Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë hedhur poshtë kritikat e Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për trajtimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve e prokurorëve serbë. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë këmbëngulur se rikthimi i tyre nuk lejohet me ligj, dhe i kanë cilësuar dorëheqjet si akt politik të nxitur nga Serbia. Haxhiu ka thënë se ka informata se ata ende paguhen nga shteti serb
Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë u janë kundërvënë kritikave të ndërkombëtarëve, që kanë shprehur shqetësimin për lirimin nga detyra të prokurorëve serbë të cilët kanë paraqitur dorëheqjet rreth 4 vjet më parë, si dhe kanë shprehur shqetësimin për “presion politik” ndaj Këshillit Gjyqësor (KGJK) për të vepruar njëjtë edhe me gjyqtarët e dorëhequr.
Para se të dështonte mbledhja e KGJK-së, e cila e kishte në rend dite edhe kërkesën e ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, që të trajtoheshin dorëheqjet të cilat qëndronin në sirtarë prej vitesh, ajo i bëri thirrje sërish këtij institucioni që të veprojë në përputhje me praktikat e deritanishme lidhur me lirimin nga detyra të gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqje.
Haxhiu, në një konferencë shtypi, ka thënë se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e komunitetit serb nuk mund të rikthehen në punë sepse nuk ua lejon ligji, ndërsa ka theksuar se përgjatë mandateve të tyre ata kanë marrë direktiva nga Serbia.
Ajo ka theksuar se asnjë shtet demokratik nuk do ta pranonte një situatë ku gjyqtarë e prokurorë të “dirigjohen” nga një shtet tjetër.
Haxhiu u ka reaguar shteteve partnere që kanë kërkuar rikthimin e ish-gjyqtarëve e ish-prokurorëve serbë duke u thënë se asnjë nuk do të vendoste për diçka që është në kundërshtim me ligjin.
Edhe
Haxhiu – ndërkombëtarëve: Kush nga ju do të lejonte gjyqtarë e prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër
“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtarë që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do të lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër. Kush nga partnerët ndërkombëtarë që ne na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë, do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorë që janë anëtarë të këshillave të vendoste diçka që është në kundërshtim me legjislacionin”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka ritheksuar se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë dhënë dorëheqje pas presionit të Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiq.
Siç theksoi ajo, këta akterë qysh prej vitit 2017 janë paguar nga Serbia.
“Referuar të dhënave që kam, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë dhe stafi kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjete financiare në forma të ndryshme nga Serbia që nga viti 2017 deri tash. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë janë paguar nga Serbia”, ka thënë Haxhiu. “Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që ata të ushtrojnë mandatin në dobi të qytetarëve në interes të Republikës së Kosovës”.
Haxhiu deklaroi se ka dëshmi se një pjesë nga ish-gjyqtarët e prokurorët kanë kryer aktivitete të tjera të paligjshme në shërbim të strukturave ilegale serbe në veri duke rënë ndesh me rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës.
“Ka shumë raste ku ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime në Serbi dhe Kosovë ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime, përfshirë bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës. Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Ka dyshime të bazuar që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instrukturuara nga qarqe të lidhura me krimin dhe pushtetin në Serbi”, ka thënë Haxhiu.
Deklaratat ajo i bëri para se të dështonte mbledhja e KGJK-së, që në rend dite kishte kërkesën e haxhiut për t’i shqyrtuar dorëheqjet.
“Uroj që KGJK sot të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe obligimet që kanë. Pas kërkesave të tyre për lirim nga detyra, menjëherë do të nënshkruaj dekretet për pushimin e mandatit të tyre. Nuk dua të mendoj situatë tjetër se njëmend do të jetë e paprecedent, shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu ka deklaruar se është diskutuar edhe lidhur me hapat tutje nëse nga KGJK-ja del vendimi për rikthimin e ish-gjyqtarëve.
Edhe
Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, reagon BE-ja
“Nuk mund të lejojmë shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ata shumica aty janë gjyqtarë dhe ne prej tyre presim t’i zbatojnë ligjet. Cilat do të jenë veprimet, do të flasim pasi të ndodhë diçka e tillë, por uroj të mos ndodhë”, ka thënë ajo.
Kundër rikthimit të gjyqtarëve serbë, është shprehur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në mbledhjen e qeverisë, ai ka thënë se braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022, ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.
“Qysh atëherë, e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: Mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni. Por, nuk u kemi thënë e as nuk kemi të drejtë t’u themi, kthehuni. Kishim të drejtë politike t’ju themi, mos shkoni. Por, nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’ju themi, kthehuni”, ka thënë Kurti. “Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”.
Ai ka rikujtuar se në këtë linjë, sipas kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial.
“Ndërkaq, sot teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje”, ka theksuar Kurti.
Ndërkombëtarët kanë këmbëngulur që prokurorët e gjyqtarët serbë të dorëhequr, të mund të kthehen tash, kur kanë deponuar njoftimet për tërheqje të dorëheqjeve.
Më 21 korrik, përmes një deklarate nga zëdhënësja në Bruksel, BE-ja ka shprehur “shqetësim” për vendimin e Këshillit Prokurorial për t’ua pranuar dorëheqjet personelit serb. BE-ja ka shprehur shqetësim edhe për dekretimin e vendimit nga Haxhiu.
Edhe
BE-ja e shqetësuar për dekretin e Haxhiut për dorëheqjet e personelit gjyqësor serbë
“Sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe sistemi i saj gjyqësor duhet të reflektojë diversitetin etnik të Kosovës. BE në vazhdimësi i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor të serbëve të Kosovës në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet nga dialogu”, thuhet në këtë deklaratë. “BE-ja mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura më 15 korrik 2026 nga ana e gjykatësve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës. BE është e shqetësuar me vendimin e djeshëm të Këshillit Porkurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet të cilat tashmë ishin tërhequr dhe me vendimin e sotëm të ushtrueses së detyrës së presidentut për të dekretuar këto dorëheqje. Kjo duket të mos jetë në përputhje me ligjin, me procedurën e nevojshme dhe kërkesat nga sundimi i ligjit në Kosovë”.
Të enjten, kjo zyrë u bëri thirrje partive politike që “të përmbahen nga presioni” mbi Këshillin Gjyqësor lidhur me vendimmarrjen për kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë. Reagimi i BE-së u bë pas postimeve të disa deputetëve të partisë në pushtet lidhur me KGJK-në.