Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Miftaraj: KPK-ja keqpërdor pavarësinë që i jep Kushtetuta

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), e keqpërdor pavarësinë që i jep Kushtetuta.

“Ne e kemi thënë vazhdimisht që Këshilli Prokurorial i Kosovës, në shumë raste pavarësinë që i ofron Kushtetuta, është duke e keqpërdorur. Do të thotë, ajo pavarësia që i ka dhënë Kushtetuta në procese të rëndësishme, që e përmendi edhe prokurori Bahri, në rekrutim, në avancim të gjyqtarëve, në disiplinim të gjyqtarëve, nuk është që po e shohim në praktikë. Ne, organizatat e shoqërisë civile, e monitoruam procesin për Kryeprokuror të Shtetit dhe fatkeqësisht sërish doli që KPK-ja nuk qe në gjendje që këtë proces ta bëjë në bazë të ligjit, në bazë të Kushtetutës, në bazë të procedurave që ka miratuar, rregullave që ka miratuar vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës”, tha Miftaraj.

Ai shtoi se ky proces u kontestua nga Ambasada amerikane, Zyra e BE-së, Ambasada gjermane, si dhe u bë pjesë e Raportit të Progresit.

“Duhet të vijë në një moment që edhe Këshilli Prokurorial, si mekanizëm, si trup kolegjial, duhet të jetë më i hapur ndaj publikut, ndaj kritikave”, theksoi Miftaraj.