Pas kërkesës së ndërkombëtarëve për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të dorëhequr, njohës të e drejtësisë kanë kundërshtuar kthimin e tyre, duke kërkuar respektimin e procedurave dhe rekrutimin e personave të rinj. Ndërkohë, ka edhe juristë që kanë vlerësuar se rikthimi është i nevojshëm për ruajtjen e karakterit multietnik të institucioneve të drejtësisë.
Edhe pas shtimit të presionit ndërkombëtar për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të dorëhequr, njohës të drejtësisë kanë vlerësuar se atyre nuk duhet dhënë mundësia të bëhen sërish pjesë e sistemit. Sipas tyre, institucionet e drejtësisë duhet të respektojnë procedurat dhe të rekrutojnë serbë që janë lojalë ndaj shtetit të Kosovës. Ndërkohë, një pjesë ka vlerësuar se rikthimi është i nevojshëm për ruajtjen e karakterit multietnik të institucioneve të drejtësisë.
Ditë më parë, Këshilli Prokurorial miratoi dorëheqjet e prokurorëve serbë të veriut të dhëna rreth katër vjet më parë. E të premten, Këshilli Gjyqësor e pati në rend dite këtë çështje, por mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Çështja ka nxitur reagime ndërkombëtare, e Kosova u vizitua pa paralajmërim edhe nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se ngjashëm si KPK-ja, edhe KGJK-ja duhet të marrë vendim. Ai ka vlerësuar se institucionet është dashur të koordinoheshin me ndërkombëtarët dhe të mos lejojnë rikthimin e serbëve të dorëhequr.
“Këto dy institucione duhej të koordinoheshin mes veti edhe me faktorin ndërkombëtar. Rikthimet e tyre janë të pabazuara për faktin se përveç që ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, kur ata kanë paraqitur dorëheqjet e tyre. Dorëheqja është akt individual dhe duhet të ndërmerren veprime ndryshe”, ka thënë ai.
Edhe avokati Meshari Selimaj ka vlerësuar se këshillat nuk duhet marrë në konsideratë rikthimin e të dorëhequrve.
Edhe
Serbët “pishmanë” s’mund të rikthehen në Polici
“Ky veprim nuk përbën mohim të asnjë komuniteti që të jetë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, e në rastin konkret as komunitetit serb. Megjithatë, duhet ditur se institucionet e drejtësisë se Republikës së Kosovës janë institucione serioze dhe nuk duhet t’i pranojnë pishmanet e personave që në mënyrë vullnetare kanë dhënë dorëheqje para katër vjetësh”, ka thënë ai.
Ndryshe nga ta, avokati Xhevdeti Smakiqi ka thënë se rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të ndodhë.
“KGJK-ja duhet të riafirmojë përbërjen e tij multietnike si në nenin 103 të Kushtetutës së Kosovës dhe të jetë e gatshme për akomodim të pakicës serbe në të gjitha nivelet e gjykatave deri në 15%... KPK-ja për ta rikthyer pavarësinë e tij, që të mos duket departament administrativ i u.d. presidentes, duhet ta anulojë urgjentisht vendimin e tij për pranim të dorëheqjeve të prokurorëve të komunitetit serb”, ka thënë ai.
Këshillat nuk i shqyrtuan për vite dorëheqjet dhe janë aktivizuar tek pas një kërkese që morën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimeve nga një numër prokurorësh e gjyqtarësh serb, në të cilat theksonin se tërhiqen nga dorëheqjet.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar rikthimin e tyre në institucione, por të kundërtën e kanë thënë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeministri në detyrë.
Avokati Bajraktari ka thënë se çështja është politizuar.
“Sa i përket veprimeve dhe vendimeve që ndërlidhen me pjesën veriore, institucionet e vendit duhet me pasë parasysh që para se me qenë vendime ligjore, ato në jo pak raste po shndërrohen në vendime të natyrës politike, për çka natyrisht se mundet me pasë edhe impakt në raport me faktorët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
E, avokati Selimaj ka theksuar se autoritetet duhet të shpallin konkurs për gjyqtarë e prokurorë të rinj serbë, e për të cilët thotë se duhet t’iu nënshtrohen procedurave të verifikimit.
“Të kemi prokurorë dhe gjyqtarë që kanë integritet, janë lojalë ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, dhe jo të jenë në shërbim të politikës së Qeverisë së Serbisë, siç edhe kanë qenë deri në momentin që i kanë ofruar dorëheqjet me urdhra politikë”, ka deklaruar Selimaj.
Edhe
U ruhen vendet gjyqtarëve e prokurorëve serbë të dorëhequr para 3 vjetësh
Një ditë më parë, u.d. e presidentes, Albulena Haxhiu pati bërë të ditur se ka informacione, që tregojnë se të dorëhequrit janë paguar nga Serbia edhe sa kanë punuar në institucione të Kosovës dhe se disa nga ta kanë marrë pjesë edhe në takime koordinuese për veprime kundër shtrirjes së kushtetutshmërisë në veri.
E të premten pasdite, pa njoftim paralajmërues, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka takuar në Qeverinë e Kosovës kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Në një njoftim të Qeverisë, është bërë e ditur se çështja e “pishmanit” të serbëve që ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës më 2022 ka qenë temë e ngritur në takim nga Sorenseni. Në njoftimin e Qeverisë për diskutimin mbi këtë çështje me Sorensenin, u tha se Kurti ka bërë të ditur se Qeveria afirmon dhe insiston në barazi për të gjithë qytetarët dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve.
“Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër vjetëve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, u tha në njoftim të Qeverisë.
Të premten, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mungesë kuorumi nuk vendosi për kërkesën për dhënien epilog ndaj dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë më 2022 dhe kërkesën e bërë së fundmi nga ta për t’i tërhequr këto dorëheqje. E ditë më parë, Këshilli Prokurorial i ka pranuar dorëheqjet. Vendimi u dekretua nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Vendimi nxiti reagim.
Më 21 korrik, përmes një deklarate nga zëdhënësja në Bruksel, BE-ja ka shprehur “shqetësim” për vendimin e Këshillit Prokurorial për t’ua pranuar dorëheqjet personelit serb. BE-ja ka shprehur shqetësim edhe për dekretimin e vendimit nga Haxhiu.
Të enjten, kjo zyrë u bëri thirrje partive politike që “të përmbahen nga presioni” mbi Këshillin Gjyqësor lidhur me vendimmarrjen për kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë. Reagimi i BE-së u bë pas postimeve të disa deputetëve të partisë në pushtet lidhur me KGJK-në.
Për t’iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në 2022-n në Këshillin Gjyqësor ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët, ndërsa në Këshillin Prokurorial 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.
E në Polici e kanë bërë të qartë se nuk do të mund të bartin më uniformën, ata që e kishin zhveshur katër vjet më parë.
Edhe
Haxhiu e Kurti duan largimin e gjyqtarëve serbë të dorëhequr
Të gjithë ishin dorëhequr pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, që pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe.
Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ishte nisur me marrëveshjet në Bruksel.