Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu – ndërkombëtarëve: Kush nga ju do të lejonte gjyqtarë e prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ish-gjyqtarët dhe prokurorët e komunitet serb të dorëhequr nuk mund të rikthehen në punë sepse nuk ua  lejon ligji, ndërsa ka theksuar se përgjatë mandateve të tyre ata kanë marrë direktiva nga Serbia. 

Ajo ka theksuar se asnjë shtet demokratik nuk do ta pranonte një situatë ku gjyqtarë e prokurorë të “dirigjohen” nga një shtet tjetër. Haxhiu u ka reaguar shteteve partnere që kanë kërkuar rikthimin e ish-gjyqtarëve e prokurorëve serbë duke u thënë se asnjë nuk do të vendoste për diçka që është në kundërshtim me ligjin.  

“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtare që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër. Kush nga partnerët ndërkombëtarë që ne na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë, do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorë që janë anëtarë të këshillave të vendoste diçka që është në kundërshtim me legjislacionin”, u shpreh ajo. 

Haxhiu ka ritheksuar se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë dhënë dorëheqje pas presionit të Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiq. 

Siç theksoi ajo tutje, këta akterë qysh prej vitit 2017 janë paguar nga Serbia. 

Edhe Britania e shqetësuar me refuzimin e kërkesës së prokurorëve serbë për t’u kthyer në punë Arbëri 1 d. më parë Britania e shqetësuar me refuzimin e kërkesës së prokurorëve serbë për t’u kthyer në punë

“Referuar të dhënave që kam ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë dhe stafi kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjete financiare në forma të ndryshme nga Serbia që nga viti 2017 deri tash. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohës kur është pritur që ata të ushtrojnë mandatin në dobi të qytetarëve në interes të Republikës së Kosovës”. 

Haxhiu deklaroi se ka dëshmi se një pjesë nga ish-gjyqtarët e prokurorët kanë kryer aktivitete të tjera të paligjshme në shërbim të strukturave ilegale serbe në veri duke rënë ndesh me rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. 

“Ka shumë raste ku ish-gjyqtarë dhe  prokurorë kanë marrë pjesë në takime në Serbi dhe Kosovë ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime përfshirë bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës. Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Ka dyshime të bazuar që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instrukturuara nga qarqe të lidhura me krimin dhe pushtetin në Serbi”, ka thënë Haxhiu. 

Haxhiu pret që KGJK-ja të mos i kthejë në punë gjyqtarët serbë: Nëse kthehen, do të ishte e rrezikshme 

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se pret nga Këshilli Gjyqësor që të mos vendosë për kthimin në punë të ish-gjyqtarëve të dorëhequr serbë. Një situatë tjetër nga kjo do të ishte e rrezikshme ka theksuar ajo. 

“Uroj që KGJK sot të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe obligimet që kanë. Pas kërkesave të tyre për lirim nga detyra, menjëherë do të nënshkruaj dekretet për pushimin e mandatit të tyre. Nuk dua të mendoj situatë tjetër se njëmend do të jetë e paprecedent, shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme”, deklaroi Haxhiu. 

Edhe Vendimi për gjyqtarët serbë do të merret të premten Arbëri 1 d. më parë Vendimi për gjyqtarët serbë do të merret të premten

Haxhiu ka deklaruar se është diskutuar edhe lidhur me hapat tutje nëse nga KGJK-ja del vendimi për rikthimin e ish-gjyqtarëve.

“Nuk mund të lejojmë shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ata shumica aty janë gjyqtarë dhe ne prej tyre presim t’i zbatojnë ligjet. Cilat do jenë veprimet, do flasim pasi të ndodhë diçka e tillë, por uroj të mos ndodhë”. 

Më 21 korrik, përmes një deklarate nga zëdhënësja në Bruksel, BE-ja ka shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për t’ua pranuar dorëheqjet personelit serb pas katër vjetësh prej se i kishin dorëzuar ato. E ky vendim u bë pasi këta serbë tërhoqën letrat e dorëheqjes. BE-ja ka shprehur shqetësim edhe për dekretimin e vendimit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

“Sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe sistemi i saj gjyqësor duhet të reflektojë diversitetin etnik të Kosovës. BE në vazhdimësi i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor të serbëve të Kosovës në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet nga dialogu”, thuhet në këtë deklaratë. “BE-ja mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura më 15 korrik 2026 nga ana e gjykatësve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë të Kosovës. BE është e shqetësuar me vendimin e djeshëm të Këshillit Porkurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet të cilat tashmë ishin tërhequr dhe me vendimin e sotëm të ushtrueses së detyrës së presidentes për të dekretuar këto dorëheqje. Kjo duket të mos jetë në përputhje me ligjin, me procedurën e nevojshme dhe kërkesat nga sundimi i ligjit në Kosovë”.

Të enjten, kjo zyrë u bëri thirrje partive politike që të përmbahen nga presioni mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës lidhur me vendimmarrjen për kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë. Reagimi i BE-së u bë pas postimeve të disa deputetëve të partisë në pushtet lidhur me KGJK-në. 

Edhe Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, reagon BE-ja Arbëri 2 d. më parë Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, reagon BE-ja

“BE-ja në Kosovë i bën thirrje gjitha partive politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarët e tij në vendimmarrjen e tyre. Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit në BE dhe në Kosovë”, thuhet në reagimin e BE-së.