutimin e gjyqtarëve serbë dhe stafit të administratës, mirëpo theksoi fatkeqësisht aplikimet janë në kuota minimale për veriun.

Ndryshe, gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë si dhe në Divizionin e Apelit në veri të Mitrovicës, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), më 7 nëntor 2022.

Ky largim i tyre dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës. /BetimipërDrejtësi


Zogaj: Mbajtëm Gjykatën në Mitrovicë funksionale përkundër sfidave edhe të sigurisë

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se pavarësisht sfidave të shumta, ku përfshihen edhe ato të sigurisë, Gjykata Themelore në Mitrovicë është mbajtur funksionale.

“Kur po bëhen gati dy vite nga dorëheqjet, ajo çka mund të theksoj është se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial besoj se janë sjellë si dy institucione me përgjegjësi të lartë në trajtimin e kësaj situate shumë komplekse, sepse u theksua edhe në storie integrimi i gjyqtarëve serbë dhe administratës ka ardhur nga një marrëveshje e integrimit, e cila përfaqëson një prej investimeve më serioze të partnerëve ndërkombëtarë në Kosovë”, tha Zogaj.

Ai tha se dorëheqja e stafit serb ka sjellë krizë në funksionimin e Gjykatës, pasi nuk ka pushuar asnjë ditë puna e kësaj Gjykate.

“Po besoj që e kemi mbajtë Gjykatën funksionale në nivel të lartë të përgjegjësisë edhe të reagimit dhe menaxhmentit aktual të Gjykatës, edhe të Këshillit por edhe Asamblesë së kryetarëve të gjykatave, duke u përballur edhe me çështjet e sigurisë. Jo gjithmonë e kemi thënë çështjet në publik sepse mendoj në princip që nuk duhet të ngarkohet publiku me detaje dhe gjëra që munden me vendosë pikëpyetje mbi besimin e çështje tjera”, tha Zogaj.

Ai theksoi se edhe çështja e sigurisë dhe çështje të tjera janë ndërlidhur me funksionimin e Gjykatës në Mitrovicë.

I pari i KGJK-së tha se gjatë kësaj periudhe janë transferuar rreth 100 dosje në gjykatat tjera. Tha se performanca e Gjykatës Themelore në Mitrovicë në vitin 2023 është më e mirë sesa ajo e treguar në vitin 2022.

Nivel të mirë të performancës, Zogaj tha se kjo Gjykatë po tregon edhe gjatë këtij viti. /BetimipërDrejtësi